49 migrantë mbërritën sot në Portin e Shëngjinit me anijen e marinës militare italiane “Cassiopea”. Në bord ndodheshin kryesisht shtetas nga Bangladeshi, si dhe disa nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Katër prej tyre,(një i mitur), u kthyen sërish në Itali, për shkak të arsyeve shëndetësore. Kjo nuk është hera e parë që migrantë në kushte të vështira shëndetësore janë detyruar të kthehen sërish pas.
Prej më shumë se dy muajsh, që nga 8 nëntori, ku për herë të fundit mbërritën në Shëngjin 8 migrantë, kampi i Gjadrit kishte mbetur në gjendje “të fjetur”, aq sa po diskutohej për plane shpëtimi që investimi miliona euro i Italisë mos të shkonte dëm.
Deri më tani për shkak të vendimit të Gjykatës së Romës, e cila ka sfiduar dukshëm funksionalitetin e kampit, janë kthyer mbrapsht të 24 migrantët që ishin sjellë në total në Gjadër.
Vendimi i Gjykatës së Romës u bazua në një vlerësim të mëhershëm bërë nga Gjykata Evropiane, e cila është shprehur se vendet e sigurta duhet të konsiderohen ngjashëm nga të gjitha vendet e BE-së.
Por me 49 migrantët e ardhur sot, duket se qeveria Meloni nuk e ka njohur vendimin e Gjykatës dhe vijon të përsërisë të njëjtin skenarë. Ndërkohë kryeministrja Meloni duket se nuk po ka sukses jo vetëm me kampet në Shqipëri, por edhe me aspekte të tjera ligjore. Ajo po hetohet pas një vendimi për të liruar një oficer policie libanez të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), e njohur ndryshe si Gjykata e Hagës. Meloni mohoi akuzat, duke thënë se Al Masri ishte liruar nga Gjykata e Apelit në Romë, pasi Gjykata e Hagës nuk i kishte dërguar urdhër-arrestin Ministrisë italiane të Drejtësisë.
Pas procesit të kontrollit e regjistrimit në Portin e Shëngjinit, për 49 migrantët e sjellë, kërkesat e tyre do të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit të Romës, e jo më nga Gjykata Civile.
“U vërtetua që gjykata në Itali është e pavarur nga politika! Ligji evropian është mbi ligjin lokal,” tha ekspertja e migrimit Eda Gemi për Citizens, duke ju referuar vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Citizens.al ka publikuar edhe më herët një podkast në lidhje me këtë tematikë.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.