Citizens.al

Ndotja, pasojat dhe nismat për shpëtimin e Drinit në Shqipëri

Citizens.al/Ilustrim i kontrastit të gjendjes së Drinit në Koman dhe Kukës.

Në korrik të vitit 2022, familja Koçeku nga Malësia e Dukagjinit hapi dyert e shtëpisë së saj buzë liqenit të Komanit për të pritur turistë. Bujtina rezultoi e suksesshme falë nismës së vajzës së tyre, Marjana, e kthyer nga emigrimi me pasion dhe dashuri për vendlindjen.

Çelësi i suksesit rezultoi blogu i Marjanës me emrin “Neomalsore”. Aty ajo promovonte traditat dhe bukuritë e zonës duke tërhequr vëmendjen e të huajve.

Tre sezone turistike më vonë, mbi 200 vlerësime në platformat e turizmit dhe reportazhe të shumta në media, tregojnë se bujtina është tashmë një nga pikat më tërheqëse e liqenit.

Por teksa sipërmarrja e Marjanës tërheq qindra turistë, ndotja me mbeturina plastike nga vërshimet në pranverë e vjeshtë nuk lë shije të mirë. Marjana thotë se pavarësisht përpjekjeve të komunitetit për pastrimin e brigjeve, mbetjet vijnë sërish.

Për këtë ajo shprehet se duhen masa urgjente pasi përveç mjedisit kjo situatë mund të njollosë gjithashtu reputacionin në rritje të zonës.

“Prej mbeturinave kemi marrë përshtypje të këqija. Turistët e huaj nuk e perceptojnë se si mund t’i bëjmë diçka të tillë një vendi kaq të mrekullueshëm,” thotë Marjana.

Marjana Koçeku dhe peizazhi i Komanit nga Malësia e Dukagjinit/Facebook, Neomalsore.

Liqeni i Komanit furnizohet nga Drini dhe lumenjtë e Alpeve Shqiptare, por ndotja kryesisht vjen nga zona e Kukësit, e sjellë prej degëve të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi.

Alben Kola, aktivist dhe guidë turistike, kujton se problemi është i kahershëm. Ai ia atribuon fluksin e mbetjeve urbanizimit të zonave përreth Drinit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut dhe fajëson mungesën e kulturës dhe planifikimit për menaxhimin e mbetjeve.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e monitoron cilësinë e ujit të Drinit përmes 6 stacionesh kampionimi të vendosura në Peshkopi, Kukës, Shkodër dhe Lezhë. Matjet kryhen katër herë në vit.

Raportet e monitorimit tregojnë se cilësia e ujit ka rënë nga “gjendje mesatare” në vitin 2018 në “gjendje të varfër” në vitin 2023, me pjesën përtej Vaun të Dejës të konsideruar si më të ndoturën – një “lumë i vdekur.”

Përveç ndotjes nga mbeturinat, raporti i fundit AKM-së vë në dukje edhe prezencë kadmiumi dhe plumbi. Prania e këtyre metaleve të rënda vihet re në dy fshatra të Dibrës dhe në ujërat e Kirit dhe Bunës.

“Këto ujëra janë të kategorisë së parë referuar standardeve shqiptare, por me cilësi më të dobët referuar Direktiva Kuadër e Ujit të BE,” thuhet nga AKM.

Raporti nuk specifikon se nga burojnë këto metale të rënda, të cilat mund të vijnë edhe nga aktiviteti industrial apo minerar.

Plumbi dhe kadmiumi klasifikohen si metale toksike, të cilat nuk metabolizohen nga trupi i njeriut. Ekspozimi afatgjatë ndaj këtij faktori ndotjeje, sado në parametra të diskutueshëm, mund të sjellë probleme shëndetësore.

Gjatë një aksioni për pastrimin e Komanit/Alben Kola, Facebook.

Një degë e Drinit ka vdekur

Projektet energjetike dhe infrastrukturore kanë ndryshuar rrjedhën e Drinit në Shqipëri.

Digat e Fierzës (1970-1978), Komanit (1980-1985), Vaut të Dejës (1967-1970) dhe Ashtës (2008-2012) i ngadalësojnë rrjedhën Drinit duke formuar një kaskadë dhe zinxhir problemesh mjedisore, sidomos në pjesën e poshtme ku rrjedha është ndarë me dy drejtime: njëri drejt Kirit dhe Bunës në Shkodër, tjetri drejt Lezhës.

Jak Gjini, biolog dhe ekspert mjedisi, e quan Drinin në zonën e Lezhës “lum të vdekur,” pasi ndotja nga ujërat urbane, industriale dhe bujqësore atje është kritike.

“Në këtë zonë Drini është një lum që gjallëron vetëm 20% të vitit kur ka reshje shiu, kjo bën që në këtë segment të dominojnë ujërat urbane, shkarkimet industriale dhe bujqësore,” shpjegon Gjini.

Sipas Gjinit prurjet e pakta dhe shkarkimet urbane favorizojnë eutrofizimin antropogjen, – një gjendje ku prej aktivitetit njerëzor ujërat ngopen me lëndë ushqyese. Kjo vihet re kryesisht gjatë verës nga erërat e këqija.

“Era vjen pas dekompozimit të gjallesave të stimuluara nga lëndët e tepërta ushqyese,” shpjegon Gjini, i cili e cilëson si problem serioz edhe pakësimin e sendimenteve drejt Adriatikut.

Prurjet e pakta të sendimenteve kanë bërë që në zonën e Gjirit të Drinit deti të avancojë drejt tokës. Sipas Gjinit zona më e rrezikuar është Laguna e Kune-Vainit. Në periudha thatësire, gjatë baticave, uji i detit vërshon edhe drejt shtratit të Drinit, duke dëmtuar më tej tokën.

“Është një fenomen që e kam parë vetë dhe që tregon situatën e rëndë ku jemi, pra përveç ndotjes masive, jemi edhe në prag katastrofe në cilësinë dhe shfrytëzimin e tokës,”  thekson eksperti.

Për zbutjen e situatës Gjini sugjeron rritjen e prurjeve të Drinit në 20-25 metër3/s nga Vau i Dejës, pastrimin e kanaleve, ndërgjegjësimin e banorëve dhe investimet për trajtimin e ujërave të zeza.

Ndotja nga bashkimi i Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi në Kukës/Everwave, Recycal Recycling Albania.

Nismat dhe sfidat për të shpëtuar Drinin

Ndotja dhe menaxhimi i dobët i rrjedhës së Drinit kanë sjellë pasoja mjedisore në Shqipëri. Në një anketë të përgatitur nga Citizens.al, 94% e të pyeturve thanë se kishin vënë re uljen e numrit të peshqve dhe bimësisë, ndërsa 73.7% rekomanduan menaxhim më të mirë të mbetjeve dhe përfshirje më të madhe të autoriteteve lokale.

Por veprimet e bashkive pengohen nga burokracia, ndasitë politike dhe mungesa e fondeve. Në përgjithësi bashkitë pranojnë se nuk kanë plane apo strategji se si ta adresojnë ndotjen e Drinit, ndërsa nga qeveria duket se nuk ka vullnet të qartë për t’u marrë me këtë çështje.

Megjithatë nisma të pavarura, si ajo e ekspertit të mjedisit Lulzim Baumann në Kukës, tregojnë potencialin për zgjidhje konkrete.

Baumann solli këtë vit në Kukës një varkë pastrimi. Ai thotë se gjatë tre muajve të pranverës mblodhi nga liqeni rreth 30 tonë mbetje plastike, sasi që, nëse projekti aplikohet edhe në vjeshtë, mund të dyfishohet.

Por kostot duket të jenë të papërballueshme nga nismat vetjake apo organizatash mjedisore. Sjellja e varkës nga Gjermania në Shqipëri dhe vënia e saj në punë për tre muaj kërkon rreth 40 mijë euro buxhet.

Ndotja nga bashkimi i Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi në Kukës/Everwave, Recycal Recycling Albania.

Baumann shpreson që Bashkia Kukës ta mbështesë në vazhdimësi.

“Nëse bëhet dy herë në vit për tre-katër vite radhazi jam i sigurt që do t’i japë ndryshim rrënjësor gjendjes,” thotë Baumann, sipas të cilit 50% e mbeturinave vijnë nga Drini i Bardhë, 35% nga Drini i Zi dhe pjesa tjetër nga tre bashkitë e qarkut të Kukësit, Bajram Curri, Has dhe Kukës.

Por edhe Baumann është i mendimit se për zgjidhje afatgjatë nevojitet angazhim ndërshtetëror mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se nevojitet marrëveshje trepalëshe nga ku të dakordësohet një buxhet dhe plan i përbashkët veprimi.

Te ky plan veprimi Baumann përmend vendosjen e pragjeve apo rrjetave në rrjedhat e Drinit të Bardhë dhe të Zi, paralelisht investimin në ndarjen dhe trajtimin e mbetjeve.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW