Prej 29 janarit, pensionistët e Tiranës presin me orë të gjata në radhë për të marrë abonenë e muajit shkurt, e cila u mundëson udhëtimin pa pagesë në linjat e autobusëve urbanë.
Bashkia Tiranë ka vendosur këtë vit t’u subvencionojë udhëtimin grave dhe burrave të moshës mbi 60 dhe 65 vjeç. Por pajisja me abonenë po rezulton sa burokratike po aq dhe një sprovë e vështirë.
Për të marrë “abonenë e pensionistit”, të moshuarit duhet të regjistrohen pranë Njësisë Administrative. Pasi të jenë regjistruar në portalin e përfitimit, ata duhet të paraqiten çdo fund muaji në pikat e shpërndarjes për të tërhequr abonenë për muajin pasardhës.
Dokumentet e nevojshme janë karta e identitetit dhe një fotografi.
Në kryeqytet ka vetëm 5 pika ku pensionsitët mund të tërheqin abonenë:
- Rruga “Urani Pano” – Kioska tek 15 katëshi
- Rruga “Muhamet Gjollesha” – Tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
- Rruga “Luigj Gurakuqi” – Tek Biblioteka Kombëtare
- Bulevardi “Zhan D’Ark” – Kioska tek “Brryli”
- Rruga “Reshit Petrela” – Tek Stacioni i Trenit

Numr i kufizuar me vetëm 5 pika duket se krijon dhe radhët e gjata, të cilat nuk janë aspak dinjitoze për moshën dhe gjendjen e pensionistëve.
Pnsionistët shprehen se kjo situatë mund të shmangej nëse hapen dhe pika të tjera pranë lagjeve të tyre, ose nëse aboneja jepet në Njësitë Administrative, apo për një vlefshmëri 6 muaj apo 1 vit.
“Kemi ardhur që në orën 10, sa është ora tani ne po rrimë këtu prit radhën edhe akoma kam një 30 veta para, edhe 30 burra, 60”, u shpreh një pensionsite e cila priste në radhë tek kioska afër Bibliotekës Kombëtare.
Disa prej pensionsitëve u shprehën të revoltuar se për shkak të moshës nuk mund të qëndrojnë me orë të gjata në këmbë teksa të tjerë treguan se kishin udhëtuar nga larg, për shkak se jetojnë në zonat rurale të Tiranës.
“Kështu është radha çdo ditë, ishim dhe dje jemi dhe larg, erdha dje nuk ndejta dot në radhë ika dhe kam ardhur sot”, u shpreh për Citizens.al një pensionsite.
“Tre orë që presim këtu, po afrohet dhe 1 orë, 4 orë besoj mbarojmë. Kemi marrë bukë me vete për të ngrënë drekë, por me shumë mundësi dhe darkë këtu do hamë,” tha një tjetër pensionist.
Ata kërkojnë forma të tjera për të shmangur radhët e gjata dhe i bëjnë thirrje Bashkisë Tiranë të reflektojë mbi këtë situatë.

“Ose një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit, kjo nuk është zgjidhje për të moshuarit kjo është torturë të rrish nga dy tre orë në radhë”, propozon një pensioniste.
“Zgjidhja më e përshtatshme ose të hapin pika ose një herë në vit të na e bëjnë”, u shpreh një tjetër pensioniste.
Citizens iu drejtua Bashkisë Tiranë për koment, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.