Transparenca, llogaridhënia dhe integriteti politik janë disa nga çështjet që sillen në vëmendje sa herë vendi përfshihet në zgjedhje, qofshin ato vendore apo të përgjithshme.
Për disa të tjerë, kryesisht qytetarë të angazhuar në hapësirën publike, këto çështje janë pjesë e përditshmërisë. Përmes aktivizmit të tyre, ata synojnë të përmirësojnë shoqërinë shqiptare duke nisur nga e drejta për të votuar të barabartë dhe të pandikuar.
Rigels Xhemollari prej më shumë se një dekade, angazhimin e ka orientuar drejt së mirës publike. Aktivizmi i tij ka zanafillë vitin 2011, kur u angazhua si koordinator i Parlamentit Rinor, ku udhëhoqi të rinjtë për të ngritur kauza të ndryshme, si për shembull përfshirja në vendimmarrje apo në proceset zgjedhore.
Sot, Xhemollari përfaqëson një organizatë të zëshme në këtë aspekt: Qëndresa Qytetare. Përmes Qëndresës ai ka vijuar misionin duke angazhuar edhe dhjetëra të rinj, të cilët i janë bashkuar organizatës.
Ishte viti 2014, kur Qëndresa Qytetare mori përsipër angazhimin e parë sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Ajo u përfshi në procesin e konsultimit të “Ligjit për të drejtën e informimit publik”. Xhemollari kujton se Qëndresa ishte ndër të parat organizata që mori përsipër ta testonte këtë ligj dhe të vinte në dukje problemet, përgjegjësitë apo dhe të metat.
“Pamë se shumë institucione, pavarësisht se promovoheshin se ishin të hapura, ishin më të mbyllura se një bunker, duke filluar nga institucionet e arsimit të lartë, bashkitë, burgjet dhe çdo institucion që ne tentonim të dërgonim kërkesa,” kujton Xhemollari.

Ai beson se sa më shumë transparencë dhe të dhëna t’iu ofrohen qytetarëve, aq më shumë ata bëhen më të interesuar dhe angazhuar. Këtë, Xhemollari thotë se e ka treguar përvoja dhe praktika e gjërave. Kjo, sipas tij, është kuptuar edhe nga institucionet publike me tendencën për të qenë jo transparente.
Duke vijuar kthimin pas në çështjet për të cilat është angazhuar më së shumti, Xhemollari rendit kostot e larta që institucionet u atribuonin dhënies së informacioneve. Në këtë pikë ai kujton rastin e Universitetit të Tiranës, që, në vitin 2016, aplikonte tarifë 10 euro për të dhënë informacionet.
“Kjo ishte një praktikë demotivuese, sidomos për studentët pasi 10 euro nuk ishin pak për ta, për të marrë qoftë dhe një informacion personal, ose një informacion studimor,” kujton Xhemollari.
Pas ankesave dhe bërjes publike të çështjes nga Qëndresa, kjo praktikë nuk u aplikua më, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por në çdo institucion publik që praktikisht “ua shiste informacionin publik qytetarëve”.
Megjithatë, për Xhemollarin, fitoret e vogla janë veçse një shtysë për të vijuar angazhimet për çështje të tjera me interes publik. Pavarësisht se në përgjithësi ai bluan një indinjatë sa i takon praktikës së qeverive që qëndrojnë gjatë në pushtet për të kapur apo nënshtruar edhe elitën.
Përballë kësaj qasjeje, Xhemollari thotë se aktivizmi bëhet një sprovë e vështirë.
“Në një shtet ku një qeveri udhëheq për 12 vite pushtetin është shumë e vështirë të krijosh klimë aktivizmi dhe klimë reagimi qytetar për shkak se për 12 vite kjo makineri, apo kushdo qeveri që të ishte, ka arritur të blejë ‘elitën e kombit’ duke e nënshtruar atë me paga, poste, pozicione, kontrata, ekspertiza,” argumenton Xhemollari.

Ndaj sipas tij, përballë këtij pushteti, fuqia e një aktivisti apo një grupi aktivistësh është goxha e cenueshme, pasi “në fund të muajit e shikon veten të vetmuar dhe mendoj se kjo është një nga sfidat më të mëdha të të bërit aktivizëm të qëndrueshëm në Shqipëri”.
Megjithatë, Xhemollari nuk heq dorë. Ai beson se aktivizmi mund të nxisë shtetarët të jenë më të përgjegjshëm dhe të sjellë ndryshime thelbësore. Për këtë ai merr si shembull rastin e vrasjes së një 14-vjeçari pranë shkollës “Fan Noli”, ku përmes angazhimit të qytetarëve qeveria u detyrua të ndërmerrte masa konkrete.
“Organizimi dhe aktivizmi janë valvula që në këto vite kanë shërbyer më fort se deputetët e Kuvendit për kauzat apo për komunitetin. Deputetët thjesht ngrenë kartonin kur iu thotë kryetari, ndërsa aktivistët shkojnë aty ku është plaga dhe vendosin gishtin,” shprehet ai.
Ndër angazhimet e Rigelsit si aktivist i Qëndresës Qytetare ka qenë dhe kontrolli i veprimtarisë së figurave politike me funksione shtetërore gjatë proceseve zgjedhore. Në këtë angazhim ai sjell në vëmendje kalvarin që iu desh të përshkonin si aktivistë në zgjedhjet vendore të vitit 2023 teksa kërkuan të kishin në dispozicion rreth 8 mijë targa të makinave të shtetit.
“Kjo ishte një nismë, sipas së cilës ne donim të hartonim një databazë me makinat e shtetit, me qëllim për të parandaluar përdorimin e tyre për efekt të fushatës,” kujton Rigelsi teksa kjo nismë dukshëm u kthye në mision për shkak të refuzimit të institucioneve për t’ua dhënë këtë informacion.
“Patëm rezistencë nga Drejtoria e Rrugëve, e cila nuk donte të na i jepte dhe pastaj e paditëm te Komisioneri. Komisioneri na dha të drejtë, pastaj Drejtoria tha që do t’jua shesim me para 2 euro për targë, që do të thotë ne si organizatë duhet të paguanim 16 mijë euro për të marrë këto targa,” rrëfen Xhemollari.

Qëndresa Qytetare arriti t’i marrë këto të dhëna pas një sërë seancash ndërmjetësuese me Komisionerin për të Drejtën e Informimit. Por Xhemollari tregon se vetëm fakti se këto të dhëna iu kaluan një grupi qytetarësh të angazhuar bëri një efekt domethënës te shtetarët.
“Shumë zyrtarë publikë, me të cilët kishim njohje, na merrnin në telefon dhe na thoshin çfarë do na bëni me këto targat, mos na padisni për shpërdorim detyre, çfarë duhet të bëjmë ne tani me makinat e shtetit, kur duhet t’i përdorim dhe kur jo,” tregon Rigelsi.
Si çdo aktivist edhe Rigelsi ka pasur ku të gjejë frymëzim. Përballë pyetjes se kush kanë qenë figurat që kanë qenë udhërrëfyes për rrugëtimin e tij në angazhimin publik, ai liston ato figura që sipas tij “nuk janë shitur, nuk janë blerë dhe kanë çuar përpara idetë e tyre edhe pse e kanë paguar dhe me jetë”.
“Në rang global është Malcolm X, i cili nuk iu dorëzua asnjë lloj pazari, asnjë lloj oferte, asnjë lloj shitjeje për kauzën, të cilën ai e besonte. Në aspektin rajonal më pëlqen shumë aktivizmi i ish-presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës Alija Izetbegović. Në kontekstin shqiptar kam dy-tre figurave, të cilave iu referohem, të cilët kanë qenë desidentë në periudhën e komunizmit siç është Arshi Pipa apo Musine Kokalari,” liston Xhemollari.
Për Xhemollarin, transparenca është mjet për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që shërbimet publike të jenë të drejta dhe të barabarta për të gjithë. Ai bën thirrje për një angazhim më të madh nga qytetarët, veçanërisht të rinjtë, që të kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.
“Aty ku nuk ka dritë, sigurisht, që aty bien edhe hijet e korrupsionit dhe transparenca nuk është qëllim në vetvete. Por transparenca është mjet për të parandaluar aferat korruptive. Çdo individ, i ri, i vjetër, organizatë që merret me fushën publike, interesohet për fushën publike është që të kontribuojë sado pak në rritjen e transparencës së institucioneve publike. Ato nuk e bëjnë vetë transparencën në qoftë se ne nuk na intereson transparenca.”

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).