Citizens.al

Përplasjet për emërimin e drejtorit ekspozojnë mungesën e transparencës në RTSH

Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo gjatë dëgjesës në Komisionin e Medias.

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) u përball të hënën në Komisionin parlamentar të Medias me akuza për shkelje procedurale dhe mungesë transparence në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm.

Seanca dëgjimore, që zgjati rreth katër orë, ekspozoi një institucion të përçarë dhe një proces të ngarkuar me paqartësi në lidhje me atë që do të pasojë ish-Drejtorin Alfred Peza gjashtë muaj pas dorëheqjes së tij.

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të RTSH-së nisi me dhjetë kandidatë, por vetëm dy mbetën në garë pas s ‘kualifikimit të të tjerëve nga Këshilli.

Në garë u paraqitën Aurora Polo aktualisht Drejtuese e Komanduar e RTSH, Eni Vasili, Enrik Mehmeti, Ermal Hoxha, Flamur Buçрарај, Floriana Paskali, Harilla Koçi, Jetmir Shpuza, Kliton Rama, Laureta Roshi.

Vetëm Polo dhe Shpuza u konfirmuan si kandidatë teksa pjesa tjetër u hoq nga gara për “mangësi në dosjet e aplikimit” ose në sajë të votimeve kundër “të shumicës së anëtarëve”.

Vendimi për të përjashtuar kaq shumë aplikantë pa i dëgjuar apo shqyrtuar programet e tyre ngriti pikëpyetje të shumta mbi kriteret e përdorura.

“Kemi ndjekur procedurat,” këmbënguli para Komisionit Leka Bungo, Kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, teksa më pas pranoi se vendimmarrja kishte pasur probleme.

“Në RTSH mungon transparenca, dhe ky është kanceri i institucionit,” shtoi ai, duke reflektuar mbi një kulturë burokratike që, sipas tij, është bërë pengesë për reformimin e transmetuesit publik.

Bungo më pas theksoi se zgjedhja e Drejtueses së Komanduar, Aurora Polo, nuk përmbush kriteret ligjore të nevojshme për këtë pozicion. Sipas tij, Polo nuk ka përvojën e duhur në media dhe kualifikimet e kërkuara, duke qenë se formimi i saj është në inxhinieri.

Ai shtoi se vendimet e Këshillit Drejtues shpeshherë janë injoruar nga Drejtoria e Përgjithshme, duke përmendur 18 vendime të pazbatuara.

“Unë edhe pse jam kryetar vetëm çelësat e kashtës kam,” shtoi Bungo në shenjë justifikimi pasi përmendi një rast të ish-Drejtorit të RTSH-së Enkelejd Joti, i cili qe konstatuar në shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Përballë këtij pretendimi disa prej anëtarëve ngritën shqetësimin se Këshilli drejtohej nga “një shumicë false”, shqetësim i cili dha idenë se lidhej edhe me mënyrën se si u përjashtuan disa nga kandidaturat për drejtues të RTSH-së.

Këshilli përbëhet nga 11 anëtarë, ku përveç Kryetarit Bungo dhe zëvendëskryetarit Gëzim Podgorica, janë dhe Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Genc Përmeti, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.

Një nga çështjet më të diskutuara nga Komisioni parlamentar ishte votimi i një prej anëtarëve të Këshillit, Mevlan Shanaj, nga Vietnami përmes një lidhjeje online, aq më tepër kur votimi, sipas rregullores, duhet të kishte qenë sekret.

Një veprim i tillë jo vetëm që ka vënë në dyshim ligjshmërinë e procedurës, por ka thelluar më tej mosbesimin për një proces të drejtë dhe me garë në përzgjedhje.

Seanca dëgjimore nxori në pah edhe përplasjet politike mbi të ardhmen e RTSH-së. Deputetja socialiste Evis Kushi, hodhi poshtë justifikimet e anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët në një moment u shprehën se nuk kanë formim juridik.

“Mungesa e njohurive juridike nuk është një argument i pranueshëm,” deklaroi ajo, duke i konsideruar gabimet e bëra si shenja të papërgjegjshmërisë institucionale.

Përballë kësaj kritike nga Kushi, disa anëtarë të Këshillit, si Genci Përmeti, argumentuan se kanë nevojë për asistencë ligjore për të siguruar që vendimet e tyre të jenë të bazuara në ligj.

“Nuk jemi ekspertë juridikë, por po përpiqemi të ndjekim më të mirën,” tha ai, duke lënë të kuptohet se problemi është më i thellë sesa thjesht ky proces i veçantë.

Në fund të seancës, Komisioni i Medias i sugjeroi Këshillit Drejtues të rishikojë të gjitha kandidaturat dhe të garantojë një proces më të hapur dhe të drejtë. Gjithashtu, u kërkua që të analizohen mundësitë për konflikt interesi brenda Këshillit, për të shmangur çdo ndikim të padrejtë në vendimmarrje.

RTSH ndodhet në një krizë të thellë administrimi që prej shtatorit 2024 pas dorëheqjes së ish-deputetit të Partisë Socialiste Alfred Peza. Ky u tërhoq nga drejtimi pas shumë kontestimesh për largime arbitrare nga puna.

Aktualisht, RTSH mbetet në një periudhë pasigurie, me një drejtues të komanduar dhe një garë që ka lënë pas më shumë pyetje se sa përgjigje.

Në një kohë kur media publike shqiptare përballet me sfida të shumta, mënyra se si do të zgjidhet ky ngërç do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e RTSH-së, por edhe besimin e publikut te institucionet që e drejtojnë atë.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW