Citizens.al

Ministria s’i njohu titujt, Taulant Muka i drejtohet Komisionerit për diskriminim

Citizens.al/Foto ilustrim

Autoritetet shqiptare refuzuan t’i njihnin titujt akademikë epidemiologut Taulant Muka, një hulumtues shkencor me karrierë të pasur jashtë vendit. Për këtë, nën asistencën e qendrës “Res Publica,” ai i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me synimin që këtë çështje ta kthejë në një rast që mund të nxisë ndryshime ligjore për të lehtësuar kthimin e profesionistëve të kualifikuar në Shqipëri.

Në tetor 2023, Muka i kërkoi ministrisë së Arsimit të niste procesin e njehsimit të titujve “Profesor i Asociuar” dhe “Docent”, të fituara në Universitetin e Bernës në Zvicër. Por, pavarësisht se ligji parashikon afate të qarta për përfundimin e procedurës, ministria iu përgjigj vetëm në prill 2024, me një vonesë të konsiderueshme.

“Sipas ligjit, procedura duhet të përfundojë brenda 45 ditëve. Por, siç duket, në Shqipëri koha ka kuptim tjetër dhe ligji është thjesht një sugjerim që mund të injorohet,” u shpreh Muka për Citizens.

Ministria e Arsimit i refuzoi Mukës njohjen e titullit “Profesor i Asociuar”, me arsyetimin se ai kishte vlefshmëri të kufizuar në kohë për Universitetin e Bernës. Ndërsa titulli “Docent” nuk iu njoh për shkak të mungesës së një ekuivalenti në sistemin shqiptar.

Por sipas Res Publica, këto argumente janë të pabazuara si në legjislacionin shqiptar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Titulli ‘Profesor i Asociuar’ mund të ketë kufizime kohore për Universitetin e Bernës, por vlefshmëria e tij vlerësohet rast pas rasti në universitetet e tjera brenda Zvicrës dhe jashtë saj. Ligji shqiptar e njeh vlefshmërinë e titullit për gjithë jetën,” argumentohet në parashtrimet e qendrës “Res Publica”.

Për titullin “Docent”, qendra thekson se detyrimi i Komisionit të Njehsimit është “të vlerësojë përputhshmërinë e kritereve akademike, jo të refuzojë njehsimin për mungesë ekuivalence në emërtesë.”

“Në rastin konkret titulli akademik ‘Docent’ i lëshuar nga Universiteti i Bernës është ekuivalent me të paktën titullin akademik ‘Profesor i Asociuar,’ siç është arsyetuar gjerësisht në ankimin administrativ, drejtuar Autoritetit Publik,” argumenton më tej qendra “Res Publica”.

Burokracitë dhe sistemi pengon kthimin e profesionistëve

Gjatë procesit të njehsimit, Muka thotë se u përball me pengesa burokratike. Ai thekson se autoritetet shqiptare nuk kanë njohur vulën apostile të dokumenteve dhe kanë kërkuar verifikime në adresa të gabuara pavarësisht se adresat e sakta ishin shënuar në dokumentacion.

“Komisioni kërkonte vlefshmërinë e dokumentacionit në adresa email-i jashtë universitetit që i kishte lëshuar ato dhe jo në vulën apostile të shtetit zviceran,” thekson Muka.

Epidemiologu argumenton se ky rast nxjerr në pah një problem më të madh: pengesat për profesionistët e kualifikuar që duan të kontribuojnë në Shqipëri.

“Sot universitetet shqiptare nuk marrin dot grante nga BE, sepse profesorët nuk kanë CV-të e duhura për pozitat që mbajnë. Për pasojë, vendet e BE-së nuk i njohin për t’iu dhënë grante. Shikoni çfarë ndodh në Serbi, për shembull, ku ka universitete në listën e 500 më të mirëve në botë dhe siguron miliona euro fonde nga BE,” theksoi Muka për Citizens.

Në shtator 2024, Muka iu drejtua Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke pretenduar se po diskriminohej politikisht. Ai e lidh refuzimin e titujve me qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë për periudhën e pandemisë dhe përvojës së shkurtër si zëvendësministër i Arsimit në vitin 2018.

“Kam dokumentuar raste plagjiature nga anëtarë të qeverisë dhe kam kritikuar menaxhimin e pandemisë nga ministria e Shëndetësisë ku Shqipëria u rendit ndër vendet e para në botë për vdekshmërinë,” tha Muka.

Gjatë pandemisë ministria e Shëndetësisë u drejtua nga Ogerta Manastirliu, e cila në shtator 2023 zëvendësoi Evis Kushin në ministrinë e Arsimit. Muka pretendon se pikërisht Manastirliu mund të ketë ndikuar në procedurat e njësimit të titujve të tij akademikë nisur nga kritikat e adresuara punës së saj të mëparshme.

“Komisioni që shqyrton njohjen e titujve është politik dhe me karrierë të dyshimtë akademike, ai është përcaktuar nga vetë ministrja,” argumentoi Muka pretendimin për ndikim politik në proces.

Ai shton se për shkak të kësaj qasjeje dhe këtyre pengesave, Shqipëria vazhdon të humbasë “trurin” e saj ku një numër i konsiderueshëm studentësh, profesionistësh dhe shkencëtarësh që largohen nuk kthehen më për të zhvilluar vendin.

“Kam kaluar një vit e gjysmë duke kërkuar një njësim që duhej të ishte procedurë e thjeshtë. Në vend që të kontribuoja në zhvillimin e shkencës në Shqipëri, në vendin tim më duhet të vij vetëm për pushime.”

Muka paralajmëron se do të vazhdojë betejën ligjore, jo vetëm për të drejtat e tij, por edhe për të sjellë ndryshime në sistemin e njësimit të titujve akademikë në Shqipëri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW