Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) arrestoi mesditën e sotme Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Përveç tij, u kërkua vendosja nën masë sigurie për bashkëshorten, Ajola Xoxa, dhe gjashtë sipërmarrës.
Veliajt iu komunikua masa e arrestit teksa ishte në zyrë. Për ironi, faqja e tij Facebook, e shfaqte në një event Live! të inaugurimit të një kopshti në Yzberisht.
Por, ai ishte në bashki dhe u shoqërua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rreth orës 13:00. Ndërkohë, për bashkëshorten, u vendos masa e “arrestit në shtëpi,” por ekzekutimi u shty pasi ajo ndodhej jashtë shtetit.
Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrimi parash ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Kodi Penal parashikon dënime me burgim nga 4 deri në 12 vjet për rastet e korrupsionit në detyrë publike.
Për pastrim parash apo fshehje pasurie dënimi mund të arrijë deri në 15 vjet, në varësi të rrethanave.
SPAK dyshon se çifti Veliaj-Xoxa janë të korruptuar. Sipas njoftimit, hetimet paraprake të prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani sugjerojnë përfshirjen e tyre në një skemë korruptive.
Ata dyshohet se kanë përfituar rreth €1.1 milionë në mënyrë të jashtëligjshme.
Hetimet tregojnë se paratë qarkulluan nga organizata jofitimprurëse të kontrolluara nga Xoxa. Ato u gjeneruan si pagesa prej sipërmarrës në marrëdhënie biznesi me bashkinë.
Autoritetet dyshojnë se Xoxa dhe familjarë të saj shpenzuan për blerje online rreth €870,000 vetëm për veshje dhe bizhuteri.
Firma e Veliajt, si titullar, dyshohet të ketë qenë përcaktuese në skemë edhe për pastrimin e parave.
Hetimet nisën në vitin 2023 pas informacioneve të dërguara me postë nga një person i identifikuar si Nesti Angoni.
Deri më tani SPAK ka tregues se në skemë u përfshinë së paku gjashtë sipërmarrës. Ata janë Elman Abule, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Për pesë prej tyre SPAK ka vendosur masën “detyrim paraqitje” ndërsa për Abulen “arrest me burg”.
Këta sipërmarrës dyshohet se përfituan tenderë dhe leje ndërtimi duke kryer pagesa korruptive në favor të ojf-ve të Xoxës.
Kompanitë janë: Rametal, Agi Kons, Palushi shpk, Kontakt shpk, Gerard-A dhe Fusha shpk.
Dyshohet se nën këtë natyrë korruptive çifti Veliaj-Xoxa ka përfituar një vilë me rreth 500 metra katrorë truall në Qerret.
Vila, e cila ishte e regjistruar nën emrin e kompanisë Agi Kons të sipërmarrësit Sula u vu nën sekuestro.
Në dhjetor 2024, Veliaj dëshmoi para agjentëve të BKH-së në lidhje me akuzat. Ndaj tij dhe familjarëve, përfshirë vëllain Arbi Veliaj, u tha se nisën hetime pasurore.
Më 6 dhjetor, SPAK i sekuestroi telefonin Xoxës dhe ushtroi kontrolle në studion e ojf-së, “Harabel,” në ish-Bllok. Në zyra iu sekuestruan dokumente dhe para në valuta të ndryshme euro dhe dollarë me vlerë mbi 11 milionë lekë.
SPAK njoftoi se nën hetim ka përfunduar edhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila kryeson Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore. Ajo dyshohet se ka penguar hetimet ndaj Veliajt duke ushtruar presion ndaj një dëshmitari.
Reagimi dhe implikimet e shkuara të Velijat
Në një reagim në rrjetet sociale, Veliaj mohoi akuzat duke i cilësuar ato “idiote”. Ai shprehu keqardhje për familjen dhe relativizoi pretendimet e SPAK.
“Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion,” theksoi Veliaj.
Më tej ai tha se i vinte keq që sipërmarrësit u përfshinë në këtë çështje vetëm se “sponsorizuan aktivitete kulturore”.
Erion Veliaj e nisi karrierën politike në fillim të viteve 2000 si aktivist i organizatës “Mjaft”.
Në vitin 2011 iu bashkua Partisë Socialiste për t’u bërë dy vite më pas deputet i Gjirokastrës. Më tej mori detyrën e ministrit të Mirëqenies Sociale. Këtë post e mbajti deri në vitin 2015 kur kandidoi suksesshëm për kryetar të Bashkisë Tiranë.
Por gjatë kësaj kohe në politikë figura e Veliajt është shoqëruar me akuza të shumta publike.
Në vitin 2014 televizioni Agon Channel pretendoi kërcënime nga Veliaj. Pretendimi lidhej me dyshimet se ai dhe Xoxa bënë dasmën në kalanë e Gjirokastrës në shkelje.
Dy vite më vonë vdekja tragjike e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës trazoi akuza të tjera. Veliaj e kishte promovuar landfillin si vend të sigurt pune, por rezultoi se aktiviteti zhvillohej në të zezë.
Gazetarët Alida Tota (A1) dhe Artan Rama (Vizion+) u hoqën nga puna pasi hulumtuan mbi këtë çështje. Mediat ku ata punonin dyshohet se u vunë nën trysni politike.
Me mbështetje nga qeveria, Veliaj propozoi shembjen e Teatrit Kombëtar në favor të një projekti të ri. Skema përkrahte kompaninë “Fusha shpk” që përfitonte leje për një kullë nëse merrte përsipër ndërtimin.
Teatri u shemb në mes të pandemisë në maj 2020 pavarësisht protestave nga artistë dhe qytetarë të angazhuar.
Koncesioni i landfillit të Sharrës, njohur si “Inceneratori,” është tjetër çështje me akuza ndaj Veliajt. Kjo pasi ai rezulton si personi që e rekomandoi projektin.
Landfilli nuk pati kurrë djegës, por koncesioni mori pagesa të vazhdueshme a thua investimi ishte kryer. SPAK ka hetuar disa persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është akuzuar për përfitime të paligjshme.
Në vitin 2024, SPAK i arrestoi disa vartës Veliajt pas hetimeve për atë që u njoh si “Çështja 5D”. Drejtorë si Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha u akuzuan për abuzim me tenderë, korrupsion dhe pastrim parash.
Hetimet zbuluan se ata përdorën kompaninë “5D Konstruksion” si mbulesë për të përfituar nga të paktën 12 tenderë.
Fillimisht, Veliaj mohoi ekzistencën e kësaj çështjeje, veçanërisht gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Por më pas ndryshoi qëndrim, duke hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke mohuar përfshirjen e tij.
Abuzimet me projektet e rindërtimit dhe hapja pa kriter e shesheve të reja për kulla në Tiranë janë akuzat e tjera ndaj Veliajt.
*Lajmi u përditësua me reagimin e Veliajt dhe kontekstin e përfshirjes në hetim të deputetes Bushka.
Lexo gjithashtu:
- Saga e Terminalit në Kamëz që po ndërtohet pa leje të zbardhur
- Mësimi me turne, epokë që nuk mbaron në Tiranë pavarësisht premtimeve
- Bashkia Tiranë mbjell pemë dhe gënjeshtra

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.