Citizens.al

Dorëheqjet në Këshillin Drejtues përshkallëzojnë krizën në RTSH

Ilustrim nga hyrja e RTSH/Google

Dorëheqja e dy prej anëtarëve të Këshillit Drejtues si dhe thirrja publike për t’u tërhequr nga gara ndaj një prej kandidatëve për t’u emëruar Drejtor ka përshkallëzuar më tej krizën në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH).

Nënkryetari i Këshillit, Gëzim Podgorica dhe anëtari Genc Përmeti paraqitën të enjten dorëheqjet. Largimi i tyre, i konfirmuar edhe për mediat, erdhi tre ditë pas ballafaqimit në Kuvend mbi kontestimet sa i përket procesit të ndjekur në shqyrtimin e kandidaturave për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.

Ballafaqimi ekspozoi qasjen jo-transparente të menaxhimit të radiotelevizionit publik.

Qëndrimet e anëtarëve dhe kryetarit Leka Bungo në Kuvend përballë Komisionit të Medias përforcuan dyshimet serioze për shpërdorime fondesh, konflikte interesash apo dhe shkelje ligjore, për të cilat Komisioni kërkoi që të viheshin në analizë.

Çfarë parashikon statuti, ligji dhe procedurat për RTSH-në?

Sipas ligjit “Për mediat audiovizive” dhe “Statutit të RTSH-së”, Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i institucionit, me kompetenca të gjera për drejtimin strategjik dhe emërimin e drejtuesve ekzekutivë.

Ai përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi dhe përfaqësojnë një gamë të gjerë ekspertizash në fushën e medias dhe komunikimit.

Pas largimit të Podgoricës dhe Përmetit, Këshilli tashmë përbëhet nga 9 anëtarë: Leka Bungo (Kryetari), Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.

Ligji parashikon që në situata të jashtëzakonshme, si kjo ku ndodhet aktualisht RTSH-ja, për një vendimmarrje të vlefshme në emërimin e Drejtorit të ri, Këshilli duhet të plotësojë së paku kuorumin prej 7 anëtarësh dhe kushtin e shumicës së cilësuar, 8 vota në favor të një kandidati.

Nëse asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë, mund të zhvillohen deri në 5 raunde votimi, ku në raundet e mëvonshme kërkohet një shumicë e thjeshtë, pra të paktën 6 vota.

Situata aktuale me dy anëtarë të dorëhequr dhe Kryetarin e Këshillit, Leka Bungo, që ka shprehur hapur votën kundër Drejtoreshës së Komanduar, Aurora Polos, vë në diskutim legjitimitetin e procedurës.

Në një letër të botuar në media, të hënën, Bugno iu drejtua Polos duke kërkuar që ajo të tërhiqet nga gara pasi “nuk plotëson kushtet e formimit dhe përvojës profesionale në media”. Ai argumenton se kandidatura e saj mund të krijojë përplasje dhe problematika të mëtejshme për RTSH-në.

Kuvendi duhet të ndërhyjë për të garantuar procesin

Ligji përcakton se në rast vakancash, Këshilli Drejtues është i detyruar të njoftojë menjëherë Kuvendin për të nisur procedurën e zëvendësimit të anëtarëve të larguar.

Sipas Nenit 103 të ligjit “Për mediat audiovizive”, Kuvendi duhet të shpallë një thirrje për kandidatë të rinj, duke siguruar përzgjedhjen përmes një procesi transparent dhe në përputhje me kriteret ligjore.

Në kushtet aktuale, është e domosdoshme që Kuvendi të ndërhyjë pa vonesa për të garantuar që Këshilli Drejtues të rikthehet në përbërjen e tij të plotë, çka do të hiqte mëdyshjet rreth ndikimeve, apo garë të paracaktuar.

Kjo vendimmarrje do të siguronte që zgjedhja e Drejtorit të ri të mos përballet me sfida ligjore apo përplasje të reja politike.

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri nisi me 10 kandidatë, por vetëm dy mbetën në garë pas s’kualifikimit të të tjerëve nga Këshilli.

Në garë u paraqitën Aurora Polo, Eni Vasili, Enrik Mehmeti, Ermal Hoxha, Flamur Buçрарај, Floriana Paskali, Harilla Koçi, Jetmir Shpuza, Kliton Rama, Laureta Roshi.

Vetëm Polo dhe Shpuza u konfirmuan si kandidatë teksa pjesa tjetër u hoq nga gara për “mangësi në dosjet e aplikimit” ose në sajë të votimeve kundër “të shumicës së anëtarëve të Këshillit”. Pas kësaj vendimmarrje çështja përfundoi në një ballafaqim në Komisionin Parlamentar të Medias.

RTSH ndodhet në krizë administrimi që prej shtatorit 2024 pas dorëheqjes së drejtorit, ish-deputet i Partisë Socialiste, Alfred Peza. Ky u tërhoq nga drejtimi pas shumë kontestimesh për largime arbitrare nga puna.

Aktualisht RTSH drejtohet nga Polo, e cila u propozua për zëvendësdrejtore nga Peza.

Për më shumë se dhjetë vite ajo ka kontribuuar në sektorin e energjetikës në institucione qeveritare, apo ndërmarrje publike si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW