Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nisi sot dëgjesat individuale për 9 nga 11 anëtarët e mbetur të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Ky proces vjen pas vendimit të një dite më parë të Komisionit për të nisur procedurat e shkrirjes së këtij Këshilli, si pasojë e shkeljeve ligjore të konstatuara.
“Me vendimmarrje unanime, Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ka nisur nga sot procedurën e shkarkimit të nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së,” deklaroi kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, në përfundim të mbledhjes të së hënës.
Gjatë leximit të një raporti të miratuar unanimisht nga anëtarët e mazhorancës dhe opozitës, Zhupa renditi një sërë shkeljesh ligjore dhe parregullsish të kryera në mënyrë të përsëritur nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.
“Anëtarët e këtij Këshilli janë gjetur në mënyrë të herë-pas-hershme në gjendje ose të flagrancës së shkeljes së ligjit ose të konfliktit të interesit,” u shpreh Zhupa, e cila përfaqëson Partinë Demokratike.
Mes shkeljeve të evidentuara, Komisioni përmendi procesin e parregullt të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, mungesën e fshehtësisë së votës, mungesën e një rregulloreje për përzgjedhjen e drejtuesve të RTSH-së dhe anashkalimin e kërkesës së dokumentimit të pastërtisë së figurës për kandidatët për drejtor.
Këto parregullsi janë denoncuar më herët edhe nga opozita.
“Na rezulton se Këshilli i ka bërë këto shkelje edhe më përpara në rastin e zgjedhjes së më përparshme të Drejtorit të RTSH-së, zotit Peza,” vijoi Zhupa.
Sipas saj, edhe shpallja e garës për Drejtor të Përgjthshëm ka ardhur me vonesë.
“Ky pozicion është vakant që nga data 6 shtator dhe sot jemi në datë 10 shkurt,” theksoi Kryetarja e Komisionit.
Nënkryetarja, Evis Kushi, e cila përfaqëson Partinë Socialiste, mbështeti parashtrimet e Zhupës dhe deklaroi se shkeljet e fundit proceduriale për zgjedhjen e Drejtorit ishin “pika e fundit që derdhi gotën”.
“Tashmë nuk ka asnjë diksutim që Këshilli nuk i ka përmbushur detyrimet funksionale dhe ka shkelur ligjin, ka shkelur statutin, ka shkelur Kodin e Etikës, pra të gjithë kuadrin ligjor dh në mënyrë të përsëritur,” deklaroi Kushi.
Procedurat e shkarkimit pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa Komisioni do të shqyrtojë më tej hapat e nevojshëm për reformimin e strukturave drejtuese të RTSH-së.
Këshilli drejtues i RTSH-së mbeti me 9 anëtar pas dorëheqjeve të nënkryetarit Gëzim Podgorica dhe anëtarit Genc Përmeti të enjten.
Organizatat e medias thirrje për proces transparent
Rrjeti për Gazetarët e Sigurt (Safe Journalists) bëri thirrje për respektimin e plotë të ligjit, ruajtjen e integritetit dhe përgjegjshmërisë, si dhe për një reformë të thellë të RTSH-së.
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) në një deklaratë publike e mirëpriti votën unanime të Komisionit të Edukimit për të shkarkuar Këshillin Drejtues të RTSH-së dhe nënvizoi nevojën urgjente për një reformë më të gjerë në RTSH, për të forcuar rolin e transmetuesit si një media e mirëfilltë e shërbimit publik.
“Kërkojmë që procesi i shkarkimit, zgjedhja e një komiteti të ri drejtues dhe më pas një drejtor të ri të përgjithshëm, të respektojnë plotësisht procesin e duhur dhe të ndjekin rreptësisht ligjin”, shprehet SCiDEV në deklaratën publike.
Në një analizë të të gjithë procesit të zgjedhjes së drejtuesit të RTSH-së, SCiDEV rendit të gjitha parregullsitë, ndërsa bën thirrje për një proces të rregull dhe transparent.
“Procesi i shkarkimit duhet të ruajë drejtësinë dhe transparencën, me angazhim kuptimplotë të shoqërisë civile dhe palëve përkatëse të interesuara në çdo hap”, thuhet në deklaratën e SCiDEV.
Ndërsa përmbyll se mbetet me shpresë se “RTSH do të dalë me struktura më të forta qeverisëse, duke përforcuar parimin se media publike i përket publikut dhe duhet të funksionojë në mënyrë transparente, të ligjshme dhe në interes të publikut”.
Njëjtë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e mirëpriti dakordësinë e politikës për të nisur procedurat për shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
“I bëjmë thirrje mazhorancës dhe opozitës parlamentare që të ndjekin një proces transparent për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues,” u shpreh Asociacioni në një deklaratë.
Gjithashtu, u theksua nevoja për të përshpejtuar procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
RTSH ndodhet në krizë administrimi që prej shtatorit 2024, pas dorëheqjes së drejtorit Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste. Peza u dorëhoq pas akuzave për largime arbitrare nga punat.
Presioni i Kuvendit ndaj Këshillit Drejtues të RTSH-së u rrit pas skualifikimit nga gara për Drejtor të Përgjithshëm të tetë nga dhjetë kandidatë që shfaqën interes në janar me argumentin se “nuk plotësonin kriteret dhe kishin mangësi në dosjet e aplikimit”.
Në garën fillestare morën pjesë dhjetë kandidatë: Harilla Koçi, Jetmir Shpuza, Enrik Mehmeti, Floriana Paskali, Eni Vaili, Ermal Hoxha, Aurora Polo, Kliton Rama, Flamur Buçpapaj dhe Laureta Roshi.
Pas skualifikimit të shumicës, gara u reduktua në dy emra: Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Aktualisht, RTSH drejtohet nga Aurora Polo, e cila më parë ishte propozuar si zëvendësdrejtore nga Alfred Peza.
Zgjedhjet rrezikojnë zgjatjen e krizës në RTSH
Procesi i nisur nga Kuvendi vë nën një tjetër trysni RTSH-në pasi rrezikohet që të shtyjë më tej zgjedhje ne drejtorit të ri.
Procedura kërkon që anëtarët aktualë të dëgjohen dhe vihen përballë pretendimeve të konstatuara nga Komisioni Parlamentar.
Në rast se do të vendoset për t’i shkarkuar të gjithë anëtarët e mbetur, procesi i plotësimit të Këshillit kërkon që Kuvendi të shpallë thirrjet publike për kandidatura duke vendosur një afat të drejtë për pritjen e tyre, – përgjithësisht 20 deri në 30 ditë.
Kandidaturat më pas duhet të vlerësohen dhe kalohen për votim në një seancë plenare në Kuvend ku kërkohet shumicë e cilësuar (84 vota).
Në këtë mënyrë duket se për të plotësuar Këshillin do të duhen së paku dy muaj, mirëpo edhe nëse dakordësia aktuale mes mazhorancës dhe opozitës vijon koha nuk premton shumë për ta mbyllur plotësimin e Këshillit para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Nëse procesi nuk përfundon në kohë, detyra mund t’i kalojë legjislaturës së re pas zgjedhjeve, duke shtyrë më tej zgjidhjen e krizës në RTSH.
Mungesa e një Këshilli, me minimumin e 8 anëtarëve, do të diktonte shtyrjen më tej të procesit të emërimit të drejtorit të ri të RTSH-së duke zgjatur periudhën e drejtimit të Aurora Polos.
Lexo gjithashtu:
- Alfred Peza dorëhiqet nga drejtimi i RTSH-së, një vit pas zgjedhjes së kontestuar
- Gara për drejtuesin e RTSH-së në mungesë transparence dhe shkelje statuti
- Përplasjet për emërimin e drejtorit ekspozojnë mungesën e transparencës në RTSH
- Dorëheqjet në Këshillin Drejtues përshkallëzojnë krizën në RTSH

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).