Citizens.al

Pazari i Vjetër i Tiranës: Në zgrip të së vërtetës

Gjatë prezantimit të librit "Pazari i Vjetër i Tiranës në zgrip të së vërtetës"/Facebook.

Më 6 shkurt, në ambientet e librarisë “Valentin” në Tiranë, u prezantua botimi “Pazari i Vjetër: Në zgrip të së vërtetës”. Ky libërth është rezultat i një pune të përbashkët nga tre autorët, Anna Shkreli, Alen Bejko dhe Arba Baxhaku, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL).

“Më shumë sesa një histori urbanistike, është edhe një histori politike! Në relacionet e viteve 1954-1959, jepen arsyet që çuan në prishjen e Pazarit të Tiranës, dhe nuk është e vështirë të hiqen paralele me retorikën politike të sotme për fatin e ngjashëm të shumë objekteve në qytet,” tha autorja, Anna Shkreli, në nisje të takimit.

Historia e Pazarit të Vjetër

Pazari i Vjetër i Tiranës, i themeluar në fillim të shekullit të 17-të me rrënjë osmane, përbënte një nga elementët më të rëndësishëm të historisë së qytetit.

Pazari i Vjetër i Tiranës në vitin 1913/Albert Khan.

Atmosfera e tij është dokumentuar në shumë punime, si pikturat e Sheshit nga Lekë Tasi, vepra “Pazari” e arkitektit Gani Strazimiri, dhe shkrimet e gazetarit Vehbi Skënderi.

Shkreli e cilësoi Pazarin si një ndër faktorët kyç në ardhjen e jetës moderne shoqërore shqiptare.

“Pazari ishte një pikë referimi, shpesh edhe kafenetë e vogla shërbenin për fejesa apo për ritualet e përditshme,” theksoi Shkreli.

Transformimet historike

Në esenë e tij, studiuesi Alen Bejko e analizon historinë moderne të Shqipërisë në tri etapa modernizuese: periudha e Republikës së Parë dhe Monarkisë (1922–1939), periudha e pushtimit italian (1939–1943) dhe periudha totalitare e pasluftës.

“Me ardhjen e regjimit zogist, u shfaq një dëshirë për të larguar Pazarin dhe për të përqendruar funksionet administrative në qendër. Megjithatë, nuk pati një zhvendosje të plotë, por u larguan fillimisht dyqanet e kasapëve,” shpjegoi Bejko.

Nga ana tjetër, administrata italiane e shihte Pazarin e Vjetër si të pamjaftueshëm për të përmbushur rolin e tregut qendror të qytetit, në përputhje me planet e saj për zhvillimin e Tiranës drejt, – asokohe, – aeroportit të Laprakës dhe ndërtimin e lagjes së re që më vonë do të quhej “Tirana e Re”.

Autorët Anna Shkreli, Alen Bejko dhe Arba Baxhaku gjatë prezantimit të librit.

“Në periudhën fashiste, për herë të parë, vendoset që qendra administrative do të mbetej në zonën e qendrës, ndërsa Pazari do të zhdukej për të krijuar një qytet me disa pole,” vijoi Bejko.

Planet italiane mbetën përgjysmë, por periudha diktatoriale e pasluftës vazhdoi me një qasje të ngjashme të imponimit politik ku territori u trajtua me një peshë të madhe ideologjike.

Në këtë kontekst, planet për prishjen e Pazarit datojnë vitin 1954, kur në një skicë të planit rregullues të Tiranës, Ministri i Industrisë dhe Ndërtimit, Spiro Koleka, shkruante se “Pallati i Qeverisë do të ngrihej mbi territorin e Pazarit të Vjetër”.

Më 19 dhjetor 1959, Pazari i Vjetër u shemb, duke i hapur rrugë ndërtimit të Pallatit të Kulturës.

Gjurma e Pazarit të Vjetër në Sheshin Skënderbej sipas rilevimit 1959/AQTN.

“Pallati i Kulturës është antiteza e përsosur: në vend të orientalizmit, ndotjes dhe së kaluarës osmane, ku rrinin ‘matrapazët’, ‘ish-ballistët’, ‘ish-bejlerët’, pra armiqtë e regjimit, ngrihet një monument gjigant i kushtuar kulturës, më i lartë se minarja e Et’hem Beut, një manifestim i supremacisë së socializmit ndaj së shkuarës,” përmbylli Bejko në prezantim.

Pallati i Kulturës u projektua nga specialistë të Bashkimit Sovjetik. Nisi të ndërtohej në vitin 1959. Përurimi i punimeve u bë me prezencën e ish-Presidentit Sovjetik Nikita Hrushov.

Ai u përfundua në vitin 1963 nga një grup arkitektësh shqipëtarë pas prishjes së marrëdhënies mes dy shteteve.

Arkitektura e shpërbërjes

“Harresa që vjen nga shkatërrimi fizik i një objekti është pjesë e memories, pasi kujtesa nuk ekziston pa harresën, kështu që ne e rikrijojmë nga e para memorien përmes gjurmëve që na lë shkatërrimi,” u shpreh arkitektja Arba Baxhaku gjatë prezantimit.

Sipas saj, tipologjia e Pazarit të Vjetër të Tiranës ishte e ngjashme me pazaret otomane të rajonit ballkanik, të cilët në një mënyrë apo tjetër kanë pasur fate të ngjashme.

Kjo arkitekturë e zhdukur mund të mishërohet në forma të tjera. Sipas Baxhakut, një shembull i tillë është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili, si “një parazit”, e ka përthithur jetën social-kulturore të Pazarit dhe e ka shtrirë nëpër Tiranë, duke e bërë Pazarin të zhduket nën hijen e tij.

Pallati i Kulturës, gjatë vitit 1978/Flickr.

Para ndërtimit të bulevardit, pati edhe përpjekje të tjera për transformim, si “Rruga e Barrikadave”, e ndërtuar gjatë planifikimeve të para të Tiranës në periudhën e Zogut.

“Pazari i Ri, që ne e njohim dhe jetojmë sot, është një degëzim i paprerë i Pazarit të Vjetër,” analizoi Baxhaku.

Ajo thekson se, pavarësisht zhdukjes dhe kafshimeve graduale të Pazarit, përgjatë dekadave ka pasur rezistencë nga ekspertët, zejtarët dhe artizanët, të cilët kanë gjetur zgjidhje alternative.

Si shembull të këtij rasti Baxhaku përmendi jorganpunuesin Bajram Çela, i cili e transferoi zanatin e tij në shtëpi, duke e ushtruar atë “në të zezë” si një formë proteste kundër zhdukjes së traditës.

Libri i “Pazari i Vjetër i Tiranës” autorëve Anna Shkreli, Alen Bejko dhe Arba Baxhaku.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW