Dhjetëra qytetarë dhe mbështetës të “Lëvizjes Bashkë” protestuan pasditen e së mërkurës para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Me thirrjet: “Kullat me lekë droge, populli me gjysmë rroge,” apo “Makina, bizhu, hotele private, 500 milionë, spitalet pa ilaçe!” protestuesit kërkuan përgjegjësi nga Kryeministri Rama.
Ata vendosën me projektor në fasadën e Kryeministrisë një thirrje fyese “Fu%# You” duke replikuar një moment të Kryeministrit, i cili në një lidhje Live! të martën shfryu me të tillë shprehje pas shkëputjes së internetit. Gjithashtu thirrje të tjera, si për shembull “Shko te shokët” si ironi për faktin se shumica e bashkëpunëtorëve të Kryeministrit po hetohen ose burgosen për korrupsion u projektuan në fasadë.
“Edi Rama mblodhi asamblenë e PS-së dhe u vetshpall kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ç’është kjo bela e madhe që e ka zënë Edi Ramën? Krejt ndryshe nga ato ministra dhe zvkryeminstra që përfunduan në qeli apo arrati. Është ndryshe, sepse Veliaj është pjella më e madhe dhe e keqje e Ramës,” tha Redi Muçi, anëtar i Lëvizjes Bashkë.
Është koha të marrim fatin tonë në dorë, është koha që ta marrim vendin tonë në dorë, pasi Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo hajdutëve,” tha Mirela Ruka, anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë.
Protestuesit kërkuan që hetimet të mos ndalen me Veliajn, por të shtrihen edhe mbi çështje të tjera, si skandali i inceneratorëve, lejet e ndërtimeve në kryeqytet, apo dhe në abuzimet e qeverisë me koncesionet dhe ligjin për investimet strategjike.
Kjo është protesta e dytë që organizohet kundër Kryeministrit Edi Rama. Një ditë më parë ishin lëvizjet politike “Shqipëria bëhet” dhe “Nisma Thurje” që kërkuan të njëjtën gjë me një protestë të ngjashme.
Rama kundërshton procesin ndaj Veliajt
Kryeministri Edi Rama vijoi reagimet e tij të ashpra kundër procesit hetimor që po ndiqet ndaj kryebashkiakut Veliaj, i cili u arrestua nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit mesditën e 10 shkurtit.
Rama doli hapur në mbrojtje të Veliajt duke sulmuar indirekt pa i përmendur emrin gjyqtarin Erjon Bani, i cili i aprovoi kërkesën BKH-së për arrestimin.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama, e cilësoi si “ekstremist të djathtë,” duke akuzuar se “ka axhendë politike kundër qeverisë”.
“Ta përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Kur them politikë është kjo: Meqë njërin po e lëmë në ballkon [Berishën], të kapim 3 nga këta të tjerët [të PS-së],” tha Rama.
“E të mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se kanë mbledhur telefonat e gjithë Shqipërisë! Të shkojnë e të merren me faktet,” deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.
Një ditë më parë, Rama zhvilloi dy takime në Bashkinë Tiranë e më tej gjatë një aktiviteti për 105-vjetorin e shpalljes kryeqytet theksoi se do të kandidonte për deputet në Tiranë.
Akuzat ndaj Veliajt
Veliaj dhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash.
Ai ka mohuar akuzat në të paktën dy reagime në rrjetet sociale, në të cilat ka sulmuar prokurorin e çështjes Ols Dado, të cilin e ka quajtur “pervers të korruptuar”.
Ndërkohë, ditën e sotme, gjatë marrjes në pyetje nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), mbështetës të tij u mblodhën para godinës së institucionit, duke bllokuar hyrjen për disa orë.
Sipas hetimeve të udhëhequra nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani, çifti Veliaj-Xoxa, dyshohet se janë përfshirë në një skemë korrupsioni në të paktën dhjetë raste, duke përfituar rreth 1.1 milionë euro nga fondet publike përmes disa kompanive private dhe organizatave joqeveritare.
Paralelisht, hetimet janë shtrirë edhe ndaj gjashtë biznesmenëve të njohur: Elman Abule (Rametal shpk), Gentian Sula (Agi Kons shpk), Meriman Palushi (Palushi shpk), Fatmir Bektashi (Kontakt shpk), Sokol Kryeziu (Gerard-A shpk) dhe Shkëlqim Fusha (Fusha shpk).
Ata dyshohen se përfituan tenderë dhe leje ndërtimi duke qarkulluar para në organizatat jofitimprurëse të kontrolluara nga Xoxa.
Lexo gjithashtu:
- Akuzat që sollën arrestimin e Erion Veliajt
- Arrestimi i Veliajt nxit protesta: Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.