Dhjetëra qytetarë iu bashkuan sot thirrjeve në rrjetet sociale për një tubim solidarizues ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), gjykata e së cilës konfirmoi dje masën e arrestit me burg ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i vënë nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.
“Eja dhe shkruaj një mesazh mbështetës SPAK-ut” ishte thirrja që bashkoi qytetarët në këtë tubim ku në një banderolë me mbishkrimin “Faleminderit!” u shkruan dhjetëra fjalë mbështetëse.
“Ky është momenti për të mbështetur SPAK-un, dhe dua t’u them që nuk jeni vetëm, padyshim që keni përballë kriminelët, të korruptuarit, por keni prapa qytetarët shqiptarë që ju mbështesin,” tha Endri Shabani, nga “Nisma Thurje”.
“Jemi këtu në mënyrë simbolike për t’u dhënë kurajo çdo njeriu të ligjit, që shoqëria nuk ju lë vetëm, dhe jemi këtu për t’u dhënë një duartrokitje,” Adriatik Lapaj, nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
“Normalisht nuk do të duhej të kishte protestë në mbështetje, sepse drejtësia është e pavarur, por këtu ka një sulm frontal që i bëhet nga politika,” u shpreh Pano Soko, gjithashtu nga “Nisma Thurje”, i cili theksoi se Kryeministri Rama iu bashkua sulmeve të bëra edhe më parë nga opozita.
Për herë të parë pas rreth tre dekadash, qytetarët shqiptarë shprehën publikisht mbështetjen ndaj drejtësisë, duke e konsideruar këtë moment si një kthesë të rëndësishme në luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.
Thirrja për një grumbullim qytetar u bë të mërkurën në rrjetet sociale nga faqja “Lolita” njohur dhe si “Lol Albania”.
Qëllimi ishte për një formë reagimi për të treguar solidaritet me SPAK-un dhe për të refuzuar presionet politike ndaj tij.
Kjo lëvizje e rrallë qytetare vjen pas një historie të gjatë zhgënjimi me sistemin e drejtësisë, i cili ka dështuar për dekada të tëra të ndëshkojë politikanët e akuzuar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Tubimet në kontrast
Një ditë më parë, përpara SPAK-ut u mblodhën punonjës të administratës dhe përkrahës të Partisë Socialiste, të cilët organizuan një tubim në mbështetje të Veliajt.
Ata bënë thirrje për lirimin e tij teksa e quajtën arrestimin të motivuar politikisht dhe në shkelje të procedurave. Arrestimi i Veliajt, më 10 shkurt, u shoqërua me akuza dhe presione ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani.
Veliaj u arrestua mesditën e së hënës teksa ishte në detyrë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se përmes një skeme korruptive përfituan nga fondet publike rreth 1.1 milionë euro.
SPAK dyshon se të paktën gjashtë sipërmarrës qarkulluan në favor të Veliajt para në llogaritë e organizatave jofitimprurëse të Xoxës në këmbim të dhënies së tenderëve apo lejeve të ndërtimit kompanive të tyre.
Për këtë SPAK ka ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash ndërsa ka sekuestruar llogaritë bankare të çiftit Veliaj-Xoxa si dhe një vilë në Qerret të Kavajës.
Veliaj i cilësoi akuzat “idiote”, prokurorin e çështjes Dado “pervers” dhe ngriti pretendimin se çështja është me prapavijë politike pasi, sipas tij “ka pasur intimidime dëshmitarësh”.
Më i ashpër u tregua Kryeministri Rama, i cili e konsideroi gjyqtarin Bani “ekstremist të djathtë” me “axhenda kundër qeverisë”.
Këto përpjekje për të delegjitimuar procesin ligjor ngjallën shqetësimin e qytetarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjeve për tubim solidarizues ndaj SPAK-ut pasi i shohin zhvillimet e fundit si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së institucioneve të reja të drejtësisë.
Por, ky mobilizim qytetar sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në perceptimin publik ndaj reformës në drejtësi. Nëse më parë SPAK-u shihej me skepticizëm, sot po mbështetet hapur si një shpresë për ndërtimin e një shteti të së drejtës.
Lexo gjithashtu:
- Akuzat që sollën arrestimin e Erion Veliajt
- Arrestimi i Veliajt nxit protesta: Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.