Citizens.al

GJKKO: Policia nuk i mbrojti gjyqtarët nga protestuesit pro-Veliaj

Tubimi pro Veliajt në SPAK/LSA.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e ka cilësuar si të paprecedentë mungesën e reagimit nga Policia e Shtetit gjatë tubimit të së mërkurës, ku mbështetësit e Partisë Socialiste, bllokuan hyrjen me brohoritje në pritje të masës së sigurisë për kryetarin e Bashksië Tiranë Erion Veliaj.

Përmes një njoftimi për shtyp, të premten, Gjykata e Posaçme tha se tubimi përshkallëzoi në një situatë të rrezikshme për gjyqtarët dhe administratën. Gjykata i ka kërkuar llogari Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Përmes një kërkese zyrtare, drejtuar të enjten, datë 13 shkurt, institucioni kërkon shpjegime pse nuk u ndoqën të njëjtat procedura sigurie si në protesta të tjera dhe cilat masa do të merren për të shmangur një situatë të ngjashme në të ardhmen.

Më 12 shkurt, ndërsa brenda gjykatës zhvillohej seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për Veliajn, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe pesë sipërmarrësit Elman Abule, Fatmir Bektashi, Gentjan Sula, Meriman Palushi dhe Shkelqim Fusha.

Në dyert e gjykatës, mbështetësit e Veliajt, të thirrur nga Partia Socialiste, bllokuan hyrjen nën thirrjet “O Lali! O flori, të duam në Bashki!”.

Më herët, me reagimet dhe thirrjet e tyre publike, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kishin shënjestruar me etiketime përçmuese prokurorin Ols Dado dhe gjykatësin Erion Bani. Gjuhë e cila u reflektua edhe nga pjesëmarrësit gjatë tubimit.

GJKKO thotë se gardistët, të cilët kanë për detyrë mbrojtjen e perimetrit të brendshëm, kërkuan ndihmën e policisë për të siguruar ambientet e jashtme, një praktikë e ndjekur më parë në protesta të tjera, por kësaj radhe, ndihma nuk erdhi.

Gjykata thekson se i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera duke e bërë të qartë se mungesa e ndërhyrjes së policisë përbënte rrezik serioz jo vetëm për sigurinë fizike të gjyqtarëve, por edhe për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në vend.

Sipas njoftimit, jo vetëm që protestuesit penguan daljen e gjyqtarëve nga ambientet e gjykatës, por disa prej tyre sulmuan automjetet, duke i goditur dhe adresuar fyerje.

Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi motivet e këtij qëndrimi të Policisë së Shtetit pasi protesta të ngjashme kanë parë angazhim dhe gatishmëri të dukshme nga forcat e rendit.

Ishte neglizhencë burokratike, moskoordinim institucional apo një qëndrim politik, këtë duhet ta sqarojë tashmë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Për ironi, të martën policia procedoi 8 persona në gjendje të lirë për “prishje të qetësisë publike” pasi festuan arrestimin e Veliajt.

Ndërkohë në tubimin sensibilizues ndaj punës së SPAK, që u zhvillua të enjten, pavarësisht se kishte pjesëmarrje të vogël në numër dhe qëllimi i organizimit ishte paqësor e aspak pengues për punën e gjykatës, forca të policisë ishin prezent.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW