Citizens.al

Kuvendi shkarkon Këshillin Drejtues të RTSH-së

Ilustrim, nga hyrja e RTSH-së/Citizens.al

Kuvendi vendosi sot të shkarkojë nga detyra anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Ky vendim erdhi pas një periudhe të gjatë tensionesh dhe akuzash për shkelje ligjore dhe mungesë transparence në menaxhimin e institucionit.

Me përjashtim të Mevlan Shanajt, i cili u shkarkua me 64 vota, të gjithë anëtarët u shkarkuan me shumicë të cilësuar, duke përfshirë konsensusin e dy partive kryesore politike.

Shkarkimi u propozua unanimisht nga Komisioni Parlamentar i Medias, i cili zhvilloi disa seanca dëgjimore me anëtarët e Këshillit pas shkeljeve që u konstatuan në garën e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së.

Procedura e shkarkimit

Më 11 shkurt, Komisioni i Medias nisi dëgjesat individuale me 9 nga 11 anëtarët e mbetur të Këshillit Drejtues, pasi dy prej tyre, Genc Përmeti dhe Gëzim Podgorica, patën deklaruar dorëheqjen një javë më parë.

Pas analizës së këtyre seancave, Komisioni miratoi unanimisht propozimin për shkarkimin e Këshillit, duke argumentuar se anëtarët e tij kishin kryer shkelje të rënda ligjore dhe kishin vepruar në konflikt interesi.

Komisioni më pas i kaloi në rendin e ditës së Kuvendit projektvendimet e ndara për shkarkimin e Leka Bungos, Albert Mingës, Ardita Reçit, Dionis Papadhimitrit, Edmond Tullumanit, Engjëll Ndocajt, Ilir Kekos, Mevlan Shanajt dhe Milena Selimit.

Shkeljet e evidentuara

Komisioni Parlamentar i Medias listoi disa shkelje që sipas përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës justifikonin shkarkimin.

Sipas tyre procesi i zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së u krye në parregullsi.

Vonesë e pashpjeguar në hapjen e garës. Nuk pati votë të fshehtë në përzgjedhjen apo vlerësimin e kandidatëve teksa Këshilli veproi pa një rregullore të qartë për procesin. Ndërkohë kandidatëve nuk iu kërkua dokument për pastërtinë e figurës.

Përzgjedhja e vetëm dy prej dhjetë kandidatëve të paraqitur për Drejtor të Përgjithshëm nuk mori shpjegime të qarta në Komision.

Kandidatët e lejuar në fazën finale ishin Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo, e cila aktualisht drejton RTSH-në si e komanduar.

Reagimet dhe kundërshtimet

Anëtarja e shkarkuar e Këshillit Drejtues, Ardita Reçi, pati kundërshtuar vendimin, duke theksuar se një shkarkim në bllok ishte i padrejtë. Sipas Reçit në asnjë ligj nuk parashikohet shkarkimi kolektiv, duke e konsideruar një rast flagrant.

Duke folur për Citizens.al ajo argumentoi se kishte denoncuar vazhdimisht parregullsitë brenda institucionit dhe se kishte kundërshtuar vendimet e marra më herët nga ish-drejtori Alfred Peza, veçanërisht mbi abuzimet e pretenduara me fondet e Festivalit të fundvitit 2023 dhe largimet arbitrare nga puna.

“Jam e vetmja anëtare që kam evidentuar dyshimet për abuzime dhe kam kërkuar shkarkimin e ish-drejtorit Alfred Peza,” theksoi Reçi, sipas së cilës procesi i zgjedhjes së Drejtorit të ri ishte me shkelje të rënda.

Reçi tregoi se pretendimet e saj rreth shkeljeve ia kishte paraqitur edhe Këshillit.

RTSH në krizë të thellë

RTSH ndodhet në krizë administrimi që prej shtatorit 2024, pas dorëheqjes së Alfred Pezës, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Me shkarkimin e Këshillit Drejtues tanimë nuk ka mundësi për vendimmarrje rreth çështjeve kyçe të institucionit, përfshirë miratimin e buxhetit dhe pagesën e punonjësve pas 31 marsit.

Për të plotësuar Këshillin, Kuvendi duhet të hapë thirrje publike për kandidatura, me një afat të paktën 20 deri në 30 ditë për aplikimet.

Për çdo pozicion vakant duhen tre-katër kandidatura. Ato më pas do të vlerësohen dhe kalojnë për votim në një seancë plenare, ku nevojiten 84 vota për miratimin e tyre.

“Këshilli duhet për çdo veprim në buxhet, strukturë, programacion. Nëse nuk ka Këshill deri më 31 mars nuk kalon buxheti dhe punonjësit mbesin pa paga,” shpjegoi Reçi për Citizens.

Por me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit në horizont, procesi rrezikon të shtyhet, duke lënë RTSH-në në një gjendje të pasigurt institucionale.

Nëse Këshilli i ri nuk konstituohet në kohë, zgjidhja e krizës mund t’i kalojë legjislaturës së ardhshme. Aktualisht, RTSH vazhdon të drejtohet nga Aurora Polo, e cila më parë ishte propozuar si zëvendësdrejtore nga Alfred Peza.

Me vonesat në emërimet e reja, ajo pritet të vazhdojë ta ushtrojë këtë post.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW