Një grup qytetarësh iu bashkuan pasditen e së martës protestës së thirrur para Ministrisë së Shëndetësisë për neglizhencë në trajtimin e 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën një muaj më parë.
Të veshur me të zeza dhe me fotografinë e qeshur të Leos stampuar mbi to, qytetarët dhe familjarët kërkuan përgjegjësi nga ministrja Albana Koçiu.
“Drejtësi për Leon!” apo “12 vjet ëndrra të shuara, kush mban përgjegjësi?”, “Jeta në rrezik, ministria hesht!” ishin disa nga pankartat dhe thirrjet që u drejtuan.
“Prokuroria ka heshtur për 42 ditë! Nuk mund ta falë asnjëherë. Të gjithë duhet ta dëgjojnë si e vranë Leon! I lënë fëmijët të vdesin, kjo është Shqipëria. Unë do të luftoj deri në ditën e fundit për vëllain tim. Ata mjekë enden të lirë, turp t’u vijë!” Anastasia Sadiku, e motra e Leos.
“Unë e solla Leon për ta shëruar në Tiranë, jo për të ma vrarë. Ministria ku është, ku fshihet? Prokurorisë i bëj thirrje të mos neglizhojë rastin! Pres që të përshpejtojë kërkesat dhe të mos fle, se gjysma e shpirtit më ka ikur me Leon tim,” tha Roveta Sadiku, nëna e Leos.
Në protestë ishin të pranishëm për mbështetje edhe prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës 9-vjeçare gjatë një sherri me një moshatar.

Protesta u thirr nga familjarët e Leos, të cilët akuzojnë mjekët për neglizhencë, duke pretenduar se nuk janë kryer analizat dhe kontrollet e nevojshme për t’i shpëtuar jetën.
Si përshkallëzoi shëndeti i 12-vjeçarit
Leo Sadiku u paraqit nga familjarët në Spitalin Rajonal të Korçës më 28 dhjetor 2024 me simptoma gripi. Ai u shtrua për tre netë dhe natën e ndërrimit të viteve u kthye në shtëpi.
Por, një javë më vonë, më 7 janar gjendja e tij u përkeqësua. Leo shfaqi tension dhe glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë, çka e detyroi transferimin me urgjencë në Pediatrinë e QSUT-së në Tiranë. Por fatkeqësisht, më 8 janar, ai ndërroi jetë.
Sipas QSUT-së, shkaku i vdekjes ishte miokarditi akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme me shkallë të lartë vdekshmërie. Spitali Rajonal i Korçës deklaroi se 12-vjeçari është trajtuar me prioritet nga stafi mjekësor.
Hetimet dhe thirrja për protesta
Fillimisht, hetimet për rastin nisën nga Prokuroria e Korçës. Por, meqenëse vdekja ndodhi në Tiranë, dosja i kaloi Prokurorisë së kryeqytetit, e cila vijon ende hetimet për të përcaktuar nëse ka pasur apo jo neglizhencë mjekësore.
Çështja e ndjeshme për mënyrën se si përshkallëzoi shëndeti i 12-vjeçarit nga neglizhenca mjekësore, nxiti reagimin e qytetarëve.
Gazetari, njëherësh aktivist, Osman Stafa, denoncoi një vit më parë abuzimet në spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Teraza në Tiranë. Çështje për të cilën pati hetime dhe një grup mjekësh u shkarkuan nga detyra.
Në një reagim në rrjetet sociale, Stafa theksoi se protesta e së martës nuk ishte vetëm për Leon, por për të gjitha problemet e vazhdueshme të sistemit shëndetësor. Ai përmendi mungesën e barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Citizens kërkoi komente nga Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT rreth ngjarjes, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati përgjigje.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.