Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) i dha të drejtë Kuvendit duke i lejuar të miratojë projektligjin e ashtuquajtur “Paketa e Maleve”, i kritikuar nga ekspertët si projektligj klientelist dhe konsideruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si me ndikim për zgjedhjet nëse miratohet në këtë periudhë.
“Me shumicë votash u vendos pranimi i pjesshëm i ankimit të Kuvendit,” u shpreh KAS duke shfuqizuar vendimin e datës 11 shkurt të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili e vlerësoi me efekte politike miratimin e këtij projektligji në periudhën para zgjedhjeve.
“[…] miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë përceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale,” argumentoi Celibashi.
Kuvendi e ankimoi vendimin e KQZ-së në KAS duke e argumentuar se nisma nuk krijonte përfitime të drejtëpërdrejta për qytetarët.
Në seancën e sotme para KAS, Drejtoresha e Shërbimit Juridik të Kuvendit, Mimoza Arbi, u shpreh se vendimi i KQZ-së ka një tejkalim kompetencash ligjore dhe cenon ndarjen e pushteteve duke kufizuar të drejtën e Kuvendit për të shqyrtuar projektligje.
“Komisioneri nuk mund të kufizojë kompetencat apo funksionet bazike të Kuvendit të dhëna nga Kushtetua. Rekomanidmet e Komisionerit nuk mund të prevalojnë kompetencat kushtetuese të Kuvendit. Cenohet edhe pavarësia institucionale e nëpërmjet këtij rekomandimi,” theksoi Arbi.
Bashkë me paketën e maleve, KAS i lejoi Kuvendit edhe ndryshimet në skemën e TVSH-së për bujqësinë, pasi nuk shkel rregullat parazgjedhore.
“Paketa e Maleve” është pritur me kundërshti edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës. Ata rendisin mungesën e transparencës, klientelizmin dhe shmangien e procedurave të rregullta ligjore për këtë nismë.
Lexo më shumë:
- “Paketa e Maleve” drejt Kuvendit, ekspertët listojnë parregullsitë e projektligjit
- “Paketa e Maleve”, një tjetër ligj klientelist

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).