Citizens.al

Qëndresa Qytetare kërkesë KQZ-së: Ndaloni takimin e Ramës me administratën

Sheshi Skënderbej duke u përgatitur për eventin dhe Kryeministri Rama/Ilustrim Facebook.

“Qëndresa Qytetare”, një organizatë joqeveritare që promovon transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike, i ka kërkuar sot Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të ndalojë një takim të planifikuar të Kryeministrit Edi Rama me administratën e Bashkisë Tiranë, duke e cilësuar atë si një veprim që bie ndesh me rregullat zgjedhore.

Në media është raportuar për një aktivitet që pritet të mbahet në orën 16:30 në sheshin “Skënderbej” dhe ku i pranishëm do të jetë Kryeministri. Prej mëngjesit sheshi u rrethua dhe përballë një ekrani të madh nisën të vendoseshin karrige.

Sipas kërkesës së dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Qëndresa pretendon se në këtë aktivitet është kërkuar me detyrim pjesëmarrja e punonjësve të bashkisë.

“Çdo drejtori apo institucioni në varësi të bashkisë i është kërkuar të mbajë përgjegjësi për vërtetësinë e numrit të stafit të pranishëm,” citon raportimet e mediave në kërkesën drejtuar KQZ-së Qëndresa Qytetare.

Zyrtarisht në sheshin Skënderbej është lajmëruar zhvillimi i ceremonisë hapëse të titullit “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, që nis në orën 16:00.

Në kërkesën e saj, Qëndresa Qytetare argumenton se aktiviteti duhet të ishte raportuar qartë në KQZ, pasi zhvillohet brenda periudhës katërmujore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor për raportimin e veprimtarive publike të qeverisë.

Megjithatë, sipas dokumenteve të depozituara nga Kryeministria, në datën 20 shkurt janë njoftuar vetëm dy aktivitete zyrtare: inaugurimi i Spitalit të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ceremonia për titullin kulturor të Tiranës.

Aktiviteti i Kryeministrit dhe administratës së bashkisë vjen në një moment delikat politik, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Pas arrestimit të tij, qeveria ka ndërmarrë hapa për të forcuar kontrollin mbi institucionin lokal, duke vendosur Anuela Ristanin si administratore politike. Ndërkohë, Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do ta shkarkojë Veliajn për sa kohë ndaj tij nuk ka vendim fajësie të formës së prerë nga gjykata.

Reagimet për këtë zhvillim mbeten të ndara, ndërsa vëzhguesit politikë e shohin si një sprovë të balancës mes kompetencave qeveritare dhe respektimit të rregullave zgjedhore.

Veliaj u arrestua një javë më parë nën dyshimin se me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa janë përfshirë në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW