Citizens.al

Partitë e reja përballen me pabarazi për financimet

Foto – ilustrim / Logot e partive të reja në zgjedhjet parlamentare 2025

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përveç figurave që kanë dominuar për 35 vite skenën politike, shqiptarët do të kenë në dispozicion edhe alternativa të reja për të votuar.

Partia Socialiste pati një mandat të trysnuar nga çështjet korruptive katër vitet e fundit. Gjashtë ish-kryebashkiakë e dy ish-ministra u vunë para drejtësisë teksa një nga dy ish-zëvendëskryeministrat është në ekzil.

Partia Demokratike u dyzua në opozitë duke u ndarë në të paktën dy parti të tjera. Kryetari historik i saj, i shpallur “non-grata” nga administrata e Presidentit Amerikan Joe Biden, është nën hetim për korrupsion dhe mbetet me detyrimin për t’u paraqitur përpara oficerëve të policisë gjyqësore.

Në Partinë e Lirisë kryetari i saj aktualisht është në paraburgim ndërsa ish-kryetarja nën hetim.

Përballë kësaj situate të zymtë politike në zgjedhjet parlamentare paraqiten të paktën katër parti të reja: “Nisma Thurje”, “Lëvizja Bashkë”, “Shqipëria Bëhet” dhe “Mundësia”.

Partitë e reja përballë sfidave të financimit të fushatës

Fushata elektorale e vitit 2021 ishte më e kushtueshmja në historinë e zgjedhjeve parlamentare demokratike të vendit.

Ajo kushtoi 270 milionë lekë (€2.7 milionë) dhe ishte 76% (€2.05 milionë) më e shtrenjtë se zgjedhjet e vitit 2017. Shkak kryesor u bënë kushtet që diktoi pandemia e COVID-19.

Për fushatën e 11 majit 2025 fondi i parashikuar është sa gjysma e zgjedhjeve të shkuara.

Kuvendi miratoi më 17 shkurt një fond prej €1.5 milionë për zgjedhjet e para që përfshijnë në proces edhe votën e diasporës. Megjithatë, pavarësisht këtij fondi, pabarazia financiare midis partive tradicionale dhe atyre të reja mbetet e dukshme.

“Partitë kryesore kanë disproporcionalitet të lartë mes asaj që deklarojnë dhe asaj që realisht shpenzojnë. Megjithatë, kjo është shumë e vështirë për t’u provuar, pasi në dokumente çdo gjë rezulton e rregullt, ndërsa partitë e reja përballen me kufizime financiare,” analizon për Citizens Blendi Çeka, njohës i politikës dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Sipas tij, fakti që partitë kryesore vazhdojnë të sigurojnë 90% të mandateve tregon se qytetarët nuk e shohin me shqetësim financimin e tyre dhe e kanë pranuar si normë sociale.

“Qytetarët e kuptojnë realitetin, por nuk revoltohen deri në pikën sa të refuzojnë t’i votojnë,” shpjegon Çeka.

Si financohen partitë e reja?

Më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi që çdo parti duhet të paraqesë një listë me 186 kandidatë për deputetë, të ndarë në 12 qarqe.

Nga këta, 46 kandidatë do të jenë në listë të mbyllur, ndërsa 146 në listë të hapur, duke u ofruar votuesve mundësi të zgjedhjes së tyre.

Përfaqësuesit e partive të reja të intervistuar nga Citizens: “Nisma Thurje”, “Mundësia”, “Lëvizja Bashkë” dhe “Shqipëria Bëhet”; konfirmojnë se fushatat e tyre financohen kryesisht nga dhurime të qytetarëve përmes faqeve online.

E vetmja forcë e re që nuk ka nisur ende këtë praktikë është “Mundësia”.

“Deri më tani, burimet financiare kanë qenë kryesisht kontributi i Kryetarit të partisë. Jemi në procesin teknik për të aktivizuar opsionin e donacioneve,” tha për Citizens Agron Shehaj nga “Mundësia”.

Ndërkohë, “Lëvizja Bashkë” deklaron në faqen e saj online se ka mbledhur 375,000 lekë nga 500,000 që synonte për fushatën “3 plus 1”, përmes së cilës ka prezantuar pikat kryesore të programit në disa qytete.

“Në mes të dhjetorit 2024, fondet e mbledhura ishin të mjaftueshme për aktivitetet tona, por sigurisht që janë të pamjaftueshme për një fushatë elektorale,” thotë Xhuliano Bregasi, financieri i “Lëvizjes Bashkë”.

Në faqet e tyre online, “Nisma Thurje” dhe “Mundësia” nuk kanë publikuar shifrat totale të donacioneve të mbledhura. Ndërsa “Shqipëria Bëhet” (deri në fillim të muajit shkurt) raporton 142 donatorë dhe publikimin e tre donatorëve kryesorë që kanë kontribuar me një total prej rreth 24,000 eurosh.

“Diaspora ka luajtur një rol kyç, duke mbuluar kosto të ndryshme, si pagesat e sallave për eventet, akomodimin e ekipit dhe transportin,” shpjegon Agustella Thoma, financiere në “Shqipëria Bëhet”.

Një garë e pabarabartë me partitë e vjetra

Ndër të katër partitë e reja, e vetmja që ka përfituar fonde publike është “Nisma Thurje”, e cila pas zyrtarizimit si parti në vitin 2021, mori 10,216 vota në zgjedhjet e shkuara parlamentare dhe sipas ligjit për partitë përfitoi për tre vite ndihmë financiare.

Në total gjatë kësaj periudhe “Nisma Thurje” përfitoi rreth 18.8 milionë lekë (€188 mijë) ose sa 1.8% e fondit total prej rreth €10 milionë që u shpërndanë në raport me rezultatet nga KQZ gjatë tre viteve të fundit, – PS përfitoi €4.5 milionë, PD €3.1 milionë, LR €467 mijë, PSD €367 mijë etj.

“Ne auditohemi disa herë në vit dhe raportet janë publike. Ndryshe nga partitë tradicionale, aktiviteti ynë elektoral është një pikë uji në oqeanin e shpenzimeve të tyre,” thotë Endri Shabani nga “Nisma Thurje”.

Asnjë nga partitë e reja të marra në vëzhgim nuk ka deklaruar financime nga fondacione të huaja politike.

Përfaqësuesit e tyre theksojnë se transparenca në financimin e fushatave është thelbësore për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve mbi politikën, për të rritur besimin dhe krijuar një ndarje të qartë nga modelet e shkuara të financimit.

Për sa i përket takimeve me diasporën gjatë periudhës shtator 2024-shkurt 2025, “Shqipëria Bëhet” konfirmoi për Citizens 17 takime, “Mundësia” një konventë në Bresica të Italisë dhe brenda muajit Shkurt parashikon edhe një të tillë në Londër, ndërsa “Nisma Thurje” dhe “Lëvizja Bashkë” asnjë takim përtej kufijve.

“Nëse do të kishim më shumë të ardhura, do të kishim mundësi të shkonim në më shumë qytete dhe fshatra, të kishim zyra elektorale më të shumta dhe të ishim më aktivë në reklamim,” thotë Xhuliano Bregasi nga “Lëvizja Bashkë” teksa numëron vetëm tre zyra të lëvizjes në Tiranë, Durrës dhe Fier.

Nga ana tjetër, Endri Shabani nga “Nisma Thurje” e sheh problemin jo si një konkurrencë mes partive të reja, por si një disavantazh të madh përballë partive tradicionale.

“Gara është e padrejtë, sepse përveçse partitë e tranzicionit kanë financime të mëdha, ato para që harxhojnë janë para të taksapaguesve shqiptarë,” thekson Shabani.

Për pedagogun Blendi Çeka për partitë paratë jepen në varësi të performancës në zgjedhjet e shkuara, por që baza kryesore është kontributi që japin qytetarët. Në këtë pikë ai thekson mungesën e kulturës.

“Këtu te ne nuk ekziston si eksperiencë, jemi mësuar që të marrim nga partitë, jo të japim. Është e çuditshme për qytetarët që ti të kontribuosh, nuk flas për biznesin, që ka interesa të mëdha,” thotë Çeka.

Më shumë kontakt fizik, më shumë vota?

Eksperti politik Blendi Çeka analizon se, pavarësisht zhvillimeve teknologjike ku rrjetet sociale mundësojnë shtrirje më të madhe se 10 vite më parë, një pjesë e madhe e votuesve preferon një fushatë tradicionale me kontakt të drejtpërdrejtë me kandidatët.

“Njohja e figurave politike është e brishtë. Një person mund të njohë emrin e kryetarit të një partie, por jo vetë partinë,” argumenton Çeka.

Sa i përket votës së diasporës, ai thekson se takimet duhet të jenë të orientuara drejt qarqeve zgjedhore specifike, pasi shpërndarja e votave në nivel kombëtar ka pak ndikim në rezultat.

“Takimet nëpër qytete që mbledhin diasporën ose emigrantët atje, nga pikëpamje eficencës së votës është minimale, pasi mund të ketë diferenca në votat që marrin, por të kthehen në mandate është e vështirë,” përfundon Çeka.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW