Mbi 500 banorë të Njësisë Administrative Hotolisht në qytetin e Librazhdit firmosën një peticion kundër kalimit të rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” përmes fshatit të tyre.
“Ne kërkojmë ndryshimin e projektit aktual të rrugës pasi dëmton rëndë jetën tonë dhe shpërfill interesat e komunitetit”, thuhet në komunikimin e banorëve.
Peticioni iu drejtua Kuvendit, në dijeni të Kryeministrisë dhe Presidencës.


Banorët theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por nuk pranojnë që ajo të kalojë mes për mes fshatit, duke prishur banesat e tyre dhe duke ndarë fshatin.
Përmes peticionit banorët kërkojnë ndryshimin e trasesë së rrugës, duke ofruar zgjidhje alternative qoftë përmes një tuneli apo duke kaluar anës së lumit. Mes të tjerash ata kanë kërkuar hyrje-dalje për njësinë administrative Hotolisht, ndryshim të vlerësimit të tokës bujqësore në rast se preket nga gjurma e rrugës si dhe kompensim me çmimin real të tregut për ato banesa që mund të preken nga ndërtimi i tunelit apo nga kalimi i rrugës në anë të lumit.
Në rast të mos plotësimit të kërkesave banorët theksojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet qendrore që do të zhillohen në 11 maj 2025.
Kjo nismë e banorëve është në vijimësi të kundërshtimeve të tyre prej kohës që janë njohur me projektin.
Në një përgjigje zyrtare Autoriteti Rrugor Shqiptar i tha Citizens.al se projekti është në rishqyrtim e sipër me qëllim minimizimin e ndikimit në komunitet. Sipas projektit fillestar që kalonte mes fshatit, prekeshin 25 shtëpi banimi.
Lexo gjithashtu:
Rruga “Elbasan-Qafë Thanë” ndan në mes fshatin Hotolisht të Librazhdit; banorët kërkojnë zgjidhje
Librazhd: Banorët e Hotolishtit kundërshtojnë projektin e rrugës që u ndan fshatin

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).