Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) vendosi të martën 24 masa sigurie për punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), pas kërkesës së SPAK, e cila po i heton për korrupsion dhe abuzime me tenderë.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet kanë zbuluar përfshirjen e zyrtarëve të UBT-së në veprime korruptive të shtrira në kohë, veçanërisht në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të procedurave të prokurimeve publike.
“[…] janë hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022 me vlerë prej 90 milionë lekësh,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Hetimi, i nisur tre vite më parë, ka çuar në arrestimin e 5 personave, vendosjen e 10 të tjerëve në arrest shtëpie dhe detyrimin për paraqitje për 9 të tjerëve. Mes tyre janë dy zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh dhe specialistë të IT-së.
Sipas SPAK grupi i marrë nën hetim frynte fondet limite të prokurimeve pa bërë studime tregu dhe për rrjedhojë kanë ofruar tenderë me vlera të larta.
Rektori i UBT-së “rrëfehet” para grupit parlamentar të PS-së
Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku, foli sot para grupit parlamentar të mazhorancës rreth çështjes së abuzimeve me tenderët.
Prezenca e tij ishte lajmëruar të martën nga Kryeministri Edi Rama, i cili i konsideroi masat e GJKKO “pa gjyq” duke relativizuar me vlerën e tenderëve, që sipas tij “ishin më pak se 30 milionë lekë”.
Gjatë fjalës së tij, Sallaku u fokusua te arritjet e universitetit dhe nisja e një reforme të thellë akademike sipas modelit të Universitetit Bochus në Vjenë. Ai u shpreh se ishte informuar nga media për masat e sigurisë dhe se stafi i universitetit kishte vendosur të mos komentonte vendimet e drejtësisë.
“Unë besoj se shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm dhe se asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besoj unë dhe shumica e tyre që punojnë me studentët,” tha Sallaku.
Pjesa tjetër e dëgjesës, e cila zgjati mbi një orë, u dominua nga Kryeministrit Rama.
Ai theksoi se rektori Sallaku nuk ishte person nën hetim dhe shprehu shqetësimin për ndikimin e situatës në partneritetin strategjik të UBT-së me një nga universitetet më të vjetra të botës.
“Gjëja e parë që më ka shkuar në mendje kur mora këtë lajm është: Çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë? Një numër marramendës masash sigurie për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që nuk ka asnjë lloj flagrance,” deklaroi Rama.
Aktivistët kundër ndërhyrjes politike
Teksa grupi i PS-së zhvillonte dëgjesën me rektorin e UBT-së, jashtë Kryesisë së Kuvendit, një grup aktivistësh shpalosën një banderolë me mesazhin: “Ai që dje mbrojti Erionin, sot mbron korrupsionin”.

Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, e cila monitoron transparencën dhe llogaridhënien në arsimin e lartë, theksoi se nga monitorimet e vazhdueshme të organizatës së tij është i dëshmuar shpërdorimi i fondeve publike në universitete.
“Paratë shpërdorohen duke u bërë llaç, tulla, bojë, parkete e pllaka, të cilat ndryshojnë çdo vit vetëm për t’u bërë tenderë në vend që të investohen në laboratorë, biblioteka apo burime akademike,” deklaroi Xhemollari për Citizens teksa shprehu nevojën për një “veting të plotë” për zyrtarët e universiteteve.
Gentjan Sejrani, jurist dhe drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”, tha për Citizens se paraqitja e rektorit përpara deputetëve të PS-së tregon lidhjet politike të drejtuesve të universiteteve.
“Nëse do të ishte ndryshe, rektori do të kërkonte të fliste para të gjithë deputetëve të Kuvendit, jo vetëm para mazhorancës,” argumentoi ai, duke shtuar se shumë deputetë të PS-së janë vetë nën hetim.
Xhemollari përfundoi se nëse nuk pastrohet universiteti, atëherë përpjekjet për të reformuar institucionet e tjera janë të kota. Ai kërkoi një proces vetingu për pasuritë e akademikëve, titujt shkencorë dhe rekrutimet në universitet.
Retorika e Kryeministrit Rama ndaj SPAK dhe GJKKO është ashpërsuar pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Aktivistët e shohin daljen e rektorit para grupit parlamentar të PS-së si një ndërhyrje të qeverisë në çështjet e drejtësisë.
“Është qartazi një lloj presioni që Rama i bën sistemit për personat dhe institucionet që janë nën hetim,” tha Sejrani.
Kështu, çështja e UBT-së i shtohet temës së nxehtë paraelektorale mbi ndikimin e politikës në integritetin e drejtësisë, përveçse dhe institucioneve të arsimit të lartë në vend.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).