Që nga momenti i arrestimit të Erion Veliajt nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) më 10 shkurt, Kryeministri Edi Rama jo vetëm që i ka dalë në mbrojtje, por edhe po e zëvendëson në “punët” e kryetarit të bashkisë.
Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme ndaj të besuarve të tij, kujtojmë këtu gjashtë kryebashkiakë dhe dy ish-ministra të arrestuar, ku Rama shprehej se përgjegjësia është personale dhe nuk mban ai përgjegjësi “kur u merr koka erë,” kësaj here ai e ka cilësuar SPAK-un “të njëanshëm”.
“Zëvendësimi i Veliajt” me inspektime në terren
Ndryshe nga Veliaj, i cili shpeshherë aktivitetet që do të transmetohen në media kujdeset t’i përcjellë një ditë më vonë apo sipas axhendës, në aktivitete me komunitetin edhe në momente të sikletshme, Rama del realisht “Live!” duke zbritur në terren, duke vijuar me “programin e tij,” por në sigurinë se ata që mund t’ia prishin shfaqjet propagandistike janë izoluar.
Kjo u pa qartë gjatë një dalje në terren të Ramës në zonën e “5 Majit”.
“Ishim të izoluar, jo me shtyrje të drejtpërdrejtë, por fillimisht na kërkuan të spostoheshim. Më pas u vendos një grumbull policësh, më të gjatë se unë, për të siguruar që të mos dukeshim!” tha Ndue Marku për Citizens, një nga banorët e rezistencës së “5 Majit”.
Rama e cilësoi zonën, e cila u rrafshua me dhunë në vitet 2021-2022, si “shëmbëlltyrë e Rilindjes pas tërmetit”.
Megjithatë, vlen të theksohet se banorët e kësaj zone i humbën shtëpitë jo si pasojë e një fatkeqësie natyrore, por nga një vendim qeveritar për të zhvilluar projektin e ashtuquajtur “Tirana Riverside”, të hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri.
Rama gjatë këtij takimi, ishte i shoqëruar nga nënkryetarja e Bashkisë, Anuela Ristani, a thua për të përligjur idenë se ai nuk po merr, të paktën në aktivitetet publike, kompetencat e kryetarit të Bashkisë.
Pavarësisht deklaratave të tij se 428 familje janë akomoduar në apartamente të reja, një pjesë e tyre ende nuk kanë firmosur kontratat e shpronësimit, disa vazhdojnë të trajtohen me bonuse qiraje, ndërsa të tjerë, edhe pse janë strehuar, nuk kanë marrë ende kontratat e pronësisë.
“Kanë kaluar tre vite nga shembjet e fundit. Edhe vdekje të ishte, harrohet! Unë i mirëkuptoj ata që kanë pranuar marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, sepse frika për të mbetur në rrugë është reale,” tregon Ndue Marku.
Ai shprehet se, po të mos ishte ndaluar nga kordoni i sigurisë, do t’i afrohej Ramës për ta pyetur nëse do të ketë shembje të tjera apo si do të vijojë projekti, duke qenë se shumica e banorëve janë në terr informativ.
“Nënkryetarja tha se projekti do të vijojë, dhe shtëpia ime është e para në listë. Nuk po e kuptoj nëse kjo do të thotë ndërtim apo shkatërrim të mëtejshëm. Unë nuk pranoj kushtet e shpronësimit dhe do ta ndjek çështjen ligjërisht,” përfundoi Marku.
Duket se situata për banorët që kundërshtuan mënyrën e shpronësimeve të dhunshme është ende e paqartë, për aq kohë sa ata nuk lejohen as të përfshihen në takimet me pushtetarët që u vijnë në zonën e tyre.
Shfajësimi për oligarkët
Pas arrestimit të Veliajt, Rama ka qenë thuajse çdo ditë i pranishëm në Bashkinë e Tiranës, apo aktivitete të saj publike.
Kjo nisi me një mbledhje të detyruar të punonjësve të bashkisë më 20 shkurt. Dukej se mesazhi i nënkuptuar ishte se Rama po shqetësohej më shumë nga një lëkundje e administratës për të mos u angazhuar në zgjedhjet e ardhshme.
Megjithëse SPAK ka kërkuar të paraqiten me detyrim për të dhënë informacione biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, si dhe ka vendosur ta arrestojë Elman Abulen, publikisht, Rama duket se i ka shfajësuar ata.
“Lejet e ndërtimit nuk janë privilegje apo favore të Kryetarit të Bashkisë. Ato janë të drejta zhvillimi për pronarët dhe investitorët. Cilido që akuzon për ryshfet pa prova, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte po të kishte mundësinë,” deklaroi me ironi Rama në mbledhjen e 20 shkurtit.
Në inspektimin e tij në Sheshin “Avni Rustemi,” ku po ndërtohet një parking nëntokësor dhe pritet të restaurohen fasadat e pallateve, Rama kërkoi që një prej tyre t’i bëhej falas nga sipërmarrësi privat.
“Thuaji shefit të firmës se atë fasadën e madhe atje do ta bëjë dhuratë për qytetin. Kur të vijë dita që të shkojë në botën tjetër, Shën Pjetri ta pyesë: ‘Çfarë dhe për qytetin?’, ai të thotë se dha diçka,” tha Rama.
Ndërkohë, për vonesat në projektet e Veliajt, Rama fajësoi gjykatat.
Në inspektimin te terminali i ri në kthesën e Kamzës, për të cilin Citizens ka raportuar më parë se po punohet pa leje të zbardhur ndërtimi, ai tha se projekti, i propozuar që në vitin 2015, ka ngecur për shkak të “gjykatësve të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm”.
Përballë kësaj qasjeje të Ramës, në kufijtë e shkeljes së pavarësisë së pushteteve dhe pa nisur ende fushata e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje që Rama të përmbahet nga takimet me administratën apo dhe me qytetarët në terren pasi konsiderohen “veprimtari publike brenda 4-mujorit të zgjedhjeve,” që sipas Kodit Zgjedhor duhet të jenë të kufizuara.
Por pavarësisht kësaj,“zelli” për t’u sjellë edhe si Kryetar Bashkie edhe si Kryeministër e ka përfshirë plotësisht sa ta shpërfillë thirrjen e KQZ-së.
Në kantierin e Teatrit Kombëtar
Një tjetër ndalesë për Ramën ishte dhe kantieri i Teatrit Kombëtar. Ai e cilësoi projektin e tij si “teatrin më të bukur kombëtar në rajon dhe një nga më të mirët e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore,” duke shtuar se zona do të ketë shesh publik para dhe pas teatrit.
Ai ironizoi qytetarët dhe artistët e angazhuar në protestat e dikurshme që kundërshtonin shembjen e Teatrit duke e cilësuar ish-godinën si “godina nostalgjike”.
Qeveria parashikonte fillimisht një partneritet me kompaninë “Fusha shpk” për ndërtimin e teatrit. Ajo do ta ndërtonte me shpenzimet e saj dhe në këmbim do të përfitonte truall dhe leje për të ndërtuar 6 kulla.
Pavarësisht protestave dhe tërheqjes së kompanisë “Fusha shpk”, në 2020, Bashkia e Tiranës deklaroi se do ta financonte projektin me fonde publike dhe vendosi ta shembë teatrin.
Aktualisht, kostoja e plotë e projektit mbetet e paqartë, por “Faza e I-rë” me vlerë 18 milionë euro po zhvillohet nga AgiKons dhe BE-IS shpk.
Sipërmarrësit Shkëlqim Fusha (Fusha shpk) dhe Gentian Sula (AgiKons) janë të dyshuar për korrupsion në çështjen ndaj Veliajt dhe janë në masën “detyrim paraqitjeje”.
Lexo gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.