Citizens.al

Dy muaj para zgjedhjeve qeveria ndan €64 milionë bonuse për pensionistët

Gjatë protestës së pensionistëve para Kryeministrisë Foto: Erisa Kryeziu

Nga sot, 3 mars, pensionistët do të marrin bonusin e dytë të premtuar nga qeveria Rama të quajtur “bonusi i pranverës”.

Kështu, sipas vendimit të 9 janarit, pensionistët që marrin pensione deri në 20,000 lekë do të përfitojnë 10,000 lekë shpërblim, ndërsa ata që marrin pensione mbi 20,000 lekë do të përfitojnë 50,000 lekë shpërblim.

Bonueset duket se do të jenë politika që ofron Partia Socialiste në pushtet për të ndihmuar pensionistët përballë rritjes së kostos së jetesës pa ndërhyrë në skemë dhe pa rishikuar ligje të caktuara që mund të rivlerësonin kontributet.

“Koncepti i pjesëmarrjes së pensionistëve në të ardhurat në rritje të ekonomisë do të stabilizohet gjatë mandatit të katërt,” premtoi Kryeminsitri Rama gjatë një diskutimi online në faqen e tij Facebook.

Nga bonusi pritet të përfitojnë rreth 730 mijë pensionistë në të gjithë vendin dhe qeveria pritet të shpërndajë rreth 64 milionë euro.

Ky është shpërblimi i dytë pas atij me vlerë 15,000-10,000 lekë të shpërndarë fundvitin 2024.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se tërheqja e shpërblimit mund të bëhet pranë postës. Ai i fundvitit mund të tërhiqet deri më 30 qershor, ndërsa ky i pranverës deri më 30 shtator.

Shpërblimi i kësaj kategorie qytetarësh dy muaj para zgjedhjeve parlamentare është konsideruar si “shpërblim elektoral” nga opozita dhe kritikët e qeverisë.

“Dy bonuse në një vit,” erdhi si përgjigje e qeverisë pas pakënaqësive përballë indeksimit të fundit prej 4.1% që iu bënë pensioneve në muajin shtator.

Me indeksimin pensionet u shtuan me 453-752 lekë. Ky veprim, i pashoqëruar me rritje reale, u konsiderua tallje” nga Lëvizja Bashkë, e cila organizoi një seri protestash para Kryeministrisë për tre muaj rresht.

Ligji i ri u njeh qytetarëve vitet e humbura të punës para viteve ’90

Përtej bonusit të përfolur nga qeveria, një ndryshim i rëndësishëm ka hyrë në fuqi për një kategori “të harruar” të shoqërisë.

Të gjithë personat që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjet shtetërore përpara viteve ’90 nuk do të kenë më nevojë t’i drejtohen gjykatave, pasi vitet e punës do t’ju njihen automatikisht.

Ligji i veçantë që u miratua në fillim të shkurtit, është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Të paktën 29,500 ish-punëtorë të ndërmarrjeve shtetërore dhe bujqësisë kolektive të para viteve 1991-1993, njohur rëndomtë si kooperativa, nuk do të kenë nevojë për procedura shtesë për të përfituar pension social.

Ligji i ri synon të korrigjojë një padrejtësi të stërzgjatur prej periudhës së tranzicionit.

Për tre dekada, ish-kooperativistët dhe ish-punëtorët e ndërmarrjeve janë vlerësuar me pensione të ulëta për shkak të kontributeve të pamjaftueshme ose të paqarta që u mbajtën gjatë diktaturës. Për këtë nevojiteshin verifikime, dokumente shtesë, apo dhe gjyqe.

Por tanimë do të mjaftojë një kërkesë në e-Albania dhe një vërtetim që këta qytetarë kanë qenë me vendbanim në qytetet apo fshatrat përkatës gjatë periudhës së deklaruar.

Përmes aplikimit në e-Albania kjo kategori pritet të përfitojë pension më të lartë duke nisur nga muaji mars.

Për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension merret një kufi minimal page referuese nga 2,833 lekë në varësi të sektorit ku është punuar.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW