Jim Puckett, kreu i organizatës mjedisore “Basel Action Network” (BAN), që një vit më parë denoncoi kontrabandën nga Porti i Durrësit të 2,100 tonë mbetje të dyshuara të rrezikshme, pretendon se Prokuroria e Durrësit ka refuzuar t’i marrë dëshminë. Mbetjet e nisura në fillim të muajit korrik u kapën dhe u kthyen nga Singapori më 28 tetor 2024.
Puckett iu drejtua Prokurorisë së Durrësit më 4 dhjetor 2024, duke ofruar dëshminë e tij me shkrim, përmes një prokure, telefonate, apo dhe videotelefonate. Megjithatë, Prokuroria e refuzoi këtë mundësi, duke u mbështetur në kufizimet e legjislacionit shqiptar, i cili pranon vetëm dëshmi të paraqitura fizikisht.
Citizens ka publikuar dëshminë e plotë të Puckett, e cila përmban fotografi të siguruara nga një sinjalizues anonim, informacion mbi ngarkesën me mbetje të nisur nga porti i Durrësit dhe analizat laboratorike që tregojnë nivele të larta ndotjeje në destinacionin e tyre të parashikuar në Tajlandë.
Po ashtu, dëshmia përmban numrat e 115 kontejnerëve nga një ngarkesë e mëparshme, që ishte bllokuar në Kinë, për të cilin sinjalizuesi thekson se është nisur nga i njëjti grup personash.
Sipas Valbona Mazrekut nga organizata “Mileukontakt Shqipëri,” e cila u përpoq ta përcillte dëshminë e Puckett tek autoritetet, “ligji shqiptar nuk parashikon gjë për marrjen e dëshmive në formë të shkruar ose me Skype.”
Burime nga Prokuroria e Durrësit i thanë Citizens se dëshmia e Puckett është përfshirë gjithsesi në dosje, por mbetet e paqartë statusi i saj juridik.
Kanë kaluar katër muaj që kur 102 kontejnerët me lëndë të dyshuar toksike u kthyen nga Tajlanda duke u vendosur në një mjedis të ruajtur në Porto Romano. Prokuroria e Durrësit parashikohej të kryente aty procedurat e hapjes së tyre, marrjes së mostrave dhe analizimin.
Por deri më sot nuk ka asnjë informacion se çfarë është bërë deri më tani.

Citizens kontaktoi autoritetet për të mësuar mbi rezultatet e analizave laboratorike, por Prokuroria deklaroi se “çështja është në hetim dhe nuk mund të japë informacion.” Të njëjtën përgjigje dhanë edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Zyra Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), që po bashkëpunojnë në hetime.
Jim Puckett shprehu zhgënjimin e tij për Citizens lidhur me vonesat dhe mungesën e transparencës. Ai deklaroi se nuk ka dijeni nëse Prokuroria ka vijuar me hapjen e kontejnerëve dhe analizimin e tyre, pasi nuk është kontaktuar, pavarësisht gatishmërisë së tij për t’u përfshirë në proces edhe si ekspert.
“Nëse kanë filluar [me analizimin e mostrave], është shqetësuese që nuk janë marrë publikisht dhe pa ndjekur protokollet e duhura dhe zinxhirin e ruajtjes së provave,” theksoi Puckett duke shtuar se “nuk ka arsye përse procesi të zgjasë kaq shumë.”
Ai gjithashtu theksoi se trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një shkelje serioze që duhet ndëshkuar sipas konventave që Shqipëria ka nënshkruar.
“Nuk mund të pranohet që kjo çështje të injorohet dhe të lihet në harresë,” theksoi Puckett.
Autoritetet shqiptare ende nuk e kanë sqaruar se çfarë do të bëhet me ngarkesën e vendosur në Porto Romano pas marrjes së mostrave, as se si do të procedohet me ngarkesën tjetër prej 115 kontejnerësh që pritet të kthehet nga Kina.
Hetimet vazhdojnë, por pyetjet mbi transparencën dhe përgjegjësinë e autoriteteve mbeten të hapura.
Çfarë dimë deri tani?
Dy ngarkesa me mbetje të dyshuara të rrezikshme u ndaluan gjatë vitit 2024 në Singapor (me destinacion Tajlandën) dhe Kinë pasi ishin nisur nga porti i Durrësit.

Autoritetet shqiptare u gjetën të papërgatitura përballë këtyre rasteve, të cilat u denoncuan nga BAN dhe mediat ndërkombëtare.
Publikisht u akuzua kompania e përpunimit të metaleve KURUM, e cila pretendon se nuk ka eksportuar kurrë mbetje, ndërsa qeveria u mundua ta anashkalojë çështjen duke theksuar se “nuk ka asnjë autorizim për eksporte mbetjesh” dhe se për rastin në fjalë “nuk ka prova”.
Ngarkesat e bllokuara:
- 115 kontejnerë me “koncentrat zinku” bllokuar më 2 prill në Guangzhou (Kinë).
- 102 kontejnerë me “pluhur furre skrapi e çeliku” bllokuar më 20-22 gusht në Singapor (para mbërritjes në destinacion, Laem Chabang, Tajlandë).
Kompanitë e përfshira:
- Apfelbaum shpk (Kosovë) eksportoi tranzit nga Durrësi mbetje të minierës së Trepçës për llogari të Achro AG (Zvicër) drejt Guangxi Logistics Industry (Kinë).
- Sokolaj shpk (Shqipëri) eksportoi nga Durrësi mbetje të dyshuara se iu blenë KURUM-it (Shqipëri) për llogari të GS Minerals DOO (Kroaci) drejt kompanisë Copper Metal Company Ltd. dhe filialit të dytë ZNC Industry Technology Ltd. në Tajlandë.
- A.P Moller-Maersk ishte kontraktori që transportoi me linjat ndërkombëtare kontejnerët.
Denoncimi për BAN erdhi më 16 korrik nga një sinjalizues anonim me nofkën “Fatra24,” i cili dukej se kishte informacione të sigurta pasi përcillte kodet e dërgesave me destinacion Tajlandën dhe bënte thirrje për “mbetje të rrezikshme” në to.
Krahas këtij informacioni “Fatra 24” ai dërgoi fotografi dhe informoi edhe në lidhje me dërgesën e pikasur në Kinë.
“I njëjti grup personash kanë kontejnerë të bllokuar me të njëjtën ngarkesë nga viti i kaluar në Kinë […] 115 kontejnerë të deklaruar si koncentrat i ulët të zinkut janë bllokuar për një kohë shumë të gjatë në portin e Guangzhou Nansha,” denoncoi “Fatra 24”.
Sinjalizuesi anonim duket të ketë qenë tregtar kromi. Në një komunikim të dytë, një ditë më vonë, më 17 korrik 2024, ai i ka thënë BAN-it se nuk është rezident në Shqipëri, por “në fund të qershorit” ka qenë rastësisht i pranishëm në Portin e Durrësit në momentin e ngarkimit të kontejnerëve që u nisën në Tajlandë, për të cilën ka dërguar dhe fotografi.
Vetë thotë se “nuk është specialist,” por shpjegon se dikush në port i ka thënë se “ngarkesa është një përzierje pluhuri të furrave të çelikut dhe skorjeve të zinkut”.
“Flatra24” i thotë BAN-it se mësoi për ngarkesën kontrabandë që ishte nisur për në Tajlandë teksa ishte në Kinë gjatë një udhëtimi “për punë në Fangcheng,” – porti jugor i Kinës.
Ai e shoqëroi denoncimin e tij për BAN me një raport doganor nga autoritetet portuale të Fangcheng (Kinë), i cili tregoi se ngarkesa kishte përmbajtje të lartë plumbi.

Pas marrjes së denoncimit BAN bëri verifikimet e saj dhe pas përforcimit të dyshimeve njoftoi autoritetet përkatëse të secilit nga vendet tranzite nga ku po kalonte ngarkesa.
Rreth një muaj më vonë, pasi rasti u bë publik, më 16 gusht, autoritetet shqiptare nisën zyrtarisht hetimet.
Nga komunikimet e BAN-it u zbulua se autoritetet shqiptare dhe tajlandeze nuk e kishin autorizuar kurrë transportin, pavarësisht probabilitetit të lartë që materiali të ishte mbetje e rrezikshme.
Pas paralajmërimit, autoritetet e Singaporit dhe Tajlandës, si dhe zyrtarët e linjave të transportit detar Maersk dhe MSC, bashkëpunuan për kthimin e kontejnerëve në Durrës.
Ngarkesa me 102 kontejnerë e transportuar nga anija Moliva u kthye në Durrës më 28 tetor 2024 dhe, pas sekuestrimit nga Prokuroria e Durrësit, u zhvendosën dhe u dërguan në një mjedis të ruajtur në Porto Romano.
Ngarkesa e dytë, me 115 kontejnerë, ende nuk është liruar për t’u kthyer në Durrës nga autoritetet kineze, dhe nuk është e sigurt se kur do të niset për në Shqipëri.
*Lajmi u përditësua me saktësimin rreth faktit se ngarkesa e 102 kontejnerëve nuk shkoi kurrë në Tajlandë. Ajo u bllokua nga autoritetet e Singaporit në momentin kur autoritetet tajlandeze e refuzuan dërgesën.
Lexo gjithashtu:
- Tajlanda i kthen mbetjet Shqipërisë, BAN apel për hetime transparente
- Porto Romano, destinacioni i fundit për mbetjet e kthyera nga Tajlanda

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.