Banorët e Tragjasit, në Vlorë, të cilët prej një muaji po përballen me betejën për të mbrojtur lumin Izvor, u përplasën të martën me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
IKMT së bashku me FNSH-në zbarkuan në Tragjas mëngjesin e së martën për të shembur disa banesa dhe për të nisur punimet për ndërtimin e ujësjellësit, i cili parashikohet të zhvillohet në ish-stacionin e pompave, që dikur ka shërbyer për të furnizuar me ujë bazën e Pasha Limanit.
Banorët e fshatit Tragjas prej kohësh janë përplasur me institucionet për këtë projekt, pasi, së pari nuk janë informuar dhe së dyti kundërshtojnë marrjen e ujit nga lumi Izvor.
Banorët shprehen se nuk janë informuar siç duhet për zhvillimet dhe kanë kërkuar një konsultim me bashkinë.
Gjatë shkurtit disa prej tyre shkuan dhe në mbeldhje të Këshillit Bashkiak Vlorë për të kërkuar informacion mbi projektin, por nuk kanë marrë përgjigje.
Teksa banorët prisnin një takim me institucionet, ditën e martë u përballën me forcat policore.
Projekti synon të marrë ujin për të furnizuar resortet e bregdetit të Palasës. Por banorët e zonës së Tragjasit dhe Orikumit rrezikojnë të mbeten pa ujë, ngjashëm kjo me rastin e lumit Shushica.
Banorët e Tragjasit kanë nisur dhe një peticion ku kërkojën të ndalohet devijimi i lumit.
“Po planifikojnë të devijojnë lumin Izvor nga derdhja e tij natyrale në Adriatik për ta çuar në Jon, duke shkatërruar një ekosistem unik dhe duke rrezikuar furnizimin me ujë të banorëve,” thuhet në krye të peticionit.
Lumi Izvor krijon një mikroklimë të veçantë në Orikum dhe Gjirin e Dukatit, tërheq turistë dhe mbështet një faunë të pasur.
“Ndryshimi i rrjedhës së tij do të shkatërrojë këtë biodiversitet”, shkruhet në peticion.
Po ashtu tepër e rëndësishme për banorët është mungesa e ujit për komunitetin. Ata dhe zona turistike e Rradhimës mbështeten te ky lumë për ujë të pijshëm.
“Devijimi i tij do të lërë mijëra banorë dhe biznese pa ujë të mjaftueshëm”, thuhet më tej.
Pika e tretë për të cilën e kundërshtojnë projektin është transparenca.
“Një projekt i fshehtë për oligarkët. Ky plan nuk ka kaluar në konsultim publik dhe bëhet për interesa private, duke sakrifikuar mjedisin dhe nevojat e komunitetit”, theksohet në peticion.
Së fundmi, ky projekt sipas banorëve rrezikon turizmin, pasi prurjet e Izvorit krijojnë freskinë natyrore që e bën zonën turistike të Orikumit dhe plazhet e Dukatit tërheqëse.
“Devijimi i tij do të dëmtojë turizmin, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e banorëve”, përmbyll peticioni.
Aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ka mbështetur banorët në betejën e tyre në mbrojtje të lumit shprehet se Kryeministi e ka gabim kur thotë se burimi ujit është i shtetit.
“Uji ka qenë aty para se të krijohej shteti dhe shtetet. Banorët aty janë njësh me ujin prej shekujsh, Duke hequr ujin për tja cuar një shteti tjeter, do të thotë të heqësh banorët nga vatrat e tyre,” tha Ferruni për Citizens.
Lexoni gjithashtu:
- Ujësjellësi i Himarës, institucionet shmangin takimin me banorët e Shushicës
- Beteja për të shpëtuar Shushicën nga Ujësjellësi i Himarës

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.