Citizens.al

Gentian Sejrani: Nga aktivizmi në rrugë te “Drejtësia Sociale”

Ilustrim, Gentian Sejrani, avokat, themelues i organizatës "Drejtësia Sociale".

Avokati Gentian Sejrani është shembull se si aktivizmi që lind nga puna me komunitetin në rrugë mund të strukturohet e zhvillohet në një qendër të mirëfilltë ligjore dhe sociale që mban emrin “Drejtësia Sociale”.

Ishte viti 2008 kur Sejrani nisi të angazhohej për të ndryshuar situatat e komuniteteve të margjinalizuara. Asokohe në Shqipëri termi “aktivist” nuk ishte dhe aq i përdorur në përditshmëri dhe shpesh përballej me pyetje se nga ndryshonte ai nga një “vullnetar”.

“Unë e shpjegoja se vullnetari ndihmon për të lehtësuar një problem, ndërsa aktivisti punon për ta ndryshuar atë nga rrënjët,” kujton Sejrani për Citizens.

Punën si aktivist e nisi me komunitetin Rom dhe Egjiptian në Elbasan. Ai kujton rastin e parë me të cilin u angazhua, kur një kasolle e komunitetit mori flakë dhe për pasojë humbi jetën një fëmijë.

Nisma e parë ishte sigurimi përkrahjes financiare për strehim, ose thënë ndryshe “bonusi i qirasë,” për t’i shmangur familjes në nevojë rrezikun e jetesës në kasolle.

“Ishte hera e parë që një ngjarje e tillë nuk u mbyll thjesht me një plastmasë, lajm apo ndihmë të përkohshme. E cilësoj si fitoren e parë, pasi u dha mbështetje për ceremoninë mortore të fëmijës, u siguruan financa për t’i blerë familjes orendi dhe familja u akomodua ne banesë me qira” tregon Serjani.

Angazhimi i Sejranit në Elbasan vijoi me mbrojtjen e rreth 35 banesave që rrezikoheshin të shembeshin nga autoritetet lokale, – 20 prej tyre ishin të komunitetit rom.

Kjo ishte hera e parë që një çështje e komunitetit arrinte deri në zyrat e Kombeve të Bashkuara, pas së cilës në Bashkinë e Elbasanit nisi nënshkrimi i kontratave noteriale për strehimin social. Ditët e sotme ky program është thuajse dhjetëfishuar.

“Ai ka qenë momenti i parë dhe çdo vit më pas numri i përfituesve është rritur, për shembull nëse në vitin 2013 kemi pasur 10-15 familje, tani janë 180 të tilla që përfitojnë bonusin e qirasë,” thotë Sejrani, i cili e shpjegon këtë rritje në numër edhe me rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te institucionet.

Nga Elbasani në Tiranë: Krijimi i “Drejtësi Sociale”

Duke dashur ta zgjeronte angazhimin e tij si aktivist i çështjeve sociale, në vitin 2020, Serjani themeloi organizatën “Drejtësi Sociale” në Tiranë.

Organizata ndërthur aktivizmin, organizimin qytetar dhe ndjekjen ligjore të çështjeve sociale. Ai veçon tre kauza kryesore ku organizata ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë: mbrojtja e ricikluesve të lirë, legalizimet te zona e Selitës dhe përkrahja e banorëve te ish-Komunales.

Pas vitit 2017, Bashkia Tiranë nisi një fushatë përndjekjeje me ndalime, gjoba dhe konfiskime ndaj ricikliesve të lirë, të cilët përgjithësisht i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian.

Për t’iu ardhur në ndihmë, Serjani pajisi rreth 150 riciklues me jelekë që mbanin numrin e tij të telefonit. Ai i udhëzoi që në rast se ndaloheshin nga policët bashkiakë ta kontaktonin direkt si avokat të tyrin.

Ky ishte një hap që i stepi policët, të cilët nisën t’i linin ricikluesit e lirë të vijonin aktivitetin.

Sejrani kujton rastin e Agron Currës, i cili tentoi të vetëvritej kur iu sekuestruan mbetjet që kishte mbledhur.

“Nuk u ndalëm me aq, por e paditëm Bashkinë e Tiranës dhe Gjykata e detyroi ta dëmshpërblejë me 25 mijë euro,” shpjegon Serjani. Procesi gjyqësor ka zgjatur pesë vite, por gjashtë muajt e ardhshëm pritet seanca përfundimtare.

Në vitin 2021, rreth 50 familje të komunitetit pranë tregut të rrobave të përdorura në Selitë, nuk po mundeshin t’i legalizonin banesat e tyre për shkak të interesave të ndërtuesve. Organizata “Drejtësi Sociale” ndihmoi pesë familje të siguronin lejet e legalizimit duke krijuar një precedent me bllokimin e projekteve të ndërtimit pa dëmshpërblime.

Sejrani tregon se angazhimi i organizatës për 5 familjet në fjalë ishte një lloj strategjie për t’ua vështirësuar punët ndërtuesve.

Pas tyre, procesin e nisën edhe familjet e tjera, ndërsa ditët e sotme, Sejrani thotë se një kompani ndërtimi që ka shfaqur interes në zonë është detyruar t’i dëmshpërblejë njësoj edhe ata që e kanë përfunduar procesin edhe ata që janë në pritje.

Pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019, rreth 40 familje, kryesisht nga komuniteti rom, mbetën pa strehim dhe pa përkrahje pasi ndërtesa ku ata ishin vendosur në ish-konviktin e Komunales në Njësinë Administrative Nr.4 në Tiranë u cilësua e pabanueshme.

Një pjesë e madhe e këtyre familjeve u lanë pa bonus qiraje, për shkak të parregullsive dhe mungesës së titujve të pronësisë. Sejrani ka paditur Bashkinë e Tiranës për të paktën 20 raste të tilla dhe thotë se procesi gjyqësor është në rrugë të mbarë.

Pengjet dhe sfidat për të ardhmen

Pavarësisht arritjeve, Serjani ndien keqardhje për disa beteja të humbura, si mosmiratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për sigurimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë.

Ai kujton rastin e Ilir Beratit, një qytetar i dënuar për lidhje të paligjshme të energjisë, dhe atë të një nëne nga Fieri që humbi aksidentalisht fëmijën pasi nuk kishte dritë natën që e ushqeu.

“Jam ndjerë i pafuqishëm ta ndihmoj atë zonjë, por dhe ata që kanë pasur nevojë për të siguruar energji bazike elektrike, një e drejtë themelore sipas meje,” u shpreh Sejrani.

“Shteti duhet të sigurojë një minimum jetik energjie për secilin. Nuk mund të jetë privilegj i atyre që kanë mundësi ekonomike,” vijoi ai.

Përballë pyetjes se si e sheh ai rrethin aktual të aktivistëve, Sejrani shprehet me kritika ndaj prirjes së disa organizata për ta kufizuar veprimtarinë vetëm në trajnime, pa e çuar deri në fund përballjen me institucionet për finalizimin e një kauze.

“Organizatat shpesh nuk duan të prishin marrëdhëniet me institucionet, ndërsa individët ndihen të pafuqishëm për t’i vazhduar betejat e tyre. Të rinjtë duhet jo vetëm të trajnohen, por edhe të ndjekin çështjet përtej fjalëve,” përfundon ai.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW