Autoritetet shqiptare nuk kanë kapacitete për të analizuar 2,100 tonë mbetje të dyshimta që u nisën kontrabandë për në Tajlandë dhe u kthyen mbrapsht tetorin e vitit të shkuar. Lajmin e konfirmoi të mërkurën Prokuroria e Durrësit, e cila tha në një njoftim për shtyp se po pret t’i zhvillojë analizat me një kompani private.
Kur 102 kontejnerë me mbetje të dyshimta u kthyen vjet në Shqipëri, pati pritshmëri se autoritetet shqiptare do të reagonin si duhej. Por, ashtu si shumë raste të tjera të ndjeshme, edhe kjo çështje duket se ka hyrë në vorbullën e burokracisë, vonesave në hetime dhe mungesës së transparencës.
Nisur nga raportimi i Citizens, që të hënën përcolli dëshminë dhe shqetësimet për zvarritje hetimesh nga Jim Puckett, – drejtues i organizatës ndërkombëtare Basel Action Network (BAN), – Prokuroria e Durrësit tha pasditen e së mërkurës se “po heton intensivisht” mbi ngarkesën, e cila prej 4 muajsh është vendosur nën sekuestro në një zonë të Porto Romanos.
Megjithatë prokuroria e pranoi se ajo dhe autoritetet shqiptare nuk kanë kapacitete për të analizuar sipas procedurave të nevojshme ngarkesën e të gjitha kontejnerëve.
“I jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë […] dhe plotësojnë kriteret,” tha në njoftim prokuroria duke shtuar se “laboratori është identifikuar” dhe se “shumë shpejt do të procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.”
Fakti që autoritetet shqiptare përballen me kufizime të tilla vë në pikëpyetje seriozitetin dhe garancinë e hetimeve ndërkohë që një tjetër ngarkesë me 115 kontejnerë, e dyshuar se u nis kontrabandë nga i njëjti grup, është aktualisht e bllokuar në Kinë dhe pritet të kthehet gjithashtu në Shqipëri.
Puckett: Të shqetësuar se çështja mund të zvarritet më tej
Drejtuesi i BAN, Jim Puckett, e sheh pozitivisht lajmin që prokuroria ka gjetur një laborator të kualifikuar, por nuk e fsheh shqetësimin për kohën e humbur, rezervimin për t’i bërë publik emrin laboratorit privat dhe faktin se reagimi i prokurorisë erdhi vetëm pas raportimeve në media.
“Nëse ka marrë më shumë se tre muaj vetëm për të gjetur një laborator, është shqetësuese që, me këtë ritëm, çështja mund të zvarritet gjatë gjithë vitit, dhe kjo është e papranueshme,” theksoi Puckett në një reagim për Citizens.
“Prokuroria nuk ka sqaruar se si do ta sigurojnë publikun që marrja e mostrave dhe analiza po kryhen në mënyrë të paanshme dhe të pakontestueshme,” vijoi ai.
Sipas drejtuesit të BAN, procedura e analizimit të mbetjeve të dyshuara duhet të jetë e hapur për shqyrtim nga palë të treta dhe nga publiku.
Pavarësisht se prokuroria pretendon se ka informuar dhe “do të vijojë të informojë publikun mbi ecurinë e hetimeve,” e vërteta është se ajo refuzoi t’i përgjigjej kërkesave për informacion Citizens.al, ndërkohë që nuk i është përgjigjur as gatishmërisë së BAN për të asistuar apo këshilluar me ekspertizë procesin.
Asnjë afat i qartë nuk është dhënë për analizimin e mostrave, identifikimin e atyre që qëndrojnë pas eksportit dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.
Deri atëherë, kontejnerët do të vazhdojnë të rrinë të mbushur me dyshime, ndërsa besimi i opinionit publik te institucionet do të jetë gjithmonë në diskutim.
Lexo gjithashtu:
- Puckett: Shqipëria po zvarrit hetimet për kontrabandën e mbetjeve toksike
- Ekskluzive, dëshmia e Jim Puckett për mbetjet toksike nga Durrësi në Tajlandë

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.