Qëndresa Qytetare ka denoncuar pranë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KQZ) përdorimin e burimeve publike nga Kuvendi për mbështetjen e subjekteve zgjedhore. Sipas organizatës, programi “Kuvendojmë për Shqipërinë,” i nisur nga Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, po përdoret për qëllime elektorale.
Dhimitër Zguro, përfaqësues ligjor i Qëndresës Qytetare, thekson se përmbajtja e takimeve të zhvilluara në kuadër të kësaj nisme ka një qasje të qartë politike.
Sipas tij, në daljet publike të Spiropalit, ajo adresohet në vetën e parë shumës duke nënkuptuar qeverinë apo shumicën socialiste.
“Kjo e bën të duket sikur Kuvendi është vetë qeveria dhe flet për rritje ekonomike që nuk kanë lidhje me nismën e ligjvënëse si detyrë e kryetares së Kuvendit,” shprehet Zguro.
Sipas një përgjigjeje zyrtare nga Kuvendi, programi “Kuvendojmë për Shqipërinë” është një iniciativë e nisur në tetor 2024 me synimin për të rritur transparencën dhe për të biseduar me qytetarët mbi nismat ligjore.
“[…] nisma synon të informojë qytetarët për projektligjet në interesin e tyre dhe të mbledhë opinionet e tyre për proceset legjislative,” thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Megjithatë, Qëndresa Qytetare argumenton se në aktivitetet e zhvilluara ka një mungesë të dukshme të përfaqësuesve nga forcat e tjera politike parlamentare.
“Në Vlorë, për shembull, në takimet e Kuvendit ka marrë pjesë vetëm Bledi Çuçi, ky, jo si drejtues qarku i PS-së, por si zëvendëskryetar i Kuvendit. Kjo është një shkelje sepse ftohet vetëm një nga nënkryetarët, i cili është përfaqësues i PS-së,” vijon Zguro.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Qëndresa Qytetare është organizimi i drekave apo takimeve me drejtues politikë të Partisë Socialiste.
“Në tetor, pjesë e agjendës ishin drekat me kryetarët e bashkive të qarkut dhe deputetët. Kjo praktikë është përsëritur edhe në takime të tjera, por tani, për shkak të periudhës zgjedhore, nuk përmenden më emrat e deputetëve, thjeshtë drekë pune,” thotë Zguro.
Përballë konstatimeve Kuvendi pretendon se këto dreka nuk janë financuar me fondet e tij.
“Dreka nuk është mbuluar me fonde të Kuvendit. Ajo ka qenë një moment pushimi mes aktiviteteve dhe nuk përbën një shpenzim zyrtar. Shqyrtimi i personave me të cilët Kryetari i Kuvendit ka drekuar privatisht nuk mund të jetë objekt shqyrtimi nga Komisioneri Shtetëor i Zgjedhjeve,” thuhet në përgjigjen e Kuvendit drejtuar KQZ-së.
Megjithatë, Qëndresa Qytetare kundërshton këtë argument, duke publikuar foto që tregojnë se në Elbasan, Spiropali ka zhvilluar takime me strukturat e Partisë Socialiste, duke shfrytëzuar logjistikën dhe transportin e siguruar nga Kuvendi.
“Nëse transporti është mbuluar nga Kuvendi, atëherë kemi të bëjmë me shkelje, pasi nuk lejohet që një funksionar publik të përdorë burimet shtetërore për të zhvilluar takime me deputetët e PS-së dhe më pas t’i promovojë ato në rrjetet sociale,” thekson Zguro.
Programi “Kuvendojmë për Shqipërinë” ka nisur në tetor 2024 dhe është planifikuar të zgjasë deri në mars 2025. Aktualisht, çështja është në shqyrtim nga KQZ, e cila pritet të mbajë një seancë dëgjimore publike në ditët në vijim.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).