Citizens.al

Në arbitraritet, qeveria mbyll TikTok-un për një vit

Citizens.al/Paraqitje grafike e Kryeministrit Rama dhe platformës Tik-Tok.

Patforma e rrjetit social TikTok do të mbyllet për një vit. Kështu njoftoi sot ministrja e Arsimit, Ogerat Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë. Mbyllja parashikohet të ndodhë brenda një jave dhe do të realizohet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike.

“Kemi analizuar efektet, që vijnë nga këto platforma, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve dhe rastet e dhunës fizike,” tha Manastirliu.

Ministrja shpjegoi gjithashtu se është nisur një komunikim me platformën TikTok për vendosjen e filtrave për të ndaluar promovimin e sjelljeve të padëshirueshme dhe këto 12 muaj do të shërbejnë “për të marrë të gjitha masat e nevojshme”.

Propozimi për mbylljen e TikTok nga qeveria Rama erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një moshatar, në dalje të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.

Duke mos analizuar asnjë faktor të problemeve strukturore të shkollave, si numri i pamjaftueshëm i psikologëve, apo i oficerëve të sigurisë, apo edhe duke anashkaluar përgjegjësinë e institucioneve, Rama propozoi si zgjidhje parësore eliminimin e TikTok.

Kryeministri e kritikoi përmbajtjen e TikTok-ut jashtë Kinës, duke e konsideruar platformë që promovon “llum dhe negativitet,” në kontrast me versionin kinez, i cili sipas tij, “promovon edukimin dhe traditat”.

Vendimin për mbylljen e TikTok-ut u cilësua nga opozita si censurë dhe më 15 mars kryetari i Partisë Demokratike thirri qytetarët në protestë.

“Me këtë akt censure të mbi 1 milionë përdoruesve të TikTok-ut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin,” theksoi Berisha.

Që në propozimin fillestar për mbylljen e platformës, më 20 nëntor 2024, ekspertë të shumtë ngritën alarmin mbi kontrollin politik në spektrin mediatik.

Sipas ministres Manistrliu nga 25 nëntori deri më 22 dhjetor qeveria ka zhvilluar mbi 1,300 konsultime me prindër, ku 90% e tyre mbështetën mbylljen e TikTok-ut. Por përveç kësaj pale interesi, qeveria nuk ka konsultuar asnjë ekspert të medias apo të komunikimit duke dalë në përfundime arbitare.

Elvin Luku pedagog në Departamentin e Gazetarisë ka analizuar më parë për Citizens se brezi i ri nuk ka nevojë për censurë, por për edukim, në mënyrë që të dije ti përdorë rrjetet në mënyrë kreative dhe të dobishme.

Akademiku Artan Fuga ka ngritur pyetjen se kush ka realizuar raporte, të cilat faktojnë se TikToku ka rritur dhunën te fëmijët.

Vetë kompania e platformës TikTok në një reagim të bërë më parë për gazetarin Llazër Semini për Associated Press, ka thënë se nuk ka prova që incidenti pranë shkollës “Fan Noli” të lidhet me platformën e saj, duke argumentuar se “videot e përmendura ndodheshin në një platformë tjetër [Snapchat]”.

Lexoni gjithashtu :

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW