Kryeministri Edi Rama, përmes një komunikimi në rrjetet sociale, iu përgjigj pyetjeve mbi projektin e ujësjellësit që synon të marrë ujin e fshatit Tragjas në Vlorë.
Prej shkurtit, banorët e këtij fshati po kundërshtojnë me forcë marrjen e ujit nga lumi Izvor. Të martën ata u përplasën me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Sipas tyre, projekti i ndërtimit të ujësjellësit nga kompania Gjoka Konstruksion, i cili do të dërgojë ujë në bregdetin e Himarës, favorizon komplekset turistike luksoze dhe lë pa ujë për vaditje tokat bujqësore të fshatit.
Banorët pretendojnë se nuk janë konsultuar për këtë projekt, por kryeministri Rama e mohoi këtë të enjten, duke thënë se “është krijuar konfuzion mbi çështjen” dhe se “projekti bazohet në një studim të mirëfilltë hidrologjik”.
“Jam përpjekur ta shpjegoj dhe ta ri-shpjegoj me ata që kam folur, që ky projekt bazohet në studime,” theksoi Rama në komunikimin e tij në rrjetet sociale.
Pretendimet e banorëve dhe mungesa e transparencës
Kreola Pulo, banore e Tragjasit, tha për Citizens se studimi i kryer nga kompania nuk është i plotë. Ajo e argumentoi këtë me faktin se sipas saj është realizuar në muajt më të lagësht të vitit dhe nuk ka marrë parasysh nevojat bujqësore të zonës.
“Kompania ka bërë një studim në muajt jo më të thatë të vitit dhe nuk ka marrë parasysh hapësirat bujqësore që kanë nevojë për vaditje, terrenin që fshati vet ka nevojë për ujë,” tha Pulo.
Citizens.al i kërkoi një koment kompanisë Gjoka Konstruksion për pretendimet e banorëve, por nuk mori përgjigje.
Pulo sqaroi se, sipas projektit, uji do të merret nga tre daljet kryesore të burimit të Izvorit, duke lënë rreth 80-90% të banorëve të varur nga puset, të cilat rrezikojnë të shterohen.
Për herë të parë, projekti për devijimin e ujit të Izvorit drejt Dhërmiut dhe bregdetit të Himarës u prezantua nga ministrja Belinda Balluku, e cila e cilësoi atë si “investim që i shërben turizmit në jug të vendit”.
Por, për banorët e Tragjasit, që janë të vendosur mes Dukatit dhe Orikumit, ky projekt është një kërcënim për zonën e tyre.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, kryeministri Rama deklaroi se projekti synon të ndihmojë edhe Tragjasin, duke i dhënë mundësi banorëve të investojnë në turizëm.
“Ne e shohim [Tragjasin] si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmin dhe agroturizmin. Ka një numër të madh emigrantësh që mund të kthehen e të investojnë,” tha Rama.
Por, banorët e Tragjasit janë të vendosur ta ndalojnë projektin dhe për këtë kanë nisur përgatitjet për një padi ligjore.
“Po luftojmë me mjete ligjore për të ndaluar këtë projekt, i cili nuk merr parasysh aspektet demografike, zhvillimin e zonës dhe nevojën e fshatit për ujë,” tha Pulo, e cila e konsideroi projektin “pa sens pasi aktualisht fshati është pa ujë.”
Tragjasi ishte pjesë e programit të mandatit të parë qeveritar “100 Fshatra,” i cili synonte investime në infrastrukturë dhe turizëm, por banorët thonë se nuk përfituan asnjë investim konkret.
Aktualisht, fshati përballet me mungesë investimesh dhe me rrezikun e humbjes së ujit të pijshëm e vaditës, një situatë e ngjashme kjo me banorët e Shushicës, të cilët gjithashtu kërcënohen nga një projekt ujësjellësi për Himarën.
Lexo gjithashtu:
- Banorët e Tragjasit në mbrojtje të lumit Izvor, përplasen me policinë
- Ujësjellësi i Himarës, institucionet shmangin takimin me banorët e Shushicës
- Beteja për të shpëtuar Shushicën nga Ujësjellësi i Himarës

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.