Citizens.al

Mbi 48 mijë votues nga diaspora mund ta ankimojnë online refuzimin në votime

Citizens.al/Procesi i votimeve, zgjedhjet në Shqipëri.

Mbi 48 mijë shqiptarë të diasporës morën refuzime në aplikimet e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por ata do të kenë mundësinë që ta ankimojnë vendimin.

Drejtuesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj konfirmoi për Citizens se tashmë ky grupim e ka dhe një mundësi tjetër për të votuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një platformë online, e cila do të presë ankesat e diasporës dhe nga ana tjetër ka ngarkuar Gjykatën e Tiranës që t’i shqyrtojë ato brenda 48 orëve.

“Me këtë procedurën e ankimimit online, që prej tani, janë zgjedhës të mundshëm. Kjo është fitore e madhe sepse s’ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri që të ankimohet diçka online,” tha Haçkaj për Citizens.

Aktualisht të konfirmuar me të drejtë vote nga vendbanimi ku jetojnë jashtë Shqipërisë për zgjedhjet e 11 majit janë 245 mijë e 975 persona. Procesi i regjistrimit të diasporës në platformën elektorinike PER (Platforma Elektronike e Regjistrimit) u mbyll më 4 mars, edhe pse Partia Demokratike kërkoi që afati të zgjatej deri të hënën e ardhshme, 9 mars.

PD kërkoi shtyrje afati jo vetëm për të refuzuarit, por edhe për të gjithë ata që nuk kishin pasur mundësi të aplikonin ende. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ishte dakord që të paktën të shtyhej afati për të refuzuarit, por në mbledhjen e KQZ-së nuk u gjet gjuha e përbashkët.

“Nuk jam tifoz i kërkesave të minutës së fundit, sigurisht që do të isha që afati të ishte më i gjatë nëse do të ishte mundësia ligjore, por punët nuk duhet të lihen në minutë të fundit. Nuk ka pse të ketë regjistrime nga 13 mijë në ditën e fundit, kurse ditët e tjera nga 500, etj.” u shpreh Haçkaj.

Numrin e kërkesave më të larta për të votuar e ka pasur diaspora e Italisë me 40.6% të totalit, e ndjekur më pas nga ajo e Greqisë 28.3%, Gjermanisë 10%, etj. Ndër kërkesat për të votuar, sipas qarqeve, kryeson Tirana me 20.4%, Fieri me 13.5%, Elbasani me 10.9%, etj.

Florian Haçkaj përmbledh se duke krahasuar parashikimet fillestare që mendohej se votuesit nga diaspora mund të varionin 5-10 mijë, numri i regjistruar prej rreth 246 mijë persona është goxha premtues. Ai përmbledh se një shifër e tillë mund të përmbysë rezultatin e votuesve brenda vendit.  

“Duke pasur parasysh që 60 mijë ishte ndryshimi midis humbësve dhe fituesve në 2021, patjetër që mund të ketë ndryshim, thjesht duhet të jenë oferta bindëse ato që ofrohen” thekson ai.

Sipas Haçkajt problematika e fundit, e cila ka mbetur e pazgjidhur është miratimi i aktit nënligjor, që ka të bëjë me numërimin dhe ruajtjen e votës së diasporës në momentin e mbërritjes në Shqipëri.

Për këtë është caktuar një mbledhje në fundjavë, rreth datës 9 mars nga kryekomisioneri për rregullimin e kësaj klauzole.

Citizens ka publikuar më herët edhe një podkast që trajton përfshirjen historike të votës së diasporës në zgjedhjet parlamentare të majit 2025.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW