Me një rishikim të kategorive, qeveria ka shkurtuar pagat e një pjese të edukatorëve dhe mësuesve të ciklit të ulët. Vendimi është ankimuar në Gjykatë Kushtetuese dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Pagat e një pjese të edukatorëve dhe mësuesve të ciklit të ulët janë rillogaritur me 5,000 më pak pas një vendimi të qeverisë marrë në qershor të vitit 2024.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) thotë se ky vendim ka prekur një në çdo tre punonjës të kësaj kategorie të arsimit.
“[Edukatorët] Paguhen nga bashkitë, por bashkitë i referohen kësaj VKM-je për pagat,” shpjegoi për Citizens.al Alma Lama, përfaqësuese e SBASH, e cila tha se njësoj preken edhe mësuesit e shkollave private.
Shqetësimi nisi me aplikimin e pagave të reja, që hyri në fuqi në korrik të vitit 2024.
“Vendimi ka sjellë pasoja, veçanërisht për mësuesit e arsimit fillor, të cilët janë diplomuar në ish-institutet e rretheve dhe që nuk i njihet diploma si studim i plotë për mësuesi, por vetëm si cikël i parë Bachelor,” tregoi Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Në këtë pikë Alma Lama nga SBASH thekson se ka mospërputhje pasi ata mësues kanë dalë me një titull në varësi të rregullave që ia mundësonte koha, ndërkohë me ciklin e rishikuar në ‘Bachelor’ nuk mund të bëhesh mësues.
Sipas Lamas, VKM-ja ka përmirësuar disa hallka, por ka bërë shkeljen e një të drejte të fituar më herët, sikurse është ajo e pagës së grupit.
“Për të njëjtën punë, dy mësues paguhen ndryshe. Ky është problem,” thekson ajo.
SBASH e ka dërguar VKM-në në Gjykatë Kushtetuese, ku kërkon rrëzimin e pjesshëm të saj me pretendimin që të mos preken pagat e grupit, pasi për të njëjtën punë paguhen ndryshe.
“Ne kërkojmë që, së pari, kjo pjesa e pagës së grupit të mos preket. Në qoftë se [qeveria] do ta trajtojë mësuesin që ka më shumë vite, le ta shprehë në një formë tjetër në zë, por jo të ulë pagën e grupit, ai mësues është i diplomuar, ai s’ka ‘Bachelor’ se me ‘Bachelor’ ti nuk futesh dot të japësh mësim,” argumenton Lama.
Qëndresa Qytetare ankesë te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Aktivistë të Qëndresës Qytetare dorëzuan një ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vendimin që ul pagën e arsimtarëve të arsimit fillor dhe parashkollor.
Sipas Kolindo Vjerdhës nga Qëndresa, vendimi ka sjellë pasoja të rënda në një kohë kur shteti nuk ka arritur të krijojë një sistem të mirë vlerësimi.
“Ne kurrë nuk e vlerësuam mësuesin bazuar në ngarkesën e punës. Ne nuk i dhamë atij vendin e merituar në shoqëri, madje për disa vite përçmuam arsimin e tyre duke e ulur mesataren për tu bërë mësues. Vlerësimi i vetëm sot mbetet karta e partisë, diploma e ministrisë dhe portali i qeverisë,” theksoi Vjerdho.
Sipas Qëndresës Qytetare ky vendim godet dinjitetin e mësuesve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për edukimin dhe formimin e brezave të rinj, ndaj do të vijojnë të jenë në mbështetje të tyre.
Prej korrikut të vitit 2024 pagat e mësuesve në Shqipëri shkuan në një mesatare prej 950 eurosh.
Mirëpo, krahasuar me vendet e tjera, arsimtarët e vendit tonë janë më të keqpaguarit në Evropë.
Sipas një raporti të “Education at a Glance 2024” (OECD) paga vjetore bruto për vitin 2022-2023 ishte 7,587 euro duke u renditur e fundit në Evropë, më poshtë se Maqedonia e Veriut me 8,632 dhe Bosnja dhe Hercegovina me 9,050.
Në krye të listës qëndron Zvicra me 92,920 euro në vit, Luksemburgu n 84,589 euro dhe Gjermania me 62,322 euro.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).