Thirrja e fuqishme “Mos ma prek lirinë!”, shoqëron sot marshimin e vajzave dhe grave për “8 Mars” në manifestimin për barazi, drejtësi sociale dhe një jete me më shumë dinjitet në Shqipëri.
Ndryshe nga viti i kaluar, ku fokusi ishte siguria, këtë vit thirrjet kryesore theksojnë varfërinë e vajzave dhe grave, si një pengesë madhore për lirinë.
Aktivistet e Kolektivit Feminist ngrenë zërin për gjendjen e rënduar ekonomike të grave dhe mungesën e politikave mbështetëse nga shteti.
Sipas Kolektivit Feminist, varfëria e grave është një pasojë e politikave të dështuara. Për këtë ata kërkojnë punësim, paga të drejta dhe më shumë mbështetje për gratë në nevojë.
Diana Malaj, aktiviste e Grupit ATA në Kamëz, e sheh protestën si një hap të domosdoshëm për të kundërshtuar diskriminimin, shtypjen, cenimin fizik e mendor ndaj grave, veçanërisht në zonat periferike.
“Marshimi është vendi ku duhet të jemi për t’i dhënë jehonë zërave mëvetësues të grave të Kamzës e të qyteteve të tjera, që përshkruhen si periferi, të cilat çdo ditë përballen me luftë e negocim për të drejtat e tyre,” u shpreh Malaj për Citizens.al.
Sipas Malajt, me politikat e dështuara dhe mosveprimin, shteti është bashkëpunëtor në dhunën sistematike ndaj grave.
“Marshimi është për gratë që ne njohim që kanë ndërtuar vende, qytete e botë, por që vështirë të regjistrohen publikisht apo t’u njihet çfarë kanë bërë,” vijoi Malaj.
Një sistem që diskriminon dhe dështon të mbrojë gratë
Avokatja e të drejtave të njeriut, Dea Nini, thekson se edhe në vitin 2025 të drejtat e grave mbeten të negociueshme dhe se institucionet dështojnë t’i mbrojnë ato.
“Shoh çdo ditë se si gratë, veçanërisht ato nga grupet më të margjinalizuara, përballen me dhunë fizike, ekonomike dhe emocionale, ndërsa sistemi dështon t’i mbrojë,” thotë Nini, duke theksuar se premtimet për drejtësi dhe barazi mbeten të zbrazëta.
Në këtë kontekst Nini thotë se proteston pasi barazia e vërtetë nuk mund të mbetet vetëm në letra.
Për gratë me aftësi të kufizuara, sfidat janë edhe më të mëdha. Aktivistja Suela Lala denoncon mungesën e aksesit dhe diskriminimin e shumëfishtë me të cilin këto gra përballen çdo ditë.
“Punësimi për gratë me aftësi të kufizuara është i papërfillshëm ndërsa ligji për nxitjen e punësimit nuk po respektohet, edhe gjashtë vite pas rishikimit të tij,” shprehet Lala.
Aktivistja Lala tregon se gratë me aftësi të kufizuara vuajnë edhe më shumë pasi kanë më tepër gjasa të përjetojnë dhunë në familje, nga partneri apo dhe nga institucionet.
Doruntina Vinca, pjesë e Kolektivit Feminist, e sheh këtë “8 Mars” si një përgjigje ndaj një bote gjithnjë e më patriarkale dhe mizogjene.
“Këtë vit marshojmë me sloganin ‘Mos ma prek lirinë’ si një kundërpërgjigje ndaj një kohe ku ideologjitë e rrezikshme, po zënë gjithmonë e më shumë vend në publiken tonë,” thekson Vinca, përkthyese dhe redaktore e teksteve feministe shqip.
Ndërsa Romina Sefa, aktiviste për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, sheh me shqetësim vijimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, faktit se sërish ka vrasje.
Ajo shton më tej se mungesa e lirisë dhe dhuna janë edhe më të pranishme mes grave nga komunitetet e margjinalizuara.
“Gratë rome dhe egjiptiane janë të padëgjuara, të papërfshira, pa jetë sociale, prandaj, sot protestoj për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse,” shprehet Sefa.
Ines Leskaj, përfaqësuese e Rrjetit të Fuqizimit të Grave, paralajmëron për një kthim prapa në të drejtat e grave. Ajo e argumenton këtë me faktin se shpesh për të fituar të drejtat vajzave dhe grave në Shqipëri u duhet të këmbëngulin me forcë ndërsa aktivistet po sulmohen vetëm për shkak të angazhimit në kauzat feministe.
“Po jetojmë në një kohë ku edhe gratë si ne që njohim të drejtat tona po sulmohemi vetëm se jemi aktiviste, se jemi gra dhe se jemi gra që themi të vërtetën. Ndaj, protestojmë kundër frikës dhe për të drejtat tona të patjetërsueshme,” përfundon Leskaj.
“Në Shqipëri gratë vriten!”
Dhuna ndaj grave vijon të mbetet plagë e hapur për shoqërinë shqiptare. Në shkurt të vitit 2025, Anila Prendushi u vra me armë në kokë nga partneri i saj, Kolë Manaj, në Shkodër. Mediat e raportuan rastin si “krim pasioni,” por në realitet, ky është një tjetër femicid.
Vetëm gjatë vitit 2024, numri i grave të vrara arriti në 17. Sipas një raporti të Avokatit të Popullit (përditësuar me numrin e vitit 2024), prej vitit 2010 në Shqipëri janë vrarë 176 gra me një mesatare tronditëse prej një viktime çdo 29 ditë.
Ndërkohë, në pesë vitet e fundit janë gjykuar 313 raste të dhunës në familje, por shumë gra vazhdojnë të heshtin, duke mos i denoncuar apo duke u tërhequr nga proceset ligjore.
Frika dhe mungesa e besimit te institucionet mbetet pengesë thelbësore për të ndryshuar situatën pasi statistikat zyrtare tregojnë se policia regjistron rreth 5,000 raste të dhunës në familje çdo vit, ku në 75% të rasteve viktimat janë gra.
Me përhapjen e teknologjisë, dhuna ka marrë forma të reja, duke përfshirë edhe hapësirat digjitale. Studimet tregojnë se rreth 40% e vajzave dhe grave që përdorin internetin kanë përjetuar dhunë online.
Raportet e policisë tregojnë për një trefishim të rasteve të shantazhit me materiale intime duke konfirmuar perceptimin e një përshkallëzimi të dhunës digjitale ndaj grave në Shqipëri.
Lexoni gjithashtu:
- “Rrënjët e Rezistencës”, një dokumentar për lëvizjen feministe në Shqipëri
- “Në rrjetën e frikës” një dokumentar për dhunën digjitale
- “Gjurmët e dhimbjes” një dokumentar për ciklin e dhunës me bazë gjinore

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).