Prej vitit 2018, Kolektivi Feminist, një grup aktivistesh që luftojnë për barazi gjinore, ka rikthyer simbolikën e vërtetë të 8 Marsit në Shqipëri: protesta dhe marshime për të drejtat e grave.
Për disa dekada, përmes propagandës, diktatura komuniste e konsideroi të zgjidhur çështjen e të drejtave të grave. 8 Marsi u lidh me festën e mësuesit dhe të dy datat u njohën si festa.
Por pas rënies së diktaturës, shoqëria rifitoi lirinë për të artikuluar problemet sociale, pabarazinë dhe dhunën ndaj grave, duke nxitur aktivizmin dhe përpjekjet për rikthimin e 8 marsit, si dita që shënon betejën për të drejtat e grave.
Ndër vite janë organizuar protesta kundër pabarazisë gjinore dhe femicidit, por tradita e një proteste të përvitshme nisi dekadën e fundit.
Çdo vit, aktivistet e Kolektivit Feminist, së bashku me grupe të tjera që mbrojnë të drejtat në punë dhe të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, zgjedhin një tematikë për të cilën të ngrenë zërin.
Në vitin 2019, protestueset u veshën simbolikisht me të zeza duke mbajtur pankarta po ashtu të zeza, në një protestë që u quajt “Protesta e Zisë”. Ajo synoi të përkujtonte gratë e vrara nga partnerët, ish-partnerët apo familjarët. Kërkesa kryesore ishte për një sistem funksional mbrojtjeje për çdo individ.

Viti 2020 pati protestë me sloganin “E kthejmë shtypjen në fuqi,” një mesazh solidariteti për gratë që nuk kishin mundësi të dilnin në shesh. Kjo protestë shprehu mbështetje për viktimat e dhunës dhe atyre që përballen me diskriminim ekonomik apo të ngacmimeve seksuale.

Në kulmin e pandemisë Covid-19, në vitin 2021, protestueset marshuan me mesazhin “Nga gratë për gratë,” duke vendosur fokusin te puna e papaguar dhe roli i grave në familje e shoqëri. Me moton “Patriarkat, Pandemi, Pabarazi,” – në lojë me fjalët Partneritet Publik Privat, – ato kërkuan ndarje të drejtë të përgjegjësive në shtëpi, paga të barabarta dhe luftë ndaj diskriminimit gjinor në punë.

Viti 2022 u përqendrua te viktimat e dhunës me bazë gjinore. Aktivistet bënë një aksion simbolik, duke përmendur emrat dhe arsyet e vrasjes së 20 grave gjatë vitit 2021, duke theksuar faktin se shumica e ngjarjeve kishin ndodhur brenda familjes.
Emrat e këtyre grave u vendosën poshtë adresave të 20 rrugëve si shenjë simbolike për të ndërgjegjësuar më shumë shoqërinë.

Një vit më vonë, në 2023, slogani i protestës ishte “Marshojmë, s’festojmë,” një përpjekje për të sfiduar perceptimin e 8 Marsit si një ditë feste dhe për të kërkuar që femicidi të trajtohej si emergjencë kombëtare. Aktivistet kërkuan forcimin e dënimeve për autorët.

Në vitin 2024, nën moton “Nata është e jona,” protesta vuri theksin te siguria e grave dhe vajzave në hapësira publike, rrugë dhe ambiente pune. Me 23 viktima të femicidit gjatë vitit 2023, aktivistet e Kolektivit Feminist kërkuan masa konkrete për mbrojtjen nga dhuna.

Protesta e vitit 2025 u përqendrua te varfëria dhe ndikimi i saj në jetën e grave. Me moton “Mos ma prek lirinë,” gratë marshuan duke theksuar se varfëria nuk është fat, por një padrejtësi që kufizon lirinë dhe ëndrrat e tyre.
“Varfëria është dhuna e përditshme që na e vjedh lirinë dhe na kufizon ëndrrat. Është politika e keqe dhe shteti që na ka lënë pas dore,” u shpreh Zhaklin Lekatari, e cila lexoi komunikatën e protestës së Kolektivit.

Në më shumë se një dekadë, Kolektivi Feminist ka treguar se 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për festë, dhurata e urime, por një moment për të ngritur zërin për të drejtat e grave.
Çdo vit, tematika e zgjedhur ka reflektuar sfidat dhe padrejtësitë që gratë përballin, duke e bërë këtë protestë një nga më të rëndësishmet për barazinë gjinore në Shqipëri.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.