Prej disa ditësh, minatorët e Bulqizës kanë bojkotuar punën në galeritë e kompanisë Albchrome. Ata kundërshtojnë një urdhër që i nxjerr në punë edhe të shtunave ndaj kërkojnë që kompania të respektojë kontratat dhe gjithashtu t’i përmbahet zotimeve për rritje pagash.
Albchrome numëron rreth 600 punonjës ku rreth 350 prej tyre janë minatorë. Në kontrata parashikohen 22 ditë punë në muaj, por shumicës u është kërkuar të punojnë edhe të shtunave. Punonjës i thanë Citizens.al se prej muajit janar u është premtuar rritje pagash, por nuk ka ndodhur.
Deri më tani, nuk ka pasur negociata mes palëve. Nisur nga përvojat e shkuara, ku punonjësit që përfaqësuan protestat u larguan nga puna, minatorët nuk kanë pranuar të dërgojnë përfaqësi, duke këmbëngulur që kompania t’u pranojë kërkesat pa kushte.
Nëse situata nuk zgjidhet, ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, deri në grevë urie dhe bllokim të prodhimit të kromit.

Kushtet e punës dhe sfidat sindikale
Kompania Albchrome është kritikuar shpesh për kushte të vështira pune dhe mungesë sigurie, gjë që ka sjellë aksidente, disa edhe fatale.
Përpjekjet për të krijuar një sindikatë të pavarur në Bulqizë janë shoqëruar me presione nga kompania. Në periudhën 2019-2020 nëntë minatorë humbën vendin e punës për shkak të angazhimit të tyre sindikal.
Alfred Bushi, aktivist i Lëvizjes Bashkë dhe organizator sindikal, tha për Citizens se organizimi në miniera ka qenë gjithmonë sfidë për shkak të faktorëve të jashtëm.
“Ato që e bëjnë të vështirë janë faktorë që shkojnë përtej punëtorëve”, theksoi ai.
Sipas Bushit, problemet më të mëdha janë mosrespektimi i ligjeve, sindikatat e korruptuara dhe indiferenca e institucioneve shtetërore. Inspektorati i Punës, në rastin më të mirë, nuk ndërhyn, ndërsa në rastin më të keq, sipas tij, favorizon kompanitë kur lindin konflikte me punëtorët.
Kërkesat e minatorëve: Paga dinjitoze dhe statusi i minatorit
Minatorët kërkojnë rritje pagash për shkak të inflacionit dhe vështirësisë së punës, përmirësim të kushteve dhe të drejtën për organizim sindikal, e cila, sipas tyre, vazhdon të mbetet një tabu në Bulqizë.
Një tjetër kërkesë e kahershme është miratimi i Statusit të Minatorit, një çështje e ngritur prej dekadash nga minatorët dhe ish-minatorët. Edhe pse ata i kanë dërguar peticione të vazhdueshme Kuvendit, kërkesa e tyre nuk ka marrë përgjigje konkrete.

“Problemet vijojnë pavarësisht viteve, sepse sa herë ka pasur organizim, kompanitë kanë ushtruar presion ndaj punëtorëve, ndërsa institucionet përkatëse kanë heshtur”, tha Bushi për Citizens.al.
Megjithatë, minatorët nuk kanë hequr dorë nga lufta për të drejtat e tyre, duke sfiduar presionet dhe kushtet e vështira të punës. Bojkoti i nisur këtë javë është një tjetër përpjekje për kushte më të mira dhe trajtim më dinjitoz.
Citizens iu drejtua Albchrome për një koment mbi situatën dhe kërkesat e minatorëve, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Biznesi i kromit në Bulqizë
Minierat e Bulqizës janë ndër burimet më të mëdha të kromit në Shqipëri. Ato u gërmuan gjerësisht pas vitit 1948 duke u lidhur me uzinat e pasurimit dhe ferro-kromit në Burrel e Elbasan, por me rrëzimin e diktaturës dhe vështirësitë ekonomike të viteve 1990-2000 ato u dhanë me koncesion.
Minierat dhe uzinat iu dhanë fillimisht grupit italian Darfo, e më pas një grupi austriako-rus, – DCM Deco-Metal dhe Terwngo, – të cilët e ndryshuan emrin e kompanisë në “Albanian Chrome shpk” (ACR).
Viti 2013 ishte i vështirë për punonjësit e minierave, të cilët nisën një sërë protestash për paga dhe kushte më të mira.

Nën këtë dinamikë, DCM Deco-Metal u ble nga Balkan Finance Investment Group (Balfin), e cila në vitin 2016 finalizoi blerjen e gjithë kompanisë ACR për 2 milionë euro. ACR u kthye në Albchrome dhe përfitoi zgjatje me 10 vjet të koncesioneve të shfrytëzimit minerar deri në vitin 2040.
Por pavarësisht ndryshimit të pronësisë problemet në minierat e Bulqizës vijuan. Mungesa e sigurisë dhe pagave dinjitoze shoqëruan përgjatë gjithë viteve zotërimin e Balfin-it.
Periudha 2019-2021 u shoqërua me protesta dhe greva të ashpra, pas së cilave në janar 2022 Balfin zyrtarizoi largimin nga Albchrome, të cilën ia kaloi për 77 milionë dollarë kompanisë turke të Yildirim International Mining, të zotëruar nga vëllezërit Ali Riza dhe Yüksel Yıldırım, ky i fundit president i klubit të futbollit Samsunspor.
Protestat e fundit tregojnë se problemet për punonjësit e minierave të Bulqizës nuk janë zgjidhur.
“Pas shumë vitesh minatorët janë në të njëjtat kushte”, thotë Alfred Bushi, “Asgjë nuk ka ndryshuar, ata vijojnë të kërkojnë gjëra themelore dhe të domosdoshme”.
Lexoni gjithashtu:
- Ish-minatorët dhe pensionistët një vit në protestë
- Minatorët e Bulqizës i kërkojnë rritje të pagave kompanisë Albchrome
- Minatorët i drejtohen institucioneve me mbi 10 mijë firma për miratimin e statusit

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.