Citizens.al

“Të raportosh politikën, kur transparenca bëhet betejë”

Ilustrim, Blerina Gjoka, gazetare e BIRN Albania.

Blerina Gjoka është gazetare me përvojë në raportimin politik dhe investigativ në Shqipëri. Prej vitit 2001, ajo ka qenë e pranishme në fushën e medias, duke nisur karrierën në gazetën Albania ndërsa ishte ende studente për “Gjuhë-Letërsi”.

Pasioni për të shkruar dhe dëshira për të informuar publikun e shtynë natyrshëm drejt gazetarisë, profesion që e përshkruan si ëndrrën e saj të hershme.

Sot, Blerina punon pranë Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve Investigativë (BIRN) në Shqipëri, ku fokusohet në raportimin mbi Kuvendin, transparencën dhe llogaridhënien institucionale. Ajo hulumton ligjet dhe efektet e tyre në shoqëri, duke synuar të zbulojë ndikimet e drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve.

“Rolin e gazetarit dhe të shoqërisë civile e shoh shumë të rëndësishëm për sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies për çdo institucion publik,” shprehet Blerina për Citizens.

Fillesat e gazetarisë 

Duke kujtuar hapat e parë në këtë profesion, Blerina rrëfen emocionin e parë kur pa emrin dhe artikullin e saj të publikuar në gazetë. Ai shkrim, një profil i aktorit Ilia Shyti, zbulonte një anë të panjohur të tij, pasionin për pikturën.

Por ndonëse nisja e saj ishte e lidhur me letërsinë dhe reportazhin kulturor, rruga profesionale e çoi drejt politikës dhe raportimit nga Kuvendi.

“Duke ardhur nga studimet e letërsisë, ishte një sfidë për mua të kuptoja funksionimin e politikës, por me kalimin e kohës kuptova se burimet më të rëndësishme për informacion nuk janë vetëm deputetët, por edhe administrata,” tregon ajo.

Në fillim të viteve 2000, raportimi politik ishte më i ndërlikuar për shkak të mungesës së teknologjisë dhe transparencës. Gazetarët duhet të gjenin vetë draft-ligjet dhe të kërkonin informacion në mënyrë aktive, pa pasur akses të lehtë në dokumente publike si sot.

Megjithatë, sipas Blerinës, sfida më e madhe për gazetarët ka mbetur e njëjtë: mungesa e transparencës.

Të raportosh politikën

Gjatë karrierës së saj, Blerina është përballur me sfida të shumta, përfshirë kërcënime dhe tentativa për intimidim.

Një rast i tillë ishte raportimi për “Amnistinë Penale” në vitin 2024, kur amendamente të minutës së fundit dhe marrëveshje të fshehta mes opozitës dhe mazhorancës u munduan të përfshinin në falje të dënuarit për korrupsion dhe krim të organizuar.

“Të dyja palët tentuan ta manipulonin situatën dhe ta shisnin si një ndryshim të parëndësishëm, madje bënë dhe akuza publike ndaj punës sime,” kujton Blerina.

Megjithatë, ajo vijon të mbrojë parimin se një gazetar nuk duhet të ndalet kurrë së kërkuari të vërtetën, veçanërisht kur bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve publike dhe zbatimin e ligjeve nga zyrtarët shtetërorë.

Në retrospektivë, Blerina e sheh me shqetësim degradimin e transparencës në raportimin parlamentar. Në vend të analizës dhe investigimit, sipas saj, mediat sot riprodhojnë vetëm materialet e gatshme të PR-it politik.

“Sot, gazetarët nuk lejohen të ndjekin nga afër aktivitetet e kryeministrit apo të zyrtarëve të lartë, pasi gjithçka është e regjizuar paraprakisht. Disa televizione madje e transmetojnë live këtë propagandë pa asnjë filtër, duke humbur thelbin e gazetarisë,” thekson ajo.

Duke krahasuar periudhën kur nisi gazetarinë me situatën aktuale, ajo shprehet se dikur ishte më e vështirë nga ana teknike, por më e vërtetë nga ana e përmbajtjes.

“Sot, do të zgjidhja një mijë herë të kthehesha pas, kur raportimin e bënim pa telefon e rrjete sociale, por duke qenë fizikisht në institucione për të gjetur lajmin vetë, sesa të përcillja propagandën e gatshme që shpërndahet sot,” thotë ajo me keqardhje, duke shtuar se ka ende pak gazetarë dhe media që përpiqen ta sfidojnë këtë realitet.

Sipas Blerinës, mënyra e vetme për të ruajtur profesionalizmin dhe integritetin në këtë mjedis, është qëndrueshmëria ndaj parimeve të gazetarisë.

“Të kërkosh dhe të luftosh vetëm për të vërtetën, duke pasur gjithmonë në mendje një pyetje ‘A është kjo në interes të publikut?’, kjo është pyetje qe duhet të drejtojë një gazetar,” thotë Blerina.

Në një klimë ku censura dhe interesat private shpesh diktojnë agjendën mediatike, Blerina Gjoka mbetet një zë i rëndësishëm i gazetarisë investigative në Shqipëri, duke i qëndruar besnike rolit të saj si vëzhguese kritike e pushtetit dhe mbrojtëse e transparencës publike.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW