Citizens.al

Apeli lë në burg kryebashkiakun Erion Veliaj

Ilustrim, kryebashkiaku Erion Veliaj.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit, duke lënë të lirë Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ta hetojë për korrupsion dhe pastrim parash. Kështu vendosi sot Apeli Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Nën gjykimin e gjyqtarit Engert Pëllumbi, Apeli la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Veliajn, masë e vendosur një muaj më parë nga gjyqtari Erjon Bani. Ngjashëm, nuk pati lehtësim as për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxën, e cila kishte kërkuar zhbllokimin e llogarive bankare personale dhe të zyrës së saj ligjore Partners Law.

Të vetmit që iu ndryshua masa, ishte sipërmarrësit Elman Abule, i dyshuar për “korrupsion” dhe “pastrim parash”. Apeli e kaloi nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, masë e ngjashme me Xoxën.

Vendimi i Apelit u mor pas një procesi tre-ditor, i cili u shty për shkak të paraqitjes së provave të reja nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.

Burime thanë për mediat se hetuesit kanë fiksuar në mjediset e paraburgimit momente kur kryebashkiaku udhëzon të afërmit që të nxisin një fushatë mediatike sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjyqtarit Bani.

Prej 10 shkurtit, në profilet personale të Veliajt në rrjetet sociale, janë botuar të paktën 30 shkrime, në të cilat ai sulmon dhe denigron figurat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në çështje.

Përveç kësaj, pavarësisht se është në paraburgim, Veliaj u përfshi në të paktën dy emisione të politikës duke përcjellë në redaksitë e mediave “versionin e tij të burgosjes pa gjyq”.

Në këtë kontekst SPAK ka arsyetuar sërish masën e arrestit me rrezikun që Veliaj paraqet për hetimet.

Kryebashkiaku, i cili ka mohuar të gjitha dyshimet për korrupsion apo pastrim parash, ka kundërshtuar provat e reja dhe ka kërkuar që gjyqi të zhvillohej me dyer të hapura.

Megjithatë, Apeli i GJKKO nuk pranoi as kërkesën për lirimin e tij kundrejt një garancie pasurore.

Ndërkohë, masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” nuk ka ndryshuar për biznesmenët që po hetohen për përfshirje në skemën e pastrimit të parave: Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Kryebashkiaku Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 nën dyshimin se ai dhe bashkëshortja janë përfshirë në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash duke përfituar nga lejet dhe tenderët e dhënë në favor të një grupi sipërmarrësish.

Hetimet paraprake të SPAK thonë se çifti Veliaj-Xoxa mund të ketë përfituar rreth 1.1 milionë euro në mënyrë të jashtëligjshme, duke përdorur organizata joqeveritare të drejtuara nga Xoxa.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW