Citizens.al

Këshilli i ri Drejtues, organizatat e medias: RTSH rrezikon të kapet politikisht

Ilustrim, nga hyrja e RTSH-së/Citizens.al

Procesi i zgjedhjes së Këshillit të ri Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) ka nxitur shqetësime për politizim të mëtejshëm të së vetmes media publike në Shqipëri. Përfshirja në listën e kandidatëve të disa figurave publike, që në të shkuarën janë angazhuar në politikë, ka sjellë reagime nga organizatat e medias.

Në një deklaratë, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) e cilësoi përzgjedhjen e 67 kandidatëve përfundimtarë që kanë kaluar për miratim në Kuvend si “ndarje e balancuar” mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, duke ngritur dyshime për ndikimin politik në vend të një përzgjedhjeje mbi bazë merite. Ngjashëm reagoi edhe Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Këshilli i mëparshëm u shkri nga Kuvendi disa javë më parë pas akuzave për shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të RTSH-së. Ky organ kërkon 10 anëtarë dhe një kryetar. Kandidaturat e miratuara, u dëgjuan nga Komisioni për Edukimin dhe Mediat më 10 dhe 11 mars.

Në listën e anëtarëve të rinj, të cilët pritet të votohen në parlament, përfshihen figura publike nga arti dhe media si Rajmonda Bulku, Osman Mula, Petrit Beci, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Eno Civici, Alket Brahi, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita. Për kryetar të Këshillit Drejtues janë propozuar Helidon Haliti dhe Fatjon Hoxhalli.

Për emra si Hoxhalli, Braho, Civici dhe Bulku, të cilët kanë pasur detyra politike – këshilltarë, ish-zëvendësministër, deputete, – SCiDEV shprehu shqetësim konkret.

Kriteret e përzgjedhjes në Këshillin Drejtues bazohen kryesisht te përvoja, – jo më pak se 10 vjet – e punës në fushën e medias, artit, ekonomisë dhe drejtësisë. Por ato ndalojnë kandidimin vetëm të anëtarëve të partive dhe personave në konflikt interesi me detyrën.

Sidoqoftë, SCiDEV thotë se kjo situatë “ngre shqetësime për ndikimin partiak, në vend të një procesi të bazuar në profesionalizëm dhe pavarësi”.

“Ky aranzhim ndërpartiak rrezikon të vazhdojë politizimin e RTSH-së, në vend që të sigurojë autonominë e tij. Në parim, Këshilli i ri Drejtues duhej të ishte i lirë nga besnikëritë e ngushta partiake”, thuhet më tej në deklaratë.

Bleriana Bino, përfaqësuese e Qendrës “SCiDEV” dhe Rrjetit SafeJournalists shprehet për Citizens.al se Këshilli Drejtues dhe drejtuesi i RTSH-së duhet të jenë të pavarur sepse ndihmon në transparencë dhe performancë .

“Vetëm përmes pavarësisë mund të shtohen incentivat për ta ndryshuar “status quo-në” dhe për të përmirësuar në terma transparence, por edhe në terma të përmirësimit të performancës”, shpjegon Bino.

Sipas Binos, RTSH-ja nuk duhet ta shikojë veten vetëm si transmetuesi publik.

“Duhet ta shikojë dhe transformojë veten drejt medias të shërbimit publik. Mediat e shërbimit publik e kanë interesin publik dhe qytetar në fokus. Siç është tani e politizuar është ruajtje e “status quo-së” dhe plotësim i agjendave politike të të dyja palëve”, argumenton Bino.

Organizata i ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit, në rast se zgjidhen, të mbajnë qëndrim të pavarur në përzgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH-së.

“Një vendim transparent dhe mbi bazë merite është thelbësor për të dëshmuar angazhimin e RTSH-së për t’i shërbyer publikut dhe jo axhendave partiake,” përfundoi në deklaratën e saj SCiDEV.

Për AGSH procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit Drejtues ka qenë një proces i bazuar në ligj, por fatkeqësisht “Kuvendi dhe Komisioni i Medias dështuan për të zgjedhur emra të pavarur politikisht”.

“Shumë prej emrave janë zyrtarë politikë ose ish-funksionarë politikë, çka e bën procesin të kompromentuar dhe Këshillin e ri të kontrolluar politikisht, e për pasojë një RTSH të kapur nga politika,” tha për Citizens.al Isa Myzyraj nga AGSH.

SCiDEV paralajmëron se ky model negociatash politike mund të cenojë më tej pavarësinë e RTSH-së, duke lënë të hapur mundësinë që edhe drejtori i ardhshëm i institucionit të emërohet përmes “pazareve politike” dhe jo mbi bazë merite e transparence.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW