Citizens.al

Pas 20 vitesh premtime tuneli i Murrizit plotëson rrugën e Arbrit

Ilustrim nga hapja e një prej tuneleve të "Rrugës së Arbrit".

Prej ditës së sotme, qytetarët e verilindjes së Shqipërisë do të mund të përshkojnë të plotë “Rrugën e Arbrit”, e cila lidh Tiranën me Dibrën.

“Dibra bëhet njëherë e mirë lagjja e gjelbër e Tiranës”, njoftoi në Facebook kryeministri Edi Rama në dialekt të Shqipërisë së Mesme pak orë para inaugurimit të tunelit të Murrizit, të cilin zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e ka cilësuar “një vepër sfiduese infrastrukturore që mori kohë”.

Megjithatë, prej vitit 2003, “Rruga e Arbrit” ka qenë një premtim i vazhdueshëm, shpesh i shndërruar në “trofe” elektoral për plot gjashtë qeveri të ndryshme.

20 vite premtime, 20 vite pritje

Studimi i fizibilitetit për “Rrugën e Arbrit” përfundoi në vitin 2003, ndërsa një vit më vonë projekti u miratua në Këshillin Kombëtar të Rrugëve nga qeveria socialiste e Fatos Nanos (2002-2005).

Projekti nis nga dalja verilindore e Tiranës në “Shkallën e Tujanit” drejt Maqellarës në dalje të fshatit Bllatë në kufi me Maqedoninë e Veriut për një total prej rreth 73.5km. Ai përfshinte gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Në zgjedhjet e vitit 2005, rruga ishte një nga premtimet kryesore të të dyja kampeve politike.

Pak para zgjedhjeve, ish-kryeministri Nano përuroi fillimin e punimeve në dalje të Bulqizës, por ato u ndërprenë një muaj më vonë për t’u vijuar më pas nga dy qeveritë e ish-kryeministrit Sali Berisha (2005-2013).

Në vitet 2008-2009 investimet vijuan në pjesët që lidheshin me Bulqizën drejt Urës së Çerenecit dhe Urës së Vashës. Por punimet ecën me ritme të ngadalta duke u ndërprerë disa herë. Kjo bëri që rruga të ishte sërish temë fushate në zgjedhjet e vitit 2013.

Ilustrim, gjurma e Rrugës së Arbrit në hartë.

Qeveria e parë e kryeministrit Edi Rama (2013-2017) premtoi vijimin e punimeve në tërë gjurmën e projektit brenda vjeshtës së vitit 2013, por situata nuk ndryshoi shumë. Për dy vite u përurua vetëm tuneli i parë.

Rama justifikoi vonesat me “550 milionë dollarë borxhe të trashëguara nga qeveria e mëparshme”.

Sidoqoftë, kostot e mëdha shtynë qeverinë që në vitin 2016 të negocionte për një formulë koncesioni me një kompani kineze, por bisedimet u ndërprenë për shkak të kërkesës së lartë.

Gjatë vitit elektoral 2017, Rama deklaroi disa herë se rruga do të niste brenda vitit. Në qershor të po atij viti, ai përmendi se kontrata me një sipërmarrje private do të nënshkruhej në gusht dhe punimet do të fillonin në shtator. Mirëpo, puna nuk nisi gjithsesi.

Punimet do të nisnin zyrtarisht në qershor 2018 gjatë qeverisë së dytë Rama (2017-2021) nga koncesionari “Gjoka Konstruksion” sipas një kostoje prej rreth 40 miliardë lekësh (mbi 350 milionë euro).

Në momentin e nënshkrimit të kontratës “Rruga e Arbrit” kishte të përfunduar plotësisht rreth 20 kilometra dhe pjesërisht 15 kilometra të tjera. Për të përballuar kostot fillestare Gjoka Konstruksion mori 95 milionë euro hua.

Tuneli i Murrizit, “ngërçi” i Rrugës së Arbrit

Tuneli i Murrizit, me gjatësi 3.8 kilometra, është vepra më e rëndësishme e rrugës. Punimet nisën në vitin 2019, ndërsa kontrata koncesionare parashikonte “13 vite ndërtim, operim dhe mirëmbajtje”.

Fillimisht, rruga ishte planifikuar të hapej në prill 2020, por vonesat në investime gjatë periudhës 2019-2020 (diktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia) e shtynë afatin.

Më 29 nëntor 2021, qeveria organizoi një përurim të përkohshëm me kalim provizor nëpërmjet një “bypass”-i prej 8.8 kilometrash, pasi tuneli nuk kishte përfunduar, kryesisht për shkak të problemeve gjeologjike.

Qafa e Murrizit u kthye në rrugë të rrezikshme pas shumë aksidentesh, sidomos gjatë periudhave me reshje. Ndërkohë, projekti teknik i tunelit u ndryshua në vitin 2020, por publiku u njoh me këtë fakt vetëm dy vite më vonë.

Sipas kontratës, rruga duhej të mbaronte në prill 2022, por afati u shty fillimisht për shtator 2023 dhe më pas për në maj 2025.

Deri tani, kompania koncensionare ka marrë rreth 13 miliardë lekë (130 milionë euro) financim.

Rruga e Arbrit, përveçse shkurton kohën e udhëtimit dhe afron Dibrën me Tiranën, pritet të ketë ndikim edhe në zhvillimin turistik të zonave përreth.

Teksa qeveria e tretë Rama (2021-2025) po sheh drejt zgjedhjeve të 11 majit, kryeministri duket se e ka kthyer në zotimin e radhës për fushatë se sa të jetë ai kryeministërrruga do të jetë pa pagesë”.

Koncesioni i “Rrugës së Arbrit” ka kaluar gjysmën e afateve kontraktuale, por nuk është e qartë se si do të veprojë qeveria për të shmangur pagesat direkte nga qytetarët në kalime.

Aktualisht qytetarët paguajnë për të kaluar “Rrugën e Kombit” dhe “Rrugën Thumanë-Kashar”.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW