Citizens.al

Kuvendi voton Këshillin e ri Drejtues të RTSH-së

Ilustrim nga Kuvendi dhe RTSH-ja.

Kuvendi votoi sot 11 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Pavarësisht thirrjeve nga organizatat e medias, ndër emrat e votuar kaluan edhe ata me të shkuar në politikë.

Petrit Beci, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho, Rajmonda Bulku, Eno Civici dhe Alket Braho morën votat e deputetëtve duke fituar një vend në Këshillin Drejtues.

Mes Helidon Halitit dhe Fatjon Hoxhallit për pozicionin e Kryetarit të Këshillit Drejtues, me 74 vota “pro” u zgjodh Hoxhalli, kundrejt vetëm 10 votave që mori Haliti.

Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ngritën shqetësimin pak ditë më parë se Bulku, Civici, Braho dhe Hoxhalli vinin nga një e shkuar me aktivitet të hapur politik si deputetë, zëvendësministër apo dhe këshilltarë.

“Parlamenti tregoi se interesat e ngushta partiake mbizotëruan mbi interesin publik […] i mohuan sot publikut mundësinë që RTSH të jetë një institucion dinjitoz dhe i pandikuar politikisht,” tha në një reagim AGSH.

“Ky aranzhim ndërpartiak rrezikon të vazhdojë politizimin e RTSH-së, në vend që të sigurojë autonominë e tij. Në parim, Këshilli i ri Drejtues duhej të ishte i lirë nga besnikëritë e ngushta partiake”, u tha në një deklaratë të mëparshme nga SCiDEV.

Zgjedhja e Këshillit të ri Drejtues vjen pas shkarkimit të atij të mëparshmit më 17 shkurt pas një periudhe tensionesh dhe akuzash për shkelje ligjore dhe mungesë transparence në menaxhimin e institucionit.

Kriza në RTSH përshkallëzoi pas dorëheqjes së Drejtorit, Alfred Peza, në shtator 2024, dhe problematikave të shfaqura në emërimin e drejtorit të ri.

Me një vonesë të pashpjeguar në hapjen e garës, Këshilli i shkuar, nuk aplikoi në janar rregullore dhe votë të fshehtë në përzgjedhjen dhe vlerësimin e kandidatëve, të cilëve nuk iu kërkua as dokument për pastërtinë e figurës.

Përzgjedhja e vetëm dy prej dhjetë kandidatëve të paraqitur për Drejtor të Përgjithshëm nuk mori shpjegime të qarta dhe nxiti spekulime për garë të paracaktuar ku në fazën finale u lanë Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo, e cila aktualisht drejton RTSH-në si drejtuese e komanduar.

Pasi çështja kaloi në Komisionin e Medias, u vendos që të gjithë anëtarët të shkarkoheshin: Leka Bungo, Gëzim Podgorica, Genc Përmeti, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.

Me emërimin e Këshillit të ri, shmanget situata e një krize edhe më të madhe, pasi në fund të muajit mars duhej që me firmë të Këshillit të miratohej buxheti i RTSH-së.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW