Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me sfida sistematike të lidhura me paqëndrueshmërinë politike, progresin e ngadaltë ekonomik dhe përjashtimin social, duke ndikuar drejtpërdrejt në perspektivat e tyre për të ardhmen.
Një raport i përbashkët i organizatave HERA në Maqedoninë e Veriut, CPPSD në Serbi, Qëndresa Qytetare në Shqipëri dhe ORCA në Kosovë vlerëson politikat rinore, aktivizmin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në këto vende, duke nxjerrë në pah mangësitë e mëdha në mbështetjen institucionale për ta.
Sipas raportit, ndonëse ekzistojnë strategji për rininë, pjesëmarrja e të rinjve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal mbetet e kufizuar. Ndërkohë, emigrimi i të rinjve është një nga shqetësimet kryesore për të gjitha vendet e rajonit.
“Megjithëse janë ndërmarrë reforma arsimore, ekziston një mungesë e madhe e lidhjes midis sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës, sidomos në arsimin profesional”, thuhet në raport.
Papunësia dhe mungesa e perspektivës ekonomike
Një nga sfidat kryesore mbetet papunësia dhe pasiguria ekonomike, që po detyron shumë të rinj të rajonit të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit.
“Jetojmë në një rajon ku të rinjtë vuajnë nga mungesa e një sistemi të mirë edukimi, të një jete kulturore, për të gjithë ne, kjo është një shenjë për të vepruar menjëherë”, u shpreh Migen Qiraxhi nga organizata Qëndresa Qytetare gjatë prezantimit të raportit.
Nga ana tjetër, Rron Gjinovci nga Qendra ORCA në Kosovë theksoi se institucionet në rajon kanë dështuar të përshtaten me ndryshimet e shpejta teknologjike, duke i lënë të rinjtë pa mbështetjet e duhura.
“Hapësirat e dedikuara për të rinjtë janë të papërditësuara dhe shpesh të braktisura. Të rinjtë e rajonit shkojnë klubeve për t’u arratisur nga realiteti i vështirë, pavarësisht potencialit që është sot për zhvillim falë arritjeve shkencore dhe teknologjike,” deklaroi Gjinovci.
Sfida në përfaqësimin rinor dhe shërbimet shëndetësore
Në Shqipëri, pavarësisht krijimit të Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencisë Kombëtare për Rininë, ende ekzistojnë boshllëqe të mëdha në përfaqësimin rinor dhe funksionimin e strukturave si Këshilli Kombëtar Rinor, veçanërisht në hapësirat online.
Raporti vë në dukje edhe sfidat në shërbimet shëndetësore për të rinjtë. Në Shqipëri, edukimi mbi seksualitetin është i integruar në kurrikulat shkollore, por shërbimet miqësore për adoleshentët dhe mbështetja për shëndetin mendor mbeten të pamjaftueshme.
Në Kosovë, problemet e shëndetit mendor te të rinjtë janë në rritje, të përkeqësuara nga pasiguria ekonomike dhe presioni social.
“Shërbimet për shëndetin seksual dhe riprodhues mbeten të pamjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale. Stigma pengon shumë të rinj të kërkojnë kujdes dhe ndihmë për shëndetin mendor,” thuhet në raport.
Lexo raportin e plotë:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).