Gjykata Kushtetuese ka pranuar përfshirjen e organizatave mjedisore si palë të treta në gjykimin kushtetues të nisur nga një e pesta e deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.
Seanca, e cila do të jetë publike, do të zhvillohet më 3 qershor 2025. Organizata si “Eco Albania” dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) do të përfaqësohen nga avokatët e qendrës “Res Publica” dhe studios ligjore “Meçi”.
“Përfshirja e organizatave të tilla në një gjykim kushtetues në këtë fazë nuk është e zakonshme dhe përbën një hap të rëndësishëm për shoqërinë civile, duke rritur transparencën dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje”, thuhet në një deklaratë të qendrës “Res Publica”.
Taulant Bino, nga AOS, e cilësoi këtë vendim si një zhvillim pozitiv, që lejon që përtej argumenteve të partive politike të merren në konsideratë edhe opinionet e organizatave dhe ekspertëve të tyre.
“Shpresa vdes e fundit, shpresojmë që edhe argumentet tona të kenë peshë! Besimi tek drejtësia në Shqipëri është disi i kufizuar, por ne shpresojmë”, theksoi Bino.
Ndërkohë, Besjana Guri analizoi për Citizens.al se legjitimimi i organizatave mjedisore në këtë proces shënon një pikë kthese për trajtimin e çështjeve mjedisore në gjykatat shqiptare, veçanërisht në nivelin më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese.
“Ne si organizatë kemi kundërshtuar ndryshimet e miratuara, pasi vlerësojmë se ky ligj ul nivelin e mbrojtjes së zonave të mbrojtura, duke i hapur rrugë zhvillimit infrastrukturor të pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm në parqet kombëtare”, tha Guri.
Ligji që lejon ndërhyrjet në zonat e mbrojtura u miratua më 22 shkurt me 74 vota “pro”.
Fillimisht, ai i dha kompetenca bashkive për të administruar jo më pak se 20% të sipërfaqeve të këtyre zonave. Pas kritikave dhe kundërshtimeve nga ekspertët dhe organizatat mjedisore, qeveria organizoi disa dëgjesa publike dhe premtoi rishikimin e draftit.
Megjithatë, drafti i dytë – i cilësuar nga kritikët si një kalim “nga shiu në breshër” i transferoi kompetencat vendimmarrëse tek qeveria, duke hapur rrugën për tjetërsim dhe investime strategjike në zonat e mbrojtura.
Shqipëria numëron 12 parqe kombëtare, 23 parqe natyrore, 516 monumente natyre, 5 zona të mbrojtura me interes ndërkombëtar, 5 peizazhe të mbrojtura dhe 1 rezervat të biosferës, të cilat, me ndryshimet e fundit ligjore vihen në rrezik nga ndërtimi.
Lexo më shumë:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.