Citizens.al

Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për materialet e gazetarit Qyno

Ilustrim grafik Gjykata Kushtetuese.

Në një seancë të hapur për publikun, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot çështjen e gazetarit Elton Qyno, e cila ngre shqetësime mbi lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske. Ajo vendosi t’i japë kohë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) përballë kërkesës për fshirjen e të dhënave të kopjuara nga telefoni i gazetarit.

Çështja lidhet me sekuestrimin e pajisjeve elektronike të Qynos nga SPAK-u. Sipas avokatit të tij, Dorian Matlija, sekuestrimi i pajisjeve, bërë në dhjetor 2023, është kryer në kundërshtim me standardet ligjore dhe ka shpërfillur një urdhër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili ndalon inspektimin e tyre.

“Në dhjetor 2024, në një seancë të Gjykatës së Lartë, u zbulua se SPAK kishte kopjuar të gjitha të dhënat nga pajisjet e gazetarit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të drejtat e gazetarëve dhe pavarësinë e medias,” tha në një deklaratë Qendra Res Publica, e cila po ndjek ligjërisht çështjen.

Prokuroria kërkoi shtyrje seance

Në fillim të muajit mars mbrojtja e gazetarit Qyno i kërkoi Gjykatës, krahas kthimit të telefonit, edhe fshirjen e materialeve të kopjuara, gjë për të cilën SPAK kërkoi kohë pasi e konsideroi kërkesë të re, për të cilën nuk ishte njoftuar. Por gjatë seancës u konfirmua se SPAK ishte informuar sipas procedurave.

“Në konsideratë të kërkesës për marrje kohë të SPAK, Gjykata shtyn seancën për në datë 2 prill, ora 10:00,” u tha në fund, pas rreth një ore pritje, nga trupa gjykuese duke iu dhënë kohë deri më 26 mars palëve për të paraqitur shpjegime shtesë.

Avokat Matlija theksoi gjatë seancës se është e nevojshme të garantohet që SPAK nuk do të ruajë kopje të tjera të materialeve të marra nga telefoni i gazetarit. Ai shtoi se sendet virtuale garantojnë konfidencialitetin e punës së gazetarit ndaj kjo çështje duhet shikuar me përparësi.

Nga ana tjetër, SPAK argumentoi se për këtë çështje duhet të konsultohej me praktikat dhe gjykatat ndërkombëtare, dhe e përdori këtë si arsye për të kërkuar shtyrjen e seancës.

SPAK i sekuestroi gazetarit Qyno telefonin pas raportimeve që ky i fundit kishte bërë në media rreth ngjarjeve të lidhura me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.

Në disa raportime Qyno citonte apo perifrazonte komunikime, të cilat SPAK thotë se përputheshin me bisedat e Dumanit në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”. Për këtë ai u mor në pyetje për disa orë nën dyshimin e “zbulimit të sekreteve hetimore”.

Paralelisht, në një hetim tjetër, SPAK ka ngritur dyshime se Qyno merrte pagesa nga një grup kriminal i drejtuar nga Suel Çela.

Një çështje me ndikim mbi lirinë e medias

Pas shtyrjes së seancës, avokati Matlija deklaroi për Citizens.al se ky rast prek drejtpërdrejt mbrojtjen e konfidencialitetit të burimeve të gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

“Nëse Gjykata Kushtetuese pranon ankimin, kjo do të vendosë një standard të mira mbrojtjeje për gazetarët dhe do të disiplinojë e kufizojë praktikat abuzive të organeve hetimore, përfshirë SPAK-un,” tha ai.

Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar tre seanca mbi këtë çështje më 12 dhjetor 2024, 13 shkurt 2025 dhe 5 mars 2025.

Këtë herë, vendimi për të mbajtur një seancë publike u konsiderua si tregues i rëndësisë së rastit, i cili nuk kufizohet vetëm te një individ, por prek thelbësisht lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.

Shqipëria renditet mes vendeve problematike në Europë për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Një raport i qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe Observatorit të Ballkanit dhe Kaukazit, Transeuropa (OBCT) evidenton rritjen e padive ndaj gazetarëve.

Sipas raportit, deri në korrik 2024, ishin regjistruar 43 padi ndaj gazetarëve apo punonjësve të medias, nga të cilat 38 u shqyrtuan në Gjykatën e Tiranës. Përveç këtyre rasteve, në të njëjtën periudhë kishte 28 çështje në Gjykatën e Apelit dhe dy në Gjykatën e Lartë.

Kjo atmosferë ka ndikuar negativisht në cilësinë e gazetarisë hulumtuese, duke ushtruar presion mbi mediat për të kufizuar raportimet mbi tema të ndjeshme.

Organizatat e medias janë prej kohësh në diskutime me sistemin e drejtësisë për të siguruar një trajtim me prioritet të rasteve të gazetarëve. Në tetor 2024, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi prokuroritë e rretheve të trajtojnë me përparësi rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, duke krijuar një pikë të dedikuar kontakti për ndjekjen e këtyre rasteve.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW