Koncesionari i “Rrugës së Arbrit”, Gjoka Konstruksion, prodhoi asfalt pa leje për të shtruar pjesë të aksit që lidh Tiranën me Dibrën. Aktiviteti u krye në kantierin e kompanisë në Zall-Dajt. Pavarësisht ankesave të banorëve autoritetet nuk vepruan.
Prej muajit shkurt, banorët kanë denoncuar publikisht ndotjen e ajrit dhe mjedisit, duke organizuar protesta dhe ngritur shqetësime për ndikimin e aktivitetit të kompanisë në jetën e tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i konfirmoi Citizens se “Gjoka Konstruksion” është pajisur vetëm me një leje mjedisore të tipit B, e cila i lejon përpunimin e çimentos, por nuk përfshin prodhimin e asfaltit.
“Përzierja e çimentos […] grumbullimi i betonit dhe prodhimi i blloqeve të betonit dhe produkteve të tjera të çimentos”, shpjegoi në një përgjigje për Citizens llojin e aktivitetit të lejuar ministria.
Kjo do të thotë se aktiviteti i prodhimit të asfaltit nga kompania Gjoka është jashtë kuadrit të lejes së miratuar dhe përbën shkelje të hapur të ligjit.

Vetë “Gjoka Konstruksion” është justifikuar se asfaltin e ka prodhuar në bazë të nevojave që i kanë dalë për mbylljen e projektit të rrugës. Në një deklaratë që i është shpërndarë banorëve, ajo është zotuar se pas 31 marsit do ta prodhojë asfaltin në një vend tjetër.
Kantieri i “Rrugës së Arbrit” u ngrit pas vitit 2019 në krah të rrugës buzë bashkimit të Lumit të Tiranës dhe Lumit të Selitës në zonën e Zall-Dajtit. Banorët janë ankuar se kompania ka ndërhyrë në shtratin e lumit dhe ka prishur një rrugë lidhëse të fshatit të tyre.
Por Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i tha Citizens se kompania Gjoka nuk ka leje për shfrytëzimin e burimeve ujore në zonë.
Pavarësisht ankesave, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj kompanisë, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk dha komente për Citizens.
Një histori e gjatë koncesionesh
“Gjoka Konstruksion” e sipërmarrësit Rrok Gjoka, e nisi aktivitetin në mesin e viteve 90-të me fokus ndërtimin e veprave civile dhe publike. Falë përfshirjes në koncesione dhe dhjetëra tenderë publikë Gjoka ka gëzuar suksese të jashtëzakonshme.
Sipas deklarimeve tatimore, shqyrtuar në Open Data Albania, gjatë periudhës 2013-2023 Gjoka 30-fishoi fitimin (para tatimit) nga 107 milionë (2013) në 3.3 miliardë lekë (2023).
Gjoka fitoi koncesionin e “Rrugës së Arbrit” në vitin 2017 sipas një kontrate të diskutueshme ndërtimi dhe mirëmbajtjeje me kohëzgjatje 13-vjeçare dhe kosto rreth 350 milionë euro, e cila parashikonte përfundimin e rreth 45 kilometrave rrugë të mbetura nga projekti i nisur që në vitin 2005.
Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë premtim politik që për dy dekada mbeti peng i mungesës së investimeve dhe vonesave burokratike. Projekti u finalizua javën e shkuar me hapjen e tunelit të Murrizit.

Por pavarësisht përfundimit të punimeve kryesore, standardet mjedisore dhe të transparencës mbeten çështje të hapura.
Afera me prodhimin e asfaltit pa leje është një tjetër shembull i mënyrës se si kompanitë koncesionare shpesh veprojnë pa kontroll, duke shkelur rregullat dhe duke mos u përballur me pasoja.
Në sfondin e këtij rasti, mbetet pyetja se si autoritetet do të adresojnë këtë shkelje dhe çfarë masash do të ndërmarrin për të garantuar që projekte të tilla të mos dëmtojnë mjedisin dhe komunitetin lokal.
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.