Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpërndau sot një fond prej 1.3 milionë euro për 11 nga 26 partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Fondet ndahen bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të mëparshme, duke favorizuar partitë e mëdha dhe lënë jashtë skemës formacionet e reja.
Sipas vendimit të KQZ-së, përfituesja kryesore është Partia Socialiste, e cila ka marrë 652,000 euro, e ndjekur nga Partia Demokratike me 448,000 dhe Partia e Lirisë me 91,400 euro.
Në këtë pikë formacioni i koalicionit opozitar të drejtuar nga Sali Berisha përfiton nga fakti se fonde kanë marrë edhe Partia Agrare Ambientaliste (8,963 euro) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (8,963 euro).
Në skajin tjetër të listës ndër partitë me përfitime më të ulëta nga buxheti i shtetit është dhe “Nisma Thurje” me 8,684 euro.
Partitë e reja pa mbështetje financiare nga shteti
Ndryshe nga subjektet e konsoliduara, partitë e reja si “Shqipëria Bëhet”, “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia” do të zhvillojnë fushatën elektorale pa ndihmë nga fondet publike, duke u mbështetur kryesisht në financimet private dhe kontributet qytetare.
Sipas ligjit, fondet publike u shpërndahen vetëm partive që në zgjedhjet e kaluara kanë marrë të paktën 1% të votave në rang kombëtar.
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka përfituar 30,000 euro, ndërsa Partia Republikane e Fatmir Mediut ka marrë 26,000 euro.
Një vëzhgim nga Citizens mbi transparencën financiare të partive të reja tregon se “Mundësia” mbështetet financiarisht nga kryetari i saj, Agron Shehaj, ndërsa “Lëvizja Bashkë” dhe “Shqipëria Bëhet” financojnë aktivitetet përmes donacioneve qytetare.
Deri në fillim të shkurtit, “Shqipëria Bëhet” raportoi 142 donatorë dhe tre mbështetës kryesorë me një total prej rreth 24,000 eurosh.
Megjithatë, disa parti nuk kanë publikuar ende shifrat totale të donacioneve. Në faqet e tyre online, as “Nisma Thurje” dhe as “Mundësia” nuk kanë ofruar informacion mbi fondet e mbledhura.
Pedagogu Blendi Çeka, në një prononcim të mëhershëm për Citizens, theksoi se financimi i partive politike është ende i dominuar nga burimet shtetërore dhe se në Shqipëri mungon kultura e kontributit qytetar.
“Këtu te ne nuk ekziston si eksperiencë. Jemi mësuar që të marrim nga partitë, jo t’u japim. Është e çuditshme për qytetarët që të kontribuojnë, nuk flas për biznesin, që ka interesa të mëdha,” ka thënë Çeka.
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.