Prej vitesh, banorët e Lezhës protestojnë kundër ndotjes mjedisore të shkaktuar nga fabrika e përpunimit të mbetjeve shtazore “INCA”. Megjithëse Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e ka gjobitur dhe ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit, ajo ka vazhduar punën normalisht.
Për këtë arsye, ata u mblodhën sërish të shtunën në qendër të qytetit, duke kërkuar zbatimin e vendimeve të institucioneve. Më pas, protestuesit marshuan drejt fabrikës nën thirrjet “INCA-INCA ti qelb erë, nuk të duam ne në derë!”
“Kërkesat janë të njëjtat si ditën e parë, fabrika të largohet nga zona e banuar, pasi ndotja prek shtëpitë rrotull dhe të gjithë ata përgjatë lumit Drin,” u shpreh Arilda Lleshi, aktiviste e cila ka organizuar shumicën e protestave kundër INCA-s.
Lleshi theksoi se ky është problem i mijëra banorëve dhe se është e papranueshme që vetëm për të mbrojtur një person, institucionet të heshtin.
“Nuk jemi kundër bizneseve, por kjo është zonë e banuar dhe po shkelet ligji, është e thjeshtë, e qartë, e shkruar dhe provuar se kjo fabrikë ju merr frymën,” tha Nertila Haxhia aktiviste e përfshirë në mbrojtjen e çështjes.
“Nuk jemi kundër fabrikës, por erës së keqe që na vjen në shtëpitë tona, […] nuk është e drejtë të lëvizin gjithë banorët për një biznes, nëse kjo është e drejtë të dalë një përfaqësues e ta thotë,” u shpreh aktivisti Bledar Përlika.
Në thirrjen e tij, Përlika iu drejtua me një sfidë të hapur autoriteteve që nëse kanë fakte të dalin publikisht e të thonë që në zonë nuk ka ndotje dhe erë të keqe.
“Të na shohin në sy dhe ndërgjegje e të na thonë që nuk vjen erë!” theksoi me ton sfidues Përlika.
Protesta e së shtunës u parapri nga një aksion simbolik gjatë mesjavës, ku aktivistë shpalosën një banderolë me mbishkrimin “Na morët frymën!” përpara takimit elektoral të Partisë Socialiste në Lezhë, ku pretendohej se do të ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Më 28 janar 2025, banorët protestuan edhe përpara kryeministrisë, ku drejtori i platformës së bashkëqeverisjes u premtoi se çështja do të shqyrtohej dhe përfaqësues të institucioneve do të dërgoheshin në terren për të vëzhguar situatën.
Por deri më sot, as ky premtim nuk është mbajtur.
“Na thoshin se nuk kemi prova që fabrika ndot, por lëvizja jonë diktoi ministrinë të vinte e të bënte kontrolle, dhe doli që këtu kishte ndotje, tani kemi dokumente që i vërteton shkeljet, ka dhe urdhër që ndërpret punimet, por siç e shikojmë, puna vijon,” theksoi gjatë protestës Fatjon Vathaj, banor i zonës.
Në fillim të nëntorit, dy inspektime të AKM-së konstatuan shkelje në mënyrën se si fabrika derdh ujërat e ndotura në kanalin ujëmbledhës. Analizat e kryera më 24 tetor, në dy orare të ndryshme treguan se shkarkimet ishin përtej normave të lejuara.
Për këtë AKM vendosi të urdhërojë pezullimin e aktivitetit dhe gjobitjen me dy masa me vlerë 1 milion lekë secila.
Fabrika “INCA” zotërohet nga Alban Zusi, një sipërmarrës i njohur në industrinë e përpunimit të produkteve shtazore. Kompania ka përfituar mbështetje financiare nga qeveria dhe Bashkimi Evropian përmes skemës së financimit të programit “IPARD II”.
Në këtë kuadër, ajo ka përfituar rreth 135 milionë lekë për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 në praninë e Bledi Çuçit, asokohe ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Zusi ka mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Bujqësisë gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama, deri më 30 shtator 2015, kur dha dorëheqjen për “arsye personale”.
Lexoni gjithashtu:
- “INCA” sfidon institucionet, banorët protestojnë para Kryeministrisë
- Kauza të 2024: Banorët e Lezhës, një fitore e pjesshme kundër INCA

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.