Një lapidar me emrat e 42 dëshmorëve të luftës së Dytë Botërore e pak më tutje busti i një prej tyre, i Zonja Curres, janë pritja për në fshatin Tragjas në Vlorë.
Përbri tyre, në një hapësirë të blertë sipër burimit të lumit Izvor, burra gra dhe fëmijë janë mbledhur si rrallë herë në “kuvendin e Tragjasit”, sikurse iu referuan në fjalimet e tyre.

“Jo marrjes së ujit në burimet Tragjas” është thirrja që dallohet në bluzat e veshura të shumë prej banorëvë, si një thirrje udhëheqëse e këtij kuvendi.
Prej muajit shkurt banorët e Tragjasit protestojnë kundër ndërtimit të një ujësjellësi të ri që synon të furnizojë me ujë zonën turistike të Dhërmiut dhe Palasës.
Përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, banorët kërkuan anulim të projektit dhe transferim të tij te ura e Izvorit.
“Uji i burimeve tona është jetik për jetën tonë. Në kushtet e pakësimit të vazhueeshmë të prurjeve dhe tharjeve të burimeve që ne e shohim vit pas viti brenda një kohe të shkurtër ne do të mbetemi pa ujë të pijshëm”, deklaroi Arben Shytaj, agronom dhe banor i Tragjasit.
Sipas Shytajt, projekti ka shkelje të rënda të konventës së Aarhus-it që vetë Shqipëria ka pranuar.
“Për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe ujërave tokësore duhet që të konsultohen me publikun sepse ujërat nëntokësore së pari janë për komunitetin dhe kalimi i ujërave tokësore nga njëri basen, ai i Dukati dhe Tragjasit në basenin e Dhërmiut, konventa nuk lejon më shumë se 5%. 5% të 700 litra ujë, 35 litra ujë në sekond mund të merrnin ata në mënyrë ligjore. Ata duan të marrin 300 litra ujë në sekond”, argumentoi agronomi Arben Shytaj.
Lavduri Ferati u rikthye sot në fshatin e saj për të mbështetur vëllezërit dhe nipërit e saj. Ajo kujton kohën kur burimi ujor kishte thellësi më të madhe.
“I thonim deti i rrymtë nga thellësia që kishte. Ishte më shumë se gjashtë metra thellësi dhe tani ka shteruar shume”, u shpreh Lavdurie për Citizens.
Sipas saj me marrjen e ujit, fshati Tragjas shpopullohet.
“Në qoftë se do marri ujin, do marri jetën e këtyre çunave që punojnë dhe jetojnë këtu”, tha Lavdurie Ferati . “Të lesh një komunitet të tërë pa ujë, e lë pa jetë, e lë pa drit, e lë pa frymë”, deklaroi një tjetër banor i pranishëm.

Në mbështetje të banorëve sot kishin ardhur edhe përfaqësues nga diaspora, të cilët u shprehën se përpos faktit se janë larguar nga vendlindja kanë të afërm dhe varrezat e të parëve të tyre, ashtu sikurse edhe pronat.
“Uji është si gjaku për trupin e njeriut. Nëse na marrin ujin është njësoj sikur të na presin gjakun dhe të na marrin jetën”, deklaroi një nga përfaqësuesit e diasporës së Italisë.
Suela Konxhoni, avokate e banorëve u shpreh se zhvilluese e projektit është bashkia Himarë.
“Janë evidentuar dy burimet të cilat janë arteriet kryesore të lumit të Izvorit dhe nëpërmjet atyre dy burimeve do të bëjnë tre kontenitorë uji, njëri pak metra poshtë burimit, një në Tragjas dhe një në tunelin që është ndërtuar së fundmi”, deklaroi Konxhoni për Citizens.al
Sipas saj, projekti i vendosur në dispozicion ka një prurje mesatare 1800-3000 litra ujë në sekond, duke qenë shifra më të mëdha se sa janë realisht prurjet.
“Ato shifra janë të fryra, ato shifra nuk i përgjigjen aspak realitetit. Për të ditur dhe vetë ku ishim kemi bërë nëj matje dhe ka rezultuar që është diku te 945 litra për sekond sot që është në prurjen maksimale”, deklaroi Konxhoni.
Pasi janë informuar zyrtarisht për projektin nga kërkesat e dërguara pranë institucioneve, Konxhoni tha për Citizens.al se përpos protestave qytetare do të vijojnë edhe në rrugë ligjore.
“Jemi duke përgatitur kërkesë-padinë. Jemi venë në dijeni në datë 21 shkurt të 2025 dhe shumë shpejt brenda afateve ligjore, sipas ligjit të kodit të procedurës administrative, do të paraqesim kërkesë padinë pranë gjykatës administrative të shkallës së parë Lushnjë”, deklaroi avokatja Suela Konxhoni.
Banorët shprehen të zhgënjyer që në gjithë këto vite nuk kanë përfituar asnjë investim konkret në zonë që të ndihmonte zhvillimin ekonomik të fshatit, edhe pse Tragjasi ka qenë pjesë e programit “100 Fshatrat”.
Ndërsa shohin me frikë mobilizimin për nisjen e punimeve të ujësjellësit fill pas përfundimit të zgjedhjeve.
Lexoni gjithashtu:
- Banorët e Tragjasit në mbrojtje të lumit Izvor, përplasen me policinë
- Rama mbron projektin e ujësjellësit, banorët e Tragjasit e kundërshtojnë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).