Organizata të medias paditën të martën në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok, duke e cilësuar atë një shkelje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) dhe Qendra CLE kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese ankesën për shpalljen antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave që ndalon platformën TikTok në Shqipëri,” deklaroi kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Isa Myzyraj.
Myzyraj pranoi se rrjetet sociale, në përgjithësi dhe jo vetëm në Shqipëri, përballen me problematika të shumta, si dhuna dhe diskriminimi, por argumentoi se mënyra e mbylljes së TikTok-ut është arbitrare dhe cenon lirinë e shprehjes.
Avokati Franc Terihati nga Qendra për Fuqizim Ligjor sqaroi se në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese janë paraqitur argumente ligjore që tregojnë se vendimi i qeverisë shkel lirinë ekonomike, lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të drejtën e informimit.
“Ky cenim është realizuar në shkelje të parimit të sigurisë juridike dhe parimit të proporcionalitetit”, tha Terihati.
Avokati sqaroi se këto liri dhe të drejta mund të kufizohen sipas Kushtetutës, por edhe një praktike të konsoliduar e Gjykatës Kushtetuese, vetëm ku ka një bazë të cenimit të provuar të intertesit publik.
“Në këtë rast, qeveria nuk ka provuar se përdorimi i TikTok-ut përbën rrezik për interesin publik,” përfundoi avokati.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok u kundërshtua më herët gjatë këtij muaj nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, duke e cilësuar një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
Organizatat argumentojnë se mbyllja mund të krijojë precedentë shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin. Ky veprim rrezikon t’i hapë rrugën kufizimeve të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e shprehjes dhe qasjes në internet në mënyrë më të gjerë.
Ajo që shihet si shqetësuese nga organizatat është edhe momenti kur erdhi vendimi, rreth dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Mbyllja e kësaj platforme konsiderohet ndikuese në kufizimin e aktivitetit politik, sidomos të të rinjve që votojnë për herë të parë, por edhe për lëvizjet e reja politike, që nuk janë afirmuar.
Lexoni gjithashtu:
- Mbyllja e Tik-Tok: A është kjo zgjidhja?
- “Fajin e ka TikTok-u”, Kryeministri shmang përgjegjësinë për vrasjen e 14-vjeçarit
- Organizatat e medias dhe shoqërisë civile kundërshtojnë mbylljen e TikTok

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.