Ish-kryeministri i Italisë dhe senatori i Firences, Matteo Renzi, vizitoi sot kampin e Gjadrit, duke e cilësuar atë një projekt të dështuar dhe propagandistik të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
“Është vetëm propagandë e Melonit. Realiteti është ky që shihni këtu,” deklaroi Renzi, kur u pyet nga gazetarët nëse kampi i Gjadrit po shërben si model për vende të tjera të Evropës, përfshirë Danimarkën.
Renzi kritikoi qeverinë italiane, duke theksuar se në këtë projekt janë shpenzuar rreth 1 miliard euro nga buxheti i shtetit italian.
“Këto nuk janë para të së majtës apo së djathtës, por taksat e qytetarëve italianë,” u shpreh ai.
Ai ngriti dyshime mbi arsyet pse një strukturë e tillë nuk u ndërtua në Itali dhe ironizoi se deri më tani ka funksionuar vetëm për miqësinë mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni. Sipas Renzit, ndërtimi i kampit në Shqipëri mund të ndikojë negativisht edhe në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Besoj se këto para mund të ishin investuar për pensionet dhe pagat. Ky është opinioni im,” theksoi Renzi.
Një tjetër propozim i ish-kryeministrit italian ishte që kampi të shndërrohej në një burg për shtetasit shqiptarë të dënuar në Itali, me argumentin se kështu ata do të ishin më pranë familjeve të tyre.
“Këtë e kemi diskutuar edhe në parlament, dhe Meloni ka thënë ‘ndoshta po, pse jo’,” shtoi Renzi.
Ish-kryeministri Renzi qeverisi Italinë në periudhën 2014-216 si udhëheqës i Partisë Demokratike, parti prej së cilës u largua në vtiin 2019 kur themeloi “Italia Viva”.
Prej vitit 2018 ai është seantor ku ka dalluar për stilin e tij konrontues duke sulmuar shpesh figurat e qendrës së majtë dhe qeverisë Meloni.
Kampi i Gjadrit ka qenë më parë në qendër të debateve politike në Itali. Më 13 dhjetor 2024, sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e vizitoi kampin, duke e cilësuar projektin si një dështim dhe produkt të “kokëfortësisë ideologjike të qeverisë”.
Po ashtu, më 5 qershor, deputeti i opozitës italiane, Riccardo Maggi i partisë ‘Più Europa’, pati një përplasje verbale me kryeministren Meloni gjatë një vizite në kamp.
“Ju po bëni fushatë,” mësohet t’i ketë thënë ai Melonit.
Ndërkohë, mbetet ende për t’u parë vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) lidhur me statusin si “vende të sigurta” të disa prej vendeve të origjinës së emigrantëve që i drejtohen Italisë përmes Mesdheut.
Deri më tani, çdo emigrant i dërguar në Gjadër është kthyer pas, ndërsa vendimi përfundimtar i gjykatës pritet në fund të majit. Seanca e parë, e planifikuar më 25 shkurt, u shty.
Sipas të dhënave, deri tani në pikën e pritjes së Shëngjinit janë sjellë 73 emigrantë. Prej tyre, 9 janë kthyer për shkak të moshës apo gjendjes shëndetësore, ndërsa 62 të tjerë janë kthyer mbrapsht me vendim gjykate.
Deri në një vendim të qartë nga GJED, nuk dihet nëse qeveria italiane do të rishikojë strategjinë e saj për kampin e Gjadrit.
Citizens.al ka trajtuar gjerësisht këtë çështje edhe në një nga podkastet e saj.
Lexoni gjithashtu:
- Dështon për herë të tretë plani Meloni: 43 migrantët kthehen në Itali
- Aktivistët italianë protestojnë në Shqipëri kundër marrëveshjes ‘Rama-Meloni’
- Kampi në Gjadër mbetet pezull, Italia diskuton për ‘plane shpëtimi’

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.