Citizens.al

Banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik

Banorë të Rrjollit gjatë përplasjes me policinë/Foto Emi Kalaja.

Dhjetëra banorë të fshatit Rrjoll në Velipojë druajnë se një projekt resorti turistik rrezikon t’iu marrë tokat. Ata dyshojnë për falsifikim dokumentesh dhe për këtë, prej së martës, janë përplasur me punonjës dhe forca të policisë. Ndërkohë kompania pretendon se projekti nuk cenon pronën e askujt.

Prek Molla së bashku me dhjetëra banorë të tjerë po protestojnë për të dytën ditë radhazi kundër punimeve për resortin “Blue Borgo”, projektuar nga Stefano Boeri Architects.

Projekti i resortit “Blue Borgo”.

“Shohim vetëm që ka hyrë fadroma, që po rrafshon. Nuk dimë çfarë po bëhet, s’ka informuar kush, s’ka tabelë, asgjë!” tha për Citizens.al Molla.

Ai tregoi se u shoqërua në polici së bashku me tetë banorë të tjerë, ku, sipas tij, u mbajtën për nëntë orë. Molla tha se zona ka rreth 60 pronarë me tituj pronësie të trashëguar prej viteve ’20, por që sipas tyre u janë tjetërsuar në mënyrë të padrejtë nga një person i identifikuar si Fatmir Shpellza.

“150 hektarë tokë me ia dhënë një personi fantazmë, kjo është e papranueshme,” theksoi Molla për Citizens.

Për këtë arsye, të premten, banorët do ta zhvendosin protestën nga Rrjolli në Tiranë, përpara dyerve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në shenjë revolte ndaj “krimeve dhe pazareve me pronat”.

Por SPAK nuk është autoriteti i vetëm që do të duhej ta zbardhte këtë çështje, pasi më herët fjalën e tyre me banorët do të duhet ta kishin thënë autoritetet vendore dhe qendrore.

Pamje e zonës bregdetare të Rrjollit dhe zona që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Resorti “Blue Borgo” mori lejen e ndërtimit nga qeveria në dhjetor 2024. Ai parashikohet të ndërtohet nga vëllezërit Bashkim, Astrit e Ahmet Ulaj. Familja është njohur kryesisht nga sipërmarrjet e Bashkim Ulajt me kompaninë “Gener 2” si përfitues tenderësh publik, ndërtues pallatesh, investitor në energjetikë dhe koncesionar i rrugës Thumanë-Kashar.

Resorti parashikon rreth 35 blloqe rezidenciale me 1 deri në 10 kate lartësi të shtrira në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh mes kënetës së Vilunit dhe monumentit natyror “Rana e Hedhun”.

Nën statusin e investimit strategjik “Blue Borgo” pritet të përfitojë shfrytëzimin e plazhit, mbështetje infrastrukturore nga shteti dhe lehtësira fiskale.

Kjo qasje është pjesë e vizionit të qeverisë për zhvillimin e turizmit, përmes së cilës dekadën e fundit ka dhënë rreth 580 hektarë në përdorim.

Organizata mjedisore kërkon monitorim ndërkombëtar për projektin

Sipas organizatës Mbrojtje dhe Ruajtje e Mjedisit Natyror në Shqipëri (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania, PPNEA) zona e kontestuar në Rrjoll është pjesë e ekosistemit të mbrojtur Bunë-Velipojë.

Në një reagim në rrjetet sociale PPNEA theksoi se kjo zonë, përveçse e njohur si “Peizazh i Mbrojtur” në nivel kombëtar, gëzon rëndësi të lartë ndërkombëtare si Zonë Ramsar, Emerald dhe KBA.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by PPNEA (@ppnea)

Sipas kësaj organizate ajo që po ndodh në Rrjoll është sinjali i parë i efekteve negative të denoncuara më herët nga mjedisorët sa i përket ndryshimeve ligjore që qeveria bëri për zonat e mbrojtura.

“Qeveria shqiptare u zotua para publikut shqiptar dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri se ndryshimet e ligjit të Zonave të Mbrojtura do të ndihmonin banorët lokal dhe nuk do të cenonin ekosistemet. Por, me nisjen e implementimit të këtij ligji, të parët që po protestojnë janë banorët lokal të cilëve po ju merren burimet natyrore,” theksoi në reagim PPNEA.

Si një nga organizatat kryesore me ekspertizë mjedisore në Shqipëri, PPNEA deklaroi se nuk ka marrë asnjë ftesë për dëgjesa me ekspertët në lidhje me zhvillimin e këtij projekti turistik.

Në këtë kontekst PPNEA i bëri thirrje delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili ka premtuar se do ta monitoronte nga afër implementimin e ligjit të ri për Zonat e Mbrojtura, të reagojë dhe kërkojë transparencë.

Sipas PPNEA-s zona e Rrjollit ka rëndësi të lartë për komunitetin Evropian për vlerat natyrore që mbart.

*Lajmi u përditësuar me reagimin e PPNEA.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW