Citizens.al

Banorët e Rrjollit, në SPAK për të drejtën e pronës

Ilustrim gjatë deklaratës së banorëve të Rrjollit në SPAK/Foto nga Ronald Qema.

Banorët e fshatit Rrjoll e zhvendosën të premten protestën e tyre në Tiranë, duke u vendosur para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ata kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” nga kompania “Gener 2” me pretendimin se investimi po bëhet mbi pronat e tyre të marra padrejtësisht përmes falsifikimit të dokumentave.

Rreth 60 banorë pretendojnë se një person i identifikuar si Fatmir Shpellza, i cili sipas tyre ka lidhje të forta politike, ka përfituar pronësinë mbi një sipërfaqe trualli prej rreth 150 hektarësh mes kënetës së Vilunit dhe “Ranës së Hedhun”. Ata thonë se kjo gjë ka ndodhur gjatë kohës kur ata kanë qenë në çështje gjyqësore paralele me autoritetet në pritje të regjistrimit të pronave të tyre.

Banorët dyshojnë për mbivendosje dhe falsifikim. Për këtë ata ngarkojnë me përgjegjësi Shpellzën dhe dy gjyqtarët Vojsava Osmanaj-Kola dhe Astrit Kalaja.

“Jam pronar i ligjshëm dhe kam dokumente për ta provuar. I kam dorëzuar në SPAK dhe gjykatë, por më thonë se pronën e ka marrë një i fortë. Unë nuk jam Bashkim Ulaj!” deklaroi i revoltuar Prek Molla një nga banorët.

Gjyqtarët Osmanaj-Kola dhe Kalaja kanë një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë me një të shkuar në Apelin e Shkodrës.

Kalaja ka shërbyer si gjyqtar në Shkodër, që nga viti 1993 dhe aktualisht shërben si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai ka mbajtur edhe pozicionin e Zv.Kryetarit të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe është i specializuar në shkenca juridike civile.

Osmanaj-Kola ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Gjykatën e Rrethit Korçë, si dhe ka qenë inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Aktualisht është anëtare e Gjykatës së Lartë.

Avokati i banorëve, Ndue Pjetra nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, shpjegoi pa përmendur emra konkretë se një prej gjyqtarëve të akuzuar nga banorët ka mbajtur peng pronën e banorëve për një vit, nga viti 2018 deri në 2019, për të njohur më pas pronën në emër të personave të tjerë.

Pamje e zonës bregdetare të Rrjollit dhe zona që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

“Kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal, ku përfshihen gjyqtarë, ekspertë dhe punonjës të hipotekës së Shkodrës të asaj kohe. Banorët kanë nisur procedurat ligjore për të fituar pronën që në vitin 2008, por ende nuk janë shpallur pronarë të ligjshëm,” shpjegoi Pjetra.

Vetë banorët shpjeguan se i janë drejtuar SPAK pasi nuk kanë besim në institucionet lokale si Bashkia, apo Prokuroria e Shkodrës. Ata theksuan se do të kërkojnë menjëherë një sigurim padie për të ndaluar vijimin e punimeve.

“Për fshatarët nuk ka bashki, por vetëm për ata që punojnë në institucione shtetërore. Shpellza ka pasur poste administrative dhe ka ndikuar në këtë proces,” shtoi Molla.

Banorët konfirmuan se kompania “Gener 2” nuk ka zhvilluar asnjë konsultim me ta, ndonëse në raportet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) pretendohet se janë kryer konsultime publike.

Projekti për resortin “Blue Borgo” mori miratimin nga qeveria në dhjetor 2024. Ai parashikon ndërtimin e 35 blloqeve rezidenciale me lartësi nga 1 deri në 10 kate, të shtrira në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh mes kënetës së Vilunit dhe monumentit natyror “Rana e Hedhun”.

Resorti do të ndërtohet nga vëllezërve Bashkim, Astrit dhe Ahmet Ulaj. Familja Ulaj është njohur për sipërmarjet e saj në ndërtim, energjetikë dhe si fituese e kontratave publike, mes tyre edhe koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar.

Përveç problemit me pronat, projekti ka nxitur shqetësim edhe në aspektin e ndikimit në mjedis.

Sipas organizatës për Mbrojtje dhe Ruajtje të Mjedisit Natyror në Shqipëri (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania, PPNEA) zona e kontestuar në Rrjoll është pjesë e ekosistemit të mbrojtur Bunë-Velipojë dhe gëzon rëndësi të lartë ndërkombëtare si Zonë Ramsar, Emerald dhe KBA.

Lexo më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW